Parashikimet e “Nostradamusit” për Shqipërinë, 2016!

Nga Marta Kolli

Të gjithë mendojnë se mund t’i vënë pikat mbi I. Ne e dimë se i-ja do vetëm një pikë, po ne as atë nuk e vendosim dot, ndaj këtë rubrikë e kemi quajtur pika pa i- sepse japim veçse një mendim, një reflektim. Më poshtë disa pika që nuk duan  I…

 -ÇEZ paska qenë thesari i shtetit! Ne kemi paguar ato qindrat milionët e eurove që të zhduken. Dhe do paguajmë prapë për to ngaqë u zhdukën. Udhëheqesit tallen me ne dhe ne zihemi për ta se cili është më i miri. (Ndërkohë Viti i Ri na gjeti herë me drita e herë pa drita, po askush nuk u fut në burg për këtë). Dhe ky vend s’ka për t’u bërë më mirë:

-Muzeu Kombëtar do fshihet herë pas herë pas çarcafëve të reklamave dhe s’do ketë fonde per projekte.
-Galeria Kombëtare do vijojë ta ketë fasadeën si ne 90-en dhe s’do ketë fonde për imazh të ri
-Teatrot Kombëtarë do jenë edhe për këtë vit anës pedonales, urojmë të kenë ngrohje dhe të mos na mbysë më era e qofteve dhe e birrave.
-TKOB do vijojë ta ketë buxhetin për faqe të zezë (por të paktën do rikonstruktohet)
-Instituti i Monumenteve të Kulturës, do vazhdojë të ekzistojë
-Universitetet private do vijojnë të jenë një ‘dhomë e kuzhinë’
-Taksat edhe po u mblodhen do ikin në drejtim të paditur paçka “idealeve” dhe “sakrificave” të drejtonjësve. Tatimet për ata që do i mbledhin sivjet janë më të majme falë kuponeve
-Drejtësia do vijojë të jetë e zhdrejtë sipas traditës (dhe rregullit peshku i madh e ha të voglin ‘biri im’)
-Pronarët s’do i marrin as pronat e as kompensimin
– Siteve arkeologjike do u dalin pronarë ish-drejtues të agjencive
-Trashëgimia do vijoje t’u jepet për restaurim shkatërronjësve që e kanë të dokumentuar dëmin dhe ata do dalin të japin mend për restaurimin.(P.s. A morët vesh gjë çfarë u bë me ato vilat e Tiranës që u shmebën në kohën e Bashës? A u ndërtuan ende pallate mbi to?)
-Juritë do vijojnë të jenë të kontestueshme (edhe me të drejtë)
-Qeveria do vijojë të bëjë prokurime të drejtpërdrejta dhe do u thotë mediave spekulim
-Vendet e punës do jenë prapë 300 mijë në fushatën e ardhshme
-Muret do shkarraviten, hapësirat publike do plehërosen, rrugët nuk do shtrohen
-Qytetet do vijojnë të duken si Kandahari
-Njerëzit e drejtë do e kenë sërish rrugën e shtrembër, ndërsa njerëzit e këqinj do përdorin avionë
-INSTAT do tregojë rritje ekonomike që e sheh vetëm ai e qeveria
-Shoqëria do vijojë të funksionojë jo sipas meritokracisë, po sipas servilokracisë, miqokracise dhe parakracisë
-Kush thotë se ky sistem ecën mirë, është pjesë e sistemit.
(P.S. Politikanët do vijojnë të jenë të njëjtët e njësoj, maksimumi do bëjnë operacione plastike që të duken më të bukur para popullit heroik e liridashës)

-Tashmë me biletën e autobusit 40 lekë/për rrugë, jeni të lutur të rrini në shtëpi e të ngroheni me batanije. Rroftë Rilindja e Zoti e bekoftë Shqipërinë për të bërë edhe më Përpara ! 

( Marta Kolli është gazetare e panjohur në rrethet e ngushta ku merren vendime të mëdha ose ku ndahen “favore”. Por, pas studimeve, ajo ka punuar me zell e përkushtim në media të njohura. Mendimet e saj tashmë pa asnjë sitë do të mund t’i lexoni tek Pika pa I, si një mënyrë për të eksperimentuar pak me mendimin)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *