Olen Çesari: Muzikë kundër plehrave

Nga Fatmira NIKOLLI
Është krejt sportiv dhe i thjeshtë, edhe pse emri i artistit të njohur mund ta bëjë atë të duket i largët si imazhi i tij mbi statujën e Krishtit në Rio De Janeiro. Me të folmen e ruajtur prej adoleshencës kur la Durrësin dhe nisi jetën në përtejdet, ai bashkëbisedon pa marrë staturën ‘pozante’ të ‘konferencierëve’ në Shqipëri.
Violinisti i njohur Olen Çesari së bashku me “International Clndestine Orchestra” rikthehet në Tiranë me një koncert madhështor në datat 19 dhe 20 prill në orën 19:00. Koncerti që nis me “Schindler’s list”, përmban në programin e vet muzikë shqiptare, latine dhe kubane, ndërsa të ftuar specialë janë sopranoja Inva Mulën, Carlos Pas dhe Lavinia Mancusi dhe improvizim, shumë improvizim sipas reagimit të publikut.
Në një konferencë para mediave, ai tha të hënën se, “unë ndjehem me një pjesë të vetes në Itali e me një pjesë në Shqipëri. E ndjej të nevojshme të kthehem në Shqipëri. Të kthehem e të bëj diçka këtu”.
Çesari që kthehet pas dy vitesh në Tiranë me një koncert, vërejti se pasi u “zhdukën” 2 mijë biletat e datës 19 prill, ai vendosi ta rijapë koncertin më datë 20 prill. “Koncerti do jetë ndryshe nga dy vite më parë. Ka kushtuar shumë, sepse kemi rritur produksionin. Kemi kërkuar të ngremë nivelin. Ndryshe do ketë skenografinë, do ketë led-e, laser, drita dhe do kem në koncert Inva Mulën, divën e Shqipërisë; kam Carlos Paz, më i miri i muzikës latine dhe do Lavinia Mancusin, që është më e mira në Itali për muzikën folk dhe etnike”.
Violinisti pohon se programi i datës 19 me atë të datës 20 është i njëjti. “Unë nuk mundem të them skaletën e koncertit. Atë unë e krijoj edhe duke parë reagimin e publikut. Ka disa këngë që zgjedh për një natë koncert dhe duke parë reagimin e publikun nxjerr një këngë tjetër, duke iu përgjigjur dhe duke iu përshtatur publikut. Më pas ka shumë improvizime. Marr energjinë e publikut dhe ia kthej atij. Kësaj radhe do që e nis me një pjesë shpërthyese, që është ‘Schnidler’s List’, por e bërë në versionin e Pink Floyd”.
Oleni tha se do jetë një miks mes të dyjave, se do që të ndizet atmosfera që në fillim. “Kam vënë re që publiku shqiptar përfshihet pas këngës së 3-të a të 4-t, ndërsa këtë herë dua që të përfshihet që në fillim. Kënga e fundit është festë. Nuk e them dot sepse dua të jetë surprizë”.
Kauza
Pas Eda Zarit dhe Elina Dunit, që ia kushtuan koncertin e tyre  mbrojtjes së Valbonës, një tjetër artist ia kushton muzikën ambientit. Megjithëse këngëtaret kënduan falas dhe kundër një vendimi që kanoste të ardhmen e Luginës së Valbonës si edhe kundër ligjit që lejonte importin e mbetjeve, kauza e violinistit ka në fokus ambientin, por pa iu kundërvënë qeverisë, ai synon ndërgjegjësimin e shqiptarëve.
Koncertet e Olenit, veç muzikës, kanë edhe kauzë. “Kauza e parë është ajo e ambientit, unë jam 100% për ambientin”, tha violinisti para mediave. “Përballem për të disatën herë për këtë çështje, pra çështjen e mbetjeve. Njerëzit duhet të dinë, të jenë të ndërgjegjshëm që ajo gjëja që hedhin, pasi bën një rreth, kthehet prapë te njeriu”.
Ai kujtoi se është tmerr të shohësh lumenjtë këtu në Shqipëri. “Del nëpër rrugë dhe sheh që njerëzit kanë hedhur në rrugë e lumenj, qese, plastikë, shishe; duhet të dimë se që të gjitha kthehen te njeriu përmes produkteve që ne marrim nga toka e uji. Ndaj jam kundër mbetjeve dhe kjo është një tematikë që vazhdoj ta mbështes”.
I pyetur nëse duke qenë pjesë e kësaj kauze, ai është kësisoj edhe kundër importimit/sjelljes së mbetjeve të vendeve të huaja në Shqipëri, Çesari tha: “Nuk jam i informuar mbi legjislacionin shqiptar, se çfarë sjell Shqipëria, e nëse bën një gjë, e bën për motive të caktuara politike, ose për motive ekonomike – nuk e kam idenë për këtë pjesë. Unë dua që të ndërgjegjësohemi për sa i përket kulturës që kemi ‘merr e hedh diçka sepse nuk i duhet më’. Unë dua që këto mbetje duhen mbledhur diku, sepse ka persona që mund ta marrin dhe ta riciklojnë. Ose duhet ta lënë në vendin e duhur, sepse përndryshe e hedhur në rrugë, ajo kthehet në zinxhirin tënd elementar”.
Oleni rrëfeu se çdo verë zhytet në det në Shqipëri dhe se situata që sheh është e dhimbshme. “Futem nën ujë dhe e vuaj këtë pjesën e hedhjes së mbeturinave në det. Kam dy vjet që kaloj pushimet në Shqipëri. Mbase gjuajnë me dinamit, por jeta në det është e vdekur. Fillon e sheh jetë në det 2-3 kilometra larg bregut. Vetëm Gjiri i Kakomesë, nga i gjithë bregdeti që unë kam vizituar kishte jetë nën ujë. Në asnjë vend tjetër nuk kishte jetë. Di vetëm që unë jam zhytur në Ksamil, Sarandë e deri në veri e nuk gjeja jetë në ujë afër bregut”.
Muzika shqiptare
Jo vetëm e interpreton, por edhe e shpërndan në “ajër” të ri. “Unë e eksportoj muzikën shqiptare nëpër botë. Ritmet e çuditshme shqiptare priten mirë. Bota është mësuar me ritëm tjetër, ndërsa ne kemi ‘ritme të kompozuara’. Këto ritme janë sikur kanë ardhur nga hëna, e fakti që ti e eksporton jashtë një gjë të tillë, të bën të ndihesh mirë”, tha Oleni. Ai vërejti se koncerti i së mërkurës e së enjtes ka muzikë nga bota, janë këngët më të rëndësishme të muzikës botërore dhe pjesët më të njohura të muzikës botërore, të mbledhura së bashku. “Shpresoj që publiku shqiptar ta perceptojë këtë”./gsh.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *