Ovidi Montljor
E dashur Antonia
Të shkruaj që këndej
Shumë larg prej shtëpisë
Shiu qull ngadalë
qelqet e papastra
të barit të huaj,
ku unë rri e pres
një gotë me verë
dhe një copë gënjeshtër.
Tjetër s’kam se ç’bëj.
Ti e di, me gënjeshtra
i bëj qejfin vetes
dhe vazhdoj rroj,
dhe vazhdoj të pres,
dhe vazhdoj të dua.
Po të nis paratë ashtu si çdo muaj.
Hë për he s’ka shtesë,
po mos u mërzit.
Mbajta pak per vete,
sa të ble një pallto: pa trupin tënd
dimri ështe më i ashpër.
Thonë të më kalojnë
në nje sektor më të mirë
dhe, në dashtë Zoti,
do të gjejmë shtëpi
të vish ti e çupa.
Shoku i dhomës sime
është sëmurë nga gripi,
po sikur…sa zi…
dimër gjithsesi.
Ka me se një javë
që pres letrën tënde.
Mos jeni sëmurë?
Ta dish ç’më merr malli
kaq larg prej shtëpisë!
Mot ndoshta do mundim
të blemë nje makinë
(e pse mos ta blemë?)
dhe çupës ti gjejmë
një shkollë pa pagesë
dhe para të kemi
sa për te mos qarë.
Natyrisht, të gjitha,
e di, larg shtëpisë.
Ja që as me verën
që kam vënë përpara
s’u harroka aq lehtë…
Bie shi, Antonia.
Nesër është e diel
dhe s’do të dalim bashkë
nëpër shesh të fshatit.
Të fala.
Të puth.
Me shkruaj më shpesh.
Përktheu Aurel Plasari