Këngët e vendit tim, rrjedhin në ligjërime

Këngëtarja dhe mësimdhënësja Besa Morina na sjell listën e saj muzikore, në të cilën gjejmë këngë të paharruara në antologjinë e muzikës shqipe. Këtu përfshihen këngët “O vendi im”, “Moj e bukura More”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”,“Valsi i lumturisë”, e këngë të tjera. Ajo ishte këtë javë në rubrikën e gazetës “Zëri” të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”
Këtij rrëfimi muzikor nuk i mungojnë as hitet e muzikës ndërkombëtare. “I Just Called To Say I Love You” e “We Don’t Need Another Hero” janë këngët e huaja që Morina i veçon.

“Vendi im”
Një këngë epike me një motiv të pasur atdhetar dhe një dashuri përkëledhëse ndaj atdheut, ndaj bukurive natyrore dhe mallëngjimit për të shijuar jetën, bukurit e vendit të lindjes e ngrohtësisë familjare dhe rrethin e gjerë të saj. Këngë kurbeti dhe këngë mallëngjimi për vendin dhe familjen, dashurin për prindërit si dhe të afërmit.

Kënga e vjetër 600 vjeçare – “Moj bukura More”

Gjithashtu është një këngë kurbeti, largimi i më të afërmeve nga atdheu, vendlindja duke përçuar mesazhin e mos largimit. Kjo këngë më ka bërë përshtypje jo vetëm mua por të gjithë shqiptarët ku tash e me shekuj vazhdohet të jetohet me tingujt e ëmbël të muzikës së lehtë dhe me një tekst të përkryer të shkruar shumë shekuj më parë. Kjo këngë është pasqyrim, dhimbje kombëtare, familjare e nënave dhe baballarëve të largimit të të rinjve nga vendi pa dëshirën e tyre.

“Rrjedh në këngë e ligjërime”

Është përshkrim për Shqipërinë ashtu siç është dhe si duhet për të bërë një atdhe më të mirë, më të dashur me një bashkim shpirtëror kombëtar.

“Valsi i lumturisë”

Valsi është shpresë për një të ardhme të ndritshme që bashkon dhe nuk ndan e përçon gëzimin dhe lumturinë.

Nexhmije Pagarusha – “Baresha”

Një këngë e bukur me motive të dashurisë rinore, një këngë mbresëlënëse për gjenerata të tëra. Kjo këngë për mua ishte një motivacion për ta dashtë atë që ofron jeta të madhërishmen, më të bukurën dhe të shenjtën dashurin njerëzore që është virtyti më i lartë njerëzor dhe një idil magjeps e përshkruar në vargjet e kësaj kënge. Këngëtarja Nexhmije Pagarusha mbetet këngëtarja më madhështore me një zë të bukur hyjnor dhe këngëtarja më e mirë shqiptare.

“E dehur jam”

Për mua tregon fuqinë e dashurisë, vuajtjet, zemërimin, krenarin dhe dinjitetin njerëzor edhe pse herë duket e ithët e herë hyjnore, njeriu atë që ka në këtë jetë është dashuria dhe kujtimi. Kjo këngë pasqyron fuqinë e dashurisë të lidhur për ekzistencën njerëzore dhe të bukurën. Këtë këngë e kisha lidhur për një thënie të vjetër greke dashuria dhe arsyet.

“Male o ju male”

Një këngë e bukur e kënduar nga një këngëtar dhe profesor i mrekullueshëm që ka lënë gjurmë të pashlyera tek të gjitha gjeneratat, një këngë me një pasqyrim të jetës së rëndë të të rinjve të cilët për arsye sociale dhe ekonomike janë detyruar të lënë pas ëndërrta rinore, familjen e dashurinë e jetës.

“We Don’t Need Another Hero”

E kënduar nga Tina Turner që përçon mesazhin për jetë më të mirë pa dhunë dhe për paqe anekënd globit njerëzor, një mesazh i fuqishëm që të mbizotëroj dashuria e jo dhuna, lufta dhe e keqja.

“I Just Called To Say I Love You”

E kënduar nga Stevie Wonder një këngëtar i mrekullueshëm që fuqinë e vet njerëzore e shpreh përmes këngës së tij me një tekst të mrekullueshëm dhe me një këndim të shkëlqyeshëm pasqyron botën shpirtërore edhe kur dikush ju mungon e s’mund ta keni pranë mjafton që së paku të iu merr në telefon për të iu treguar atë më të rëndësishmen e jetës ndjenjën e dashurisë për juve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *