Kumbaro: Gjirokastra të shfrytëzojë markën UNESCO, 12 vjet në mbrojtje

Më 15 korrik, në ambientet e Kalasë së Gjirokastrës u prezantua përfundimi i projektit për riorganizimin e hapësirës së blertë ku ishin të ekspozuar topat e periudhës OTOMANE si dhe riekspozimi i këtyre të fundit  në të tjera kushte estetike, më cilësore dhe në përshtatje me kohën dhe tipin e këtij lloj armatimi. Projekti u realizua në bashkëpunim me Korpusin e paqes dhe CHwB Albania. Ky projekt  përkon edhe me 12-vjetorin, ditën e përfshirjes së qytetit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Kate Becker, drejtoresha e  CHwB Albania, znj. Lejla Hadžić, kryetari i Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, z. Armand  Hilaj, kandidatja për deputete, znj. Artemisa Dralo, ekspertë të trashëgimisë dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i DRKK-së, Gjirokastër, Albert  Kasi  vlerësoi bashkëpunimin me Korpusin e Paqes dhe Trashëgiminë Kulturore Pa Kufij, duke besuar se vetëm në bashkëpunime të tilla mund të realizojmë projekte që do të rrisin vlerat e artifakteve të kalasë dhe magjinë e saj.

Në fjalën e saj, znj.Kumbaro u shpreh se “Gjirokastra duhet të shfrytëzojë markën si qytet i mbrojtur i UNESCO-s.  Gjirokastra nuk mund të ketë tjetër mundësi zhvillimi , përveçse kombinimit të potencialit të trashëgimisë kulturore me potencialin ekonomik të zhvillimit. Sot që flasim kemi arritur në numrin e 22 mijë vizitorëve në kala, rreth 3000 vizitorë më shumë, krahasuar me një vit më parë”.

Gjirokastra është kthyer tashmë në një kantier ndërtimi, me synimin të kthehet në kryeqendër të turizmit. Vetëm një javë më parë Sesioni 41-t i Komitetit të Trashëgimisë Botërore miratoi pa vërejtje progres-raportin e paraqitur nga Qeveria shqiptare për Qendrat Historike Berat e Gjirokastër.

“Ne nuk shohim prapa, as nuk ngurrojmë të ecim përpara. Me sytë drejtuar të ardhmes ne mbartim thesarin e çmuar të këtij qyteti, duke e kthyer  në një model të qytetit unikal që sjell ekonomi të qëndrueshme dhe ua premtojmë gjeneratave pasardhëse”- u shpreh Kumbaro.

Shteti shqiptar ka ndërhyrë në një numër të konsiderueshëm objektesh në Gjirokastër dhe në Berat,  si dhe ka ngritur disa  operacione financiare me vlerë të lartë siç është projekti i restaurimit të Qafës së Pazarit me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, i cili kap shifrën e rreth 3 milion eurove,  marrëveshja me Bankën Botërore për Beratin dhe Gjirokastrën.

Imazhi i ri turistik i Gjirokastrës  do të rritet me rikonstruksionin e fasadave të godinave në pjesën e poshtme të qytetit.  Ky projekt është një bashkëpunim i qeverisë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, në vlerën e rreth 200 milion lekëve. Ai synon rehabilitimin e fasadave të 140 godinave të ndërtuara përpara viteve 90-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *