Një “dans” në muret e shtëpisë

Nga Luan Rama 

Sa herë e shoh këtë tablo varur nëm urin e shtëpisë ndjej një lloj gezimi nga kjo dhuratë e hershme dhe origjinale që do ta quaja :Homazh për Matisse. Artistët bëjnë homazhe për njëri tjetrin madje pikturojnë tën jëjtat subjekte siç bënte Van Gogh kur pikturonte aq ndryshe tablotë e Millet, Becon të El Grecos, Picasso e Cezanne, etj. Në vitin 1999 ajo erdhi në Paris për të hapur një ekspozitë në sallonet e ambasadës dhe shumë miq të mij francezë, miq të Shqipërisë, erdhën dhe gjetën ballë tyre një piktore mjaft origjinale dhe koloriste, me kompozime që spikasnin, një piktore që vinte nga një vend që sapo kishte dalë nga totalitarizmi dhe që në demokracinë e re vuante kaosin e viteve 1997-1998.

Më kujtohen elozhet e Norma Bosquet apo shkrimtares dhe poetes Venus Khury Ghata… Ajo e vuri re që kjo tablo më pëlqeu dhe kur ekspozita u mbyll, ajo ma dhuroi me shumë dashuri. Parisi me muzeumet dhe galeritë e panumurta që vizitoi e pushtoi shpirtin e saj dhe kthimi padyshim ishte i mbarsur me një ngazëllim piktural për të ardhmen. Dhe kuptohet gjithashtu gëzimi im.

Një dans i bukur që nga larg të kujtonte tablonë emblematike të Matisse të vitit 1910 me titullin «La Danse». Por ky dans kapur dorë për dorë, të cilin Matisse e kishte parë në kabarenë Moulin de la La Gallette, ishte gjithashtu dhe një traditë shqiptare, siç e shohim dhe në tablonë e mrekullueshme të Abdurrahim Buzës. Matisse në tablonë e tij përdor vetëm tre ngjyra: jeshilen, blunë dhe të kuqen.

Madje ngjyrat e tij janë të papërzjera, siç kanë dalë nga tubetet, disi të forta, me një kontrast të thekshëm, pasi kjo tablo u krijua në kulmin e «fovizmit». Edhe seksi i tyre është disi anonim. «Dansin» e saj Bega e ka pikturuar me një dinamikë tjetër e veçanërisht me ngjyra të tjera të cilat kanë një lloj inkadeshence, ngjyra që të kujtojnë “puantilizmin” francez e që përsëri nuk është ajo, por diçka e saj, thua se ajo është harruar aty në morinë e ngjyrave pa i vendosur në kontrast, pa i përplasur me njëra-tjetrën. Një valle, ku dy figura të tjera kanë dëshirë të hyjnë në të për të vallzuar…


Ja pra kjo tablo e piktores që ka në vetvete gjurmët e një miqësie të hershme. Kështu, në një vend intim tablotë të ngjajnë si stacione të kohës efemere për tu prehur e soditur, për të medituar gjithashtu për jetën, artin, njeriun…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *