Kujtimet e Lasgushit për Ditën e Flamurit në Bukuresht

Flamuri i Kollonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qindisur rreth e përqark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa – njëra e kuqe, tjetra e zezë – të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh”.
Lasgush Poradeci në një fragment nga botimi “Himni Kombëtar ‘Flamurit pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij” kujtonte se si festohej në Bukuresht Festa e Flamurit. Ai kujtonte se “ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë”.

Rrëfimi
Festa më e madhe e Kollonisë dhe e kishës shqipe të Bukureshtit ish 28 Nëntori: Dita e flamurit dhe Shën-Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit.
Këto kremtime bëheshin me bujën dhe me madhështinë më të madhe, duke u ftuar në Seli të Kollonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vendit, me mbretin në krye të të gjithëve; ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.
Kisha qe e mbushur përplot dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vendit jashtë në oborr, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në oborr, më të djathtën e hyrjes kryesore të kishës, qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamurët e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur.
Flamuri i Kollonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qindisur rreth-e-për-qark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa- njëra e kuqe, tjetra e zezë- të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përhera dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili burrërisht me rrobet e tyre kombëtare.
Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës në festat më të mëdha të saj – 28 Nëntor dhe Shën-Gjergj-, përbrenda ajo çkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte nër zemra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *