Marubi një vjeç, rrugina që u bë udhë drejt botës

Një vit më parë u përurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, sipas kushteve e kërkesave moderne të kohës.

Një vit më pas ngjarjet e shënuara prej tij, janë disa.

Me rastin e një vjetorit, sjellim këtu një shënim të muzeut që për ne përbën një rruginë që u bë udhë drejt botës.

 

MARUBI NJË VJEÇ

Si sot para një viti, Dita e Europës në Shkodër shënoi hapjen e Muzeut të parë të Fotografisë në Shqipëri, të njërit prej thesareve më të çmuar të kulturës shqiptare e pse jo, europiane. Të kudondodhur e gjithëpërfshirës, Dinastia na la në trashëgim një dokumentim të rëndësishëm historik dhe artistik të më se një shekulli që përmes fotografive ndërton historinë e Shqipërisë, ngjarjeve, momenteve, personazheve të njohura dhe anonimë.

Ky vit i parë i punës ka qenë për ne një hulumtim i përditshëm, një mundësi për tu njohur e për t’ju njohur më mirë me pasurinë e fondit arkivor, një shans për t’ju prezantuar kuratorë të ndryshëm, secili prej tyre me një vështrim të veçantë mbi arkivën, një hapje për komunitetin që identifikohet me Marubin si një nga krenaritë më të mëdha të çdo kohe, një takim me më të vegjëlit të cilëve muzeu i paraqitet si një hapësirë rikreative ku të mund të kalojnë kohë duke mësuar, por kryesisht duke u argëtuar.

Një ndër vlerësimet më të mëdha të Muzeut në këtë vit të parë ishte edhe nominimi në European Museum Year Award EMYA 2017 ku Muzeu Marubi u përzgjodh në 46 muzetë më të mirë të hapur në Europë pesë vitit e fundit.Një vlerësim i tillë për ne nuk është gjë tjetër veçse një shtysë për të punuar më shumë e për të qënë më aktivë në rritjen e cilësisë publike që impakti i një muzeu duhet të ketë në komunitetin ku vepron.

Për këtë, ne sot dëshirojmë të falenderojmë ato partnerë, kolegë dhe miq që e bënë të mundur një ëndërr të tillë për qytetin e Shkodrës e jo vetëm, si dhe të gjithë ata që ecën bashkë me ne në këtë vit të parë.

Ministria e Kulturës si mbështetësi kryesor i programeve të ndryshme të Muzeut Marubi

Albanian American Development Fund The_AADF që mundësoi një shtëpi të re e dinjitoze ku të ruhet e të promovohet thesari i tij.

Studion e arkitekturës Casanova + Hernandez për ndërthurjen e arkitekturës së vjetër me atë moderne duke shndërruar hapësirat muzeale më të interesante në vend.

Kuratorët, studjuesit, folësit në bisedat e ndryshme që dhanë kontributin e tyre që sollën në vëmendje aspekte të ndryshme të punës së tyre së fotografëve dhe gjurmët e lëna prej tyre.

Shkollat e qytetit që u bënë pjesë aktive e workshopeve mujore të organizuara nga Muzeu për ciklet e ndryshme të edukimit.

Mediat shqiptare dhe të huaja që na ndihmojnë në punën e promovimit të Muzeut duke ia përcjellur trashëgiminë tonë publikëve të ndryshëm.

Stafin e muzeut për pasionin, përkushtimin dhe kujdesin për çdo aspekt të punës në muze.

Të fundit, por vetëm nga rreshtimi, miqtë e Marubit, një komunitet çdo ditë në rritje që na ndjek, na vlerëson e që në një farë mënyrë është edhe “shpirti lëvizës” i muzeut.

Për ne kjo datë nuk shënon vetëm vitin e parë të punës, por edhe ditëlindjen e të fundit të Dinastisë, Gegë Marubit, mjeshtrit dhe arkivistit, një pararendës i punës muzeale, falë përkushtimit të të cilit, për ne arkiva është një libër i hapur, me akoma shumë faqe për të lexuar.

Një falenderim edhe njëherë për të gjithë ju miq të vjetër e të rinj.
Të mirëpritur kurdoherë në muze ☺

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *