“Made in Albania”, një klithmë e dëshpëruar për art

Nga Jonida Hitoveizi
Kur pashë në skenë shfaqjen “Mallkimi i Fukarenjve” mendova të shkruaja diçka mbi mungesën e veprave shqiptare, sidomos në teatër, për probleme sociale që po i përjetojmë si shoqëri prej 25 vitesh tranzicioni. Ka plot histori, familjare, fshatare e qytetare, pa fund drama dhe tragjedi shqiptarësh, të cilat një penë e mençur do i sillte hijshëm në skenë. Një javë më pas shkova të shoh shfaqjen “Made in Albania”, një dramë nga Stefan Çapaliku me regji të Altin Bashës.

Duhet të theksoj se nuk do mundem të përçoj kurrë me fjalë, ndjesitë që përjetova, ashtu siç vepra e sjellë në teatër me zor se përcillte emocionin që duhet të përçojë një dramë tek publiku.
Shfaqja nis me një shpjegim mbi karnevalet(karne-vale/ mish ik) nga pronari i një biznesi fason në Shqipëri dhe teksa ai fliste, skena plotësohej me gratë punëtore me maska në fytyrë dhe veshje të bardha. Ishin gratë që qepnin stampa/rroba që prodhohen në Shqipëri e më pas dërgohen për t’u shitur jashtë shtetit. Pasi lajmëron për një orë punë më pak (meqë ishte festë karnevalesh), pronari ikën dhe gratë nisin punën. Një grua më tej nis ulëret “Ishaaa në polici o graaaaaa, aaahh, uuuuhhh” (por ne s’e marrim vesh pse ishte në polici). Pastaj po e njëjta vajzë ulëret dhe gati përleshet me shoqet pse është beqare pa burrë.

Një tjetër grua pritet të lindë, një tjetër ka babain sëmurë, një grua flet për shtëpinë që ka dhënë me qera. Shumicën e kohës ka të bërtitura dhe timbër shurdhues nga aktoret. Pastaj ia beh një gazetare, modelin e së cilës nuk e dimë ku është gjetur, po me siguri nuk do jetë modeli prej nga është informuar për lajmet që kanë ndodhur në vend, të cilat autori  i ka sjellë në vepër. Gazetarja shfaqet gati në kufijtë e idiotizmit përzierë me sjellje anormale, mendjelehtë, teksa futet “dhunshëm” në ambjentin e fabrikës dhe nis e interviston një nga gratë që tregon përdhunimet e plakave në një fshat ( historia e përdhunimeve të disa të moshuarave bërë publike kohë më parë në vend).

Pasi dërdëllit me ca gjeste të ekzagjeruara, gazetarja shkon dhe flirton e më pas argëtohet (seksualisht) me pronarin e biznesit fason. Pas një tangoje që çifti na dhuron dhe pasi del një problem etiketash ku nuk duhej shkruar “Made in Albania” në rrobat e karabinierëve italianë, zëvendësdrejtori gati i ha të gjalla gratë, por ato shpëtojnë pasi vjen një porosi e re. Në çast, dëgjohen krisma plumbash. Dy meshkuj veshur me të zeza, që ikin me në një motorr të zi, që nxjerrin një pistoletë të zezë, qëllojnë pronarin e biznesit. Ai vdes dhe bëhet lajm, flasin analistët në televizor ( si histori e dëgjuar?) . Gratë çoroditen. Del në skenë prapë gazetarja edhe më e pakuptueshme këtë here, që s’di çfarë të bëjë dhe çirret edhe më, aq sa zëri i saj nis të të bezdisë vërtetë.

Këtu ka dhe një ndërhyrje nga një episod që ndodh në “Big Brother Albania”, për të treguar se televizionet më të mëdha nuk merren me vrasjen, por me shoun.  (edhe kjo një tjetër ndërhyrje e sjellë keq në skenë). Pas këtyre shfaqet shefi i ri dhe u jep grave të qepin ferexhe. Një tjetër monolog mbi ferexhenë me përsëritje të të njëjtave fjali, që nuk kuptohet se ku të çon e gjitha kjo. Gratë futen brenda copës së zezë. Pastaj konspiracione se kush e vrau pronarin. Pastaj një festë. Njëra nga punonjëset, 16 vjeçe ka ditëlindjen. Mblidhen të gjitha gratë me shefin e ri. I zhysin kokën në tortë adoleshentes teksa të gjithë dalin në skenëe me veshje karnavalesh. Ajo ulëret, bërtet, qan e qesh, pastaj një monolog dhe ikën. Gra me 100 halle që vetëm ngrenë zërin pa fund dhe nuk thonë asgjë. Skenat që ndjekin njëra-tjetrën jo gjithnjë janë të qarta, ashtu siç mbetet i tillë edhe shpërthimi i më së voglës në festën e ditëlindjes kur vdes pronari. Duhet shtuar që personazhi i interpretuar nga Luftar Paja qëndronte dhe përcillej mirë: spiuni e servili i kudogjendur i shefit, që bën edhe çka nuk i kërkohet; ashtu siç mirë qëndronte edhe personazhi i Zyliha Milotit- një grua në moshë që punon në biznesin fason. Deri diku edhe personazhi i Shegushe Bebetit vjen mirë para publikut, ndërsa pjesa tjetër janë një kakofoni çjerrjesh, që nuk të mbajnë dot në teatër. Nuk prita dot të duartrokitja në fund të shfaqjes. Disa spektatorë u çuan më herët; 2- 3 syresh. U çova pas tyre. Teksa ia kishte nisur një shi i lehtë jashtë pata veç një mendim. Sikur 4 shqiptarë të thjeshtë që rrinë bashkë në një tavolinë, t’i marrësh dhe t’i ngjitësh në skenë, beosj se do të emocionojnë më shumë me historitë e tyre, sesa kjo vepër, kjo vënie në skenë, ky teatër, i cili nuk pati kurrkund një gjuhë shpirti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *