Kumtmadhi Tom Kuka ( një shënim nga Ferdinand Dervishi)

Më parë më ishte ngulitur Tom Kuka. Shkrimtar. E mendoja refugjat, mundshëm në Itali. Vonë mësova se pas Tom Kukës fshihej, germë për germë, kolegu Kel Demi. Pastaj erdhi “Flama”, një nga librat e tij kurnacë, por që në fundin e 110 faqeve më ndërseu dëshirën për ta rilexuar.
Një shekull më parë, një kryeqytet, që duhet të ketë qenë joni, përfshihet nga flama, që duhet të ketë qenë murtaja. Zezoma gufohet mbi banesat si ombrellë. Gjithçka që rreh flatra largohet, edhe retë. Të shpërthyer nga fundi i dheut, minjtë shfaqin një perandori të pathyeshme. Nëpër rrugë qarkullon një karrocë, ajo që mbledh kufomat. E drejton vetë Tom Kuka.
Papritmas, mes zezomës, nis të shquhet ajo nyja ky nis burimin qelbi, shpirti i së keqes. Një qenie e mbinatyrshme ther në fyt gratë që lexonin të ardhmen. Di Hima, polic, që kishte mbaruar studimet në Vjenë, nis hetimin.
Rrugës has një tip që do të bënte xhelozë edhe më të zotët e letërsisë shqipe dhe jo vetëm. Ishte mbledhësi i kumteve. Edhe pse ja ngatërronte lajmet një i krisur që lexonte gazetën me zë të lartë në majë të kalasë së Krujës, personazhi Kumtmadh do të mjaftonte të kthente Tom Kukën, nga mbledhës kufomash, në mbledhës meritash…
Ndjesë Kel Demit që nuk e kam lexuar më parë!
Pa asnjë grimë mëdyshje, pas Kadaresë, është autori shqiptar që, përmes një fantazie marrake, më ka troshitur më tepër.
Shumë suksese koleg!, – është statusi që dedikon në Facebook gazetari i njohur Ferdinand Dervishi për librin Flama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *