Kisha e Shën Mërisë në Përmet gati për sezonin e ri turistik

Monumentet kulturore në vendin tonë po marrin çdo ditë e më shumë vëmendjen e institucioneve përkatëse, për të qenë sa më të denja për të pritur turistët vendas dhe të huaj pikërisht në këtë periudhë që fillon dhe sezoni turistik.

Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Përmet, prej disa muajsh po i nënshtrohet një restaurimi të plotë, që ka si synim kthimin e këtij fshati në një destinacion të domosdoshëm turistik.

Në këtë kishë me vlera të mëdha historike dhe kulturore ka përfunduar përforcimi i themeleve dhe drenazhimi i tyre, janë restauruar të çarat e mureve të jashtme të kishës, është shtruar me pllaka guri oborri përreth kishës dhe riparimi i hajatit të saj.

Së shpejti fillon dhe restaurimi i pjesës së brendëshme të kishës me meremetimin e suvave anësore, të dyshemesë para ikonostasit si dhe të qemerëve nga të dyja anët e kupolës.

Kisha e Shën Mërisë në Bënjë të Përmetit, e ndërtuar mes viteve 1789 dhe 1891 është objekt me vlera të veçanta, shpallur monument kulture në vitin 1970. Kjo kishë ka planimetri drejtkëndore dhe tre nefe.

Nga ana perëndimore është vendosur narteksi dhe nga ana lindore absida. Hyrjet nga perëndimi dhe jugu mbulohen me portik të mbështetur mbi kolona. Nga analizat nuk paraqitet prezenca e pikturave murale.

Në vitin 1967 u mbyll nga regjimi komunist dhe u rihap në korrik 1991. Në datë 21 Nëntor, kjo kishë pret pelegrinët e luginës, që festojnë ditën e ‘Shën Mërisë së Bënjës’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *