17-vjeçarja siriane, nga kampet e luftës në një femër frymëzuese

Studentja 17-vjeçare siriane dhe familja e saj ikën nga kampet e luftës për refugjatët për tu vendosur në Newcastle vitin e kaluar. Një vit më pas, ajo është angazhuar nëpër fushata për arsimimin e vajzave. Për “The Guardian” ajo ka treguar takimin më Malalan dhe pse një ditë do të kthehet sërish në Siri.
Në vitin 2013, ajo dhe familja e saj ikën nga qyteti i Daraas në jug të Sirisë.

Kaluan kufirin me Jordaninë në mesnatë dhe u vendosën në Zaatari, në njërin nga kampet më të mëdhenj të refugjatëve. Ndërsa Muzoon filloi shkollën, familja u detyrua të lëvizte sërish drejt Azraq, një tjetër kamp i ndërtuar në mes të asgjësë, ku jetonin 100,000 njerëz.

Anëtarët e familjes u pyetën nëse mund të përballonin një jetë të re në Kanada, por babai 45-vjeçar Rakan tha se Kanadaja ishte shumë larg. Kur u pyet për në Suedi, ai tha se fëmijët nuk dinë gjuhën. Familja Almellehans e gjeti veten në New Castle, në Britaninë e Sheksipirit. “Shumë prej gjërave për të cilat kishim nevojë, ishin në shtëpi kur ne erdhëm. Qeveria, duke e ditur se kemi jetuar në luftë, është përpjekur në një farë mënyre të na japë çfarë kemi humbur. Frigoriferi ishte plot, filxhanët të mbushur me çaj, kafe, sheqer e çdo gjë thelbësore”, ka treguar Muzoon.

Në fillim çdo gjë ishte e vështirë, edhe vetë gjuha që ajo kishte mësuar në Siri, nuk ngjante me anglishten që flitej aty. Por shkolla ku mëson, ka moton “të ndryshëm, por të barabartë”.
Muzoon  është quajtur nga CNN “Malala e Sirisë” për punën e saj në inkurajimin e vajzave të tjera në kampet e refugjatëve dhe nxitjen e tyre për arsimim.
Martesat e hershme janë arsyeja kryesore pse vajzat e lënë shkollën”, thotë Muzoon. Ajo e ka takuar Malala Yousafzai në Azraq. Janë bërë aq të afërta sa Malala, fituese e çmimit ‘Nobel” për Paqe, e që jeton në Birmingham, e ka vizituar Muzoon në Newcastle.

“Ka qenë momenti më i lumtur në jetën time, kur mësova se Muzoon kishte mbërritur këtu, sepse e mbaja mend në kampin e refugjatëve dhe më kujtohej situata në të cilën jetonte”, ka thënë Malala për BBC. “Tani mund të punojmë së bashku”.

“Kam takuar shumë vajza në kampe ambicia më e madhe e të cilave ishte të martoheshin. Do thosha se është mirë të martohesh e të kesh fëmijë, por gjëja më e rëndësishme në jetë është të kesh një shkollim të mirë. Vajzat në kulturën time martohen shumë të reja, por jo të gjitha marrëdhëniet funksionojnë. Nëse martesa nuk shkon mirë, arsimimi është një armë që të ndihmon të ikësh. Nëse nuk ke arsimim, atëherë asgjë nuk mund të të mbrojë”, – thotë e reja siriane.
Muzoon do të rrijë në Britani për pesë vite, e më pas mund të aplikojë për rezidencë. Por ajo shpreson të kthehet në atdhe pasi të shkollohet dhe te diplomohet në gazetari. “Dua të kthehem të rindërtoj Sirinë. Atje do të ketë nevojë për doktorë, inxhinierë, jurist dhe gazetarë që kjo të ndodhë, e jo për njerëz injorantë që kanë vetëm shpresën”.(Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *