Pjesë nga romani i Shkëlqim Çelës “Një zgjues për ty” (lëngu çudibërës që zgjoi gjenitë)

“Kampionët falas” paskëshin qenë një ide gjeniale; s’kaloi shumë dhe të gjithë i provuan pikat e mostrave. Të gjithëve iu gjallërua rrembi i fjetur i poezisë. Një shkencëtar tha se çdo talent njerëzor fle në kodin tonë gjenetik, dhe a e shfaqim atë apo jo, kjo varet nga nëse zgjohet ajo pjesë e kodit apo jo, dhe mesa dukej lëngu, i cili u quajt fillimisht “Zgjuesi i Dantes”, pastaj edhe me versionet “Zgjuesi i Majakovskit”, “Zgjuesi i Homerit” (Më i shtrenjtë ky i fundit, sepse sa më i hershëm shkrimtari që zgjonte, aq më shumë kushtonte lëngu. Gjumi i vjetër është më i thellë dhe më i vështirë të dalë. Kësisoji, nuk mund të kushtonte zgjuesi i Aristofanit, të themi, po aq sa ai i Pushkinit, apo i Ahmatovës.), derisa u bë popullor emri gjenerik, thjesht “Zgjuesi”, mesa dukej pra, lëngu vërtet zgjonte gjeni të fjetur tek gjithkush.

Zgjuesit mund të porositeshin online, ose me telefon. Qendrat e thirrjeve telefonike filluan të shtoheshin me ritëm gazmues, marrëset e porosive me telefon, të cilat punësoheshin me pagën minimale, flisnin me akcent të rëndë të cilin e përtypnin bashkë me çamçakëzin: Çfarë zgjuesi donit, zonjë? Thatë Adrienne Rich? Po natyrisht që kemi, madje sot është dita juaj me fat, po! Se me Richin vjen edhe Sylvia Plathi, Sylvia Plathi me gjysmë çmimi. Po, oferta vlen vetëm sot ama…, nesër është vonë. Ajo që ndodhi më pas ishte befasuese për nga përmasat: poezi pa fund e anë vërshuan kudo. Me internetin kjo bëhej kaq e lehtë! Në qoftë se thuhej se vendi prodhonte më shumë histori sesa mund të treste, tani fare mirë mund të thuhej se prodhonte me shumë poezi nga sa mund të lexonte. Edhe vetëm për titujt, nuk do të mjaftonte koha.

Një gëlim i tillë vargjesh u quajt një fitore e padiskutueshme e demokracisë. Poetët u shtuan aq shumë, saqë natyrshëm vijoi edhe vetorganizimi i tyre në klube pa fund, shoqata, lidhje të shkrimtarëve e artistëve, në tubime ku poetët vinin me autobusë të mbushur dingazi, ku mezi arrinin të futeshin e ku ngjesheshin ashtu ngushtë e ngushtë, ngucur në korniza rimash dhe asonancash të paepura, e duke marrë frymë me vështirësi nga dritare drejtkëndore poezish gjeometrike. Mezi i mbyllnin ato dyer, duke i rrasur trupat si me lugë këpucësh – autobusi shtypës me destinacion lavdinë detyrohej të nxirrte përkohësisht jashtë dritares ndonjë gjymtyrë a sup letrari, mu si topat e futbollit dikur komardaret e tyre të mbifryra përmes qepjeve të dobëta, apo shqepjeve më mirë, në dy e tre llokshat. Edhe ashtu niseshin, me ato skopjo poetësh drejt takimeve, bienaleve, mbushur plot me çmime për njëri-tjetrin, plot me mbiemra sipërorë lëvdues dhe recitime me zë të përforcuar prej kutive vikatëse të strofave, siç një e fundit:

 

Toka lind,

Dielli plugohet:

Përjetësi…

 

Tre rreshtat kishin bërë nam e emër në një festival të mbramë hëm lokal, hëm kombëtar. Kjo varej nga këndi i shikimit dhe ora e ditës. (Pasditja zakonisht ishte e kombit.) Strofëza, të cilën autori me përvuajtje të thellë poeti, lënguar edhe më shumë prej modestisë krijuese, e kish quajtur “haiku”, u brohorit pa fund në këmbë, me ngazëllim të vjetër, metrik, me ritëm shuplakash të uritura, aq sa autori e kish patur të pamundur të largohej nga podiumi; i kërkohej encore, sovrani, domethënë audienca, donte prapë, bizzz, bizzzz… Dhe aty, me mirësinë altruiste të poetit të madh, autori ishte avitur përpara mikrofonit, brohorimat ishin zbutur një çast, thjesht për respekt të recituesit, e në atë qetësi të çmuar, aq të brishtë e të përkohshme, poeti e kish hedhur prapë diamantin me bujari:

 

Toka lind,

Dielli plugohet:

Përjetësi…

 

Turma, të gjithë “poetë lëngu”, kish shpërthyer me brohorimë edhe më të ndezur se paraardhësja. E pazëshme ishte vetëm marrëveshja që sot është radha jote për podium, nesër e njërit prej nesh që po brohorasim. Brohorit, se do të brohoritesh.

 

( Botuar me leje nga autori Shkëlqim Çela)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *