Një “Jo” utopike në Shqipërinë, ku ndjenjat shiten për bukë e për pare

Nga Elsa Vorfi

Një “Jo” utopike në jetën në të cilën ndjenjat shiten për bukë e për pare. “Njeriu ka dinjitet, ka personalitet, unë kam menduar t’i them ca gjëra tashmë, unë s’mund të shitem për një rrogë”. Ishin këto disa nga fjalët e një bisede mes mikeshash, në lidhje me një situatë në punë. Si duket, njerës prej tyre, prej kohësh, puna i kishte marrë guximin për të reaguar e i kishte “dhuruar” frikën.

Si duket, u dashka guxim për të reaguar, ndonëse reagimi do të duhej të ishte një proces gati automatik, pa e menduar dy herë në rastet kur puna që do duhej të jepte kënaqësi, të bën të ndihesh veçse e përdorur. Kjo bisedë e tyre, tek thjesht mund të dëgjoje e të gjykoje nga jashtë, më bëri të mendoj për sa e sa njerëz që punojnë në ambientet shqiptare, mbi të gjitha sa e sa të rinj, me ideale duhet thënë, të cilët në syrin tim nuk janë pak, shiten sot për një rrogë.

Shiten siç janë shitur ata punonjësit që sot i quajmë “të vjetër”, që dikur ishin të rinj dhe ata, me ideale dhe ata, besoj që po. E kam të vështirë të besoj që një i ri nuk ka ideale, në çfarëdo kohë apo vend jeton ai. U shitën ata punonjësit “e vjetër”, mësuan të shiten atëherë, që të dinë të blejnë sot. Për arsyet e tyre lejuan t’iu vritej personaliteti, dinjiteti, impulsiviteti i një të riu, nervi i një njeriu të pamësuar me gënjeshtra e manipulime, u bënë njerëz të pazot për të reaguar, për t’u revoltuar, për të thënë “Jo”, për të kthyer llaf, të pazot për të mos qenë dakord për padrejtësitë që bëhen në kurriz të tyre.

Ama duket se u bënë të zotë të këshillojnë të tjerët të bëhen si ata. E në rastin më të keq, si të shitshëm atëherë, e “blerës” sot, u bënë të zotë të imponojnë me format e tyre të tjerët të bëhen si ata. Biseda e mikeshave, më solli ndërmend gjithashtu disa vargje të Migjenit, që në një moment, tek fliste për poezinë shkruante: “Një shkëputje, vetëm një shkëputje çasti nga jeta në të cilën të gjitha ndjenjat u shitën për bukë e për pare”.

Janë të shumtë ata që shiten për bukë e për pare, ama nga biseda e mikeshave nuk ishte e vështirë të kuptoje se mund të bëhen shumë dhe ata që mendojnë ashtu siç mendon tashmë vajza në fjalë, mjafton mos ta marrin lehtë kur iu flitet “johijshëm” për të parën herë, mjafton të mos mësohen me “zakonet” e atij apo asaj që kanë mbi krye, që i trajton si johuman për interesa të tyre, mjafton të “imponojnë” ata vetë zakonin e tyre, atë të reagimit e antikonformizmin, kur këtë e kërkon dinjiteti e personaliteti i secilit.

Mjafton mos të shiten për bukë e për pare, ndonëse vështirë kur mendon një vend si i yni. “Fjalë goje do thoshte dikush, a thua se është kaq e thjeshtë”. Të drejtë kanë dhe ata që mendojnë kështu, i kuptoj. I kuptoj akoma më shumë, kur jo në pak raste, has njerëz që e kanë luksin “të mos shiten për bukë e për pare”, janë të lirë nga ky drejtim, ama sërish shiten, shiten për famë, shiten për foto konferencash të rrema, shiten për udhëtime, shiten për “suksesin” e momentit.

Të rinj janë, ama zgjedhin rrugën e thjeshtë të servilizmit, të buzëqeshjes që nuk të vjen natyrshëm, te “gatitu” për pak vëmendje nga shefi apo shefja, që nesër do ia ngrijë atë buzëqeshjen e sforcuar të së djeshmes. E si të rinj nuk iu mungojnë energjitë, mund të përpiqen, të dështojnë, ama janë në kohe t’i kapërcejnë dështimet, janë në kohë të bëjnë e të jenë çka duan. Mund të ngjajë utopike, ama di se shoqërive si e jona, e keqja nuk i vjen nga utopitë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *