“Ne ishim thjesht numra”- Ellis Island, zbuloni portin e emigrantëve në SHBA

Turistët nga vende të ndryshme të Europës kur vijnë në NYC, tek vizitojnë Statujën e Lirisë është e pamundur të mos qëndrojnë disa orë edhe në ishullin Ellis (Ellis Island). Dhe jo vetëm të huajt, por edhe amerikanët të ardhur nga shtete ndryshme të Amerikës. Sipas statistikave katër në dhjetë amerikanë vijnë të kërkojnë këtu emrat e gjyshërve apo stërgjyshërve të tyre.

Ellis Island, si port për emigrantët i hapi dyert e tij në vitin 1812.Të ardhurit e parë ishin kryesisht nga Evropa veriore dhe perëndimore.

Udha drejt lirisë nuk qe e lehtë për ta, madje qe e dhimbshme. Shumë u bënë viktima të grabitjes gjatë udhëtimit të gjatë dhe vdekjes nga uria. Edhe pasi mbërrinin në Ellis Island përballonin sjelljen e pagdhendur të nëpunësve të emigracionit të cilët silleshin veçanërisht keq me të varfërit pa asnjë dysh në xhep që i shikoheshin si qytetarë të klasit të tretë.

Ata ishin udhëzuar që të sëmurët me sëmundje ngjitëse, apo të verbërit, që mendohej se mund të bëheshin barrë e shoqërisë, të ekskludoheshin.
…Lufta e parë botërore shndërroi miliona njerëz në refugjatë dhe shumica e tyre vështruan me shpresë nga SHBA. Kësaj herë emigrantët iu nënshtruan një kontrolli më rigoroz se ata që kishin mbërritur më parë. Mbresat e tyre të para për Amerikën nuk qenë të kënaqeshme.

“Ne ishim thjesht numra. Mbi 5000 emigrantë arrinin çdo ditë në ishullin Ellis nga Rusia, Rumania, Polonia, Franca. Unë s’dija asnjë fjalë anglisht. Më mbajtën dy javë aty, duke pritur që dikush të dilte të firmoste për mua ndryshe do më kthenin mbrapsh’n tregonte Greta Wagner, një grua e ardhur nga Gjermania, pa njohur gjuhën, pa të holla e pa mbështetje.

Me ligjin e vitit 1924, qeveria amerikane zvogëloi kuotën e hyrjes se emigrantëve dhe gjithashtu u kërkua që emigrantët të merrnin me parë vizë nga ambasadat amerikane në vëndet e tyre. Ligji i ri parashikonte një numër të caktuar vizash për çdo muaj. Kjo shkaktoi një ethe të madhe për marrjen e vizës amerikane. Pas vitit 1924 emigracioni i ardhur përmes Ellis Island në Amerikë nuk i kaloi kurrë 190.000 vetë çdo vit.
Gjatë periudhës së Depresionit të Madh, (vitet ‘30) më shumë emigrantë ikën nga Amerika se sa erdhën.
Në vitin 1940, me tensionin botëror në rritje, kongresi amerikan u shqetësua se emigrantët e ardhur nga Evropa mund të paraqisnin rrezik për sigurinë në vënd. Si rezultat Shërbimi i Emigracionit kaloi nga Departamenti i punës në atë të Drejtësisë, i cili u bë përgjegjës për Ellis Island,- ishullin e mbërritjes së emigrantëve,.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky ishull u përdor më shumë për të ndaluar armiqtë e Amerikës, për verifikim dokumentash.
Në vitin 50, sipas një ligji të ri, u kërkua deportimi i çdo anëtari të organizatave komuniste. Njerëzit e ndaluar nën këtë ligj deportoheshin nga ishulli Ellis.
Disa vite më pas u poq mendimi që ishulli Ellis tashmë e kishte kryer qëllimin e tij dhe duhej mbyllur si stacion emigrantësh. Në 12 nëntor 1954, gazeta “New York Times” lajmëronte se portit të emigrantëve në Nju Jork i kishte ardhur fundi. Emigranti i fundit që shkeli në ishull qe një norvegjez.
Në 1965 presidenti Lindon Xhonson e deklaroi Ellis Island monument nacional dhe e quajti pjesë të Statujës të Lirisë.

(Albana Lifschin- shkëputur me shkurtime nga libri  “Udhëtim në historinë e Amerikës” bot. 2003/ribot. 2006/2010)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *