Panairi i Librit, Lajpcig 2018/Shqipëria prezantohet me autorët: Gazmend Kapllani, Thanas Medi dhe Manjola Nasi

Letërsia shqipe prezantohet në këtë panair prej Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë që është institucioni qendror në hartimin, zhvillimin dhe zbatimin e politikave në fushën e librit në Shqipëri.

Mbështetja dhe promovimi i letërsisë shqipe jashtë vendit, krijimi i një hapësire dialogu mbarëshqiptar dhe ndërkombëtar në fushën e librit me një vizion të hapur ndaj diversitetit kulturor është një nga objektivat kryesore të kësaj ministrie.

Në këtë panair, letërsia shqipe prezantohet në stendë dhe në katalog përmes thënies së shkrimtarit tonë Ismail Kadare “Letërsia më fali lirinë dhe jo anasjelltas”,  me prurjen më të mirë të letrave shqipe në vitet e fundit, me shkrimtarët bashkëkohorë më të vlerësuar me çmime kombetare dhe nderkombetare në tre vitet e fundit, si: Bashkim Shehu, Çmimi Balkanika 2015, Çmimi “Autori i Vitit” 2016, Rudi Erebara, Çmimi Europian i Letërsisë, 2016, Idlir Azizaj Çmimi “Autori i Vitit” 2017, Çmimi “Autori i Vitit” 2015, Agron Tufa “Autori i Vitit i Pananirit të Librit” 2016, Parid Teferici “Autori i Vitit i Pananirit të Librit” 2015, Virion Graci Çmimi “Autori i Vitit” 2015, Besnik Mustafaj, Çmimi “Libri më i mirë i vitit 2017” në Panairin e Prishtinës, Luljeta Lleshanaku, nominuar për Çmimin Balkanika dhe çmime kombëtare e ndërkombëtare, Romeo Çollaku Çmimin e BE dhe çmime kombëtare, Ardian Kyçyku, i nominuar për çmimin e autorit të vitit për 2017 si dhe për çmime të tjera kombëtare.

Një nderim i veçantë “IN MEMORIAM” për shkrimtarin Kasëm Trebeshina, si një nga emrat më të diskutuar, herë të vlerësuar dhe herë të anatemuar të letrave shqipe.

Stenda e Shqipërisë ku gërshetohet tradita me modernen është ideuar si një vënd promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëhore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, përballjes me të shkuarën diktatoriale, përshtatjen me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimin, bashkëjetesën dhe integrimin, etj.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij panairi është festimi i 10 vjetorit të TRADUKI-t, rrjetit më të njohur të përkthimit që bashkon letërsinë dhe kulturën e vendeve të ndryshme të Europës Qëndrore dhe Juglindore si  Shqipëria, Bullgaria, Gjermania, Bosnja dhe Herzegovina, Kroacia, Lihtenshtajni, Mazedonia, Mali i Zi, Austria, Rumania, Serbia, Sllovenia. Një përshëndetje e veçantë në këtë takim të rëndësishëm të përfaqësuesve më të lartë të këtij rrjeti prej Ministrit të Shtetit, Michael Roth, si vendi më verior i TRADUKI-t dhe Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, si vendi më jugor, si dhe shkrimtarit Christoph Ransmayr.

Të ftuar në stendën shqiptare autorët:

Gazmend Kapllani, një shkrimtar shqiptar që ka jetuar prej njezet vitesh në Greqi e që përmes krijimitarisë së tij zbulon se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanike kanë formuar jetën private dhe narracionin e tij personal.

Thanas Medi, i vlerësuar nga kritika si një penë virtuoze dhe mjeshtër i kompozicionit, i cili në një pjesë të mirë të krijimtarisë vizaton me ngjyra emocionale tabllo të jetës së një pakice kombetare në Shqipëri, si vllehët, si dhe historinë e një brezi që përjetoi ndryshimet e mëdha të viteve nëntëdhjetë.

Manjola Nasi, përkthyese dhe poete që sjell lirikën urbane dhe imazhiste të brezit më të ri të letërsisë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *