Kambanat e rralla të 1400-ës, ja ku ruhen

Dy kambana të kohës së Skëndërbeut ruajtur plot lavd, sot shfaqen në një muze modest e kaq të bukur pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës.

Dëshmi e mbijetesës së kujtesës në këtë tokë, njëra e vitit 1457 dhe tjetra e vitit 1462.

Muzeu Dioqezan lind nga nevoja për të mbledhur, për të ruajtur dhe për ta bërë të disponueshme trashëgiminë historike në lidhje me fenë dhe kulturën e popullit shqiptar, që i referohet në mënyrë të veçantë zonës territoriale që bën pjesë në Arqidioqezën Shkodër-Pult.

Veriu i Shqipërisë, ku historikisht tradita katolike është më e fortë sesa në të gjithë pjesën tjetër të Vendit është dëshmitar dhe ruajtës i një feje që i ka rrënjët thellë në vetë zanafillën e krishterimit të epokës apostolike. Një fe që është kundërshtuar shpesh, në përpjeke për ta shuar me çdo mënyrë zjarrin e saj, zjarr që, megjithatë, ka shpërthyer përsëri nga hiri nën të cilin kishte qenë i detyruar të qëndronte.

“Të kujtosh” nuk është vetëm të mos harrosh, por edhe të kesh përsëri vetëdijen e identitetit që na përcakton në të tashmen, duke na lejuar të hedhim bazat për të ardhmen.

Në këtë kuptim, Muzeu Dioqezan nuk është vetëm një veprim për të mbrojtur dhe vlerësuar dëshmitë materiale dhe jo materiale që i përkasin historisë sonë, por një veprim kulturor që synon ta bëjë vizitorin të takohet me një realitet pasojat e të cilit janë ende të dukshme në të tashmen, për të kuptuar vlerën dhe rëndësisnë e tij që kapërcejnë planin e njohjes së thjeshtë dhe bëjnë të hysh në atë të dijes: dashuria për jetën, shija e të mirës dhe e të bukurës, hovi shpirtëror.

Duke u nisur nga kjo vetëdije, intuita zanafillore, që kishte çuar në mbledhjen e sendeve të gjetura dhe që synonte ruajtjen dhe ekspozimin e tyre, i ka hapur rrugën një reflektimi më të thelluar që e ka vënë grupin e projektit në kushtet për të mos qenë më “guidë” e përgatitjes së ekspozimit, por të lejojë të udhëhiqet nga sendet e gjetura që, nga vetvetja, komunikonin një histori (shumë histori në të vërtetë) dhe paraqiteshin me qartësi dhe konsekuencë të mahnitshme.

Itinerari muzeal, në një ballafaqim me paraqitjet në koleksion – vepra arti, sende kishtare, sende përdorimi dhe devocioni personal, fragmente dhe dokumente, dëshmi – në fund ka rezultuar i qartë dhe i ofrohet këtu vëmendjes suaj. Ai parasheh një ecuri tregimtare sipas seksioneve tematike, të shoqëruar nga një vijë e kohës dhe të organizuar në dy bërthama kryesore: VENDE DHE SHENJA NË KOHË (kati përdhes) dhe ZËRA, FYTYRA, DËSHMI NË KOHË (kati parë).

Domethënës është edhe vendi brenda të cilit Muzeu Dioqezan gjen vendosjen e tij, i lidhur ngushtë me kishën Katedrale, në anën e jugut dhe poshtë kambanares madhështore. Katedralja që e përfshin atë është pjesë përbërëse e tregimit të Muzeut dhe pjesë e historisë që i bashkon të gjitha sendet e gjetura. Nga ana tjetër, Muzeu dhe hapësirat e Katedrales, objekt i ndërhyrjeve të kohëve të fundit për përmirësimin dhe rinovimin funksional, përbëjnë në tërësi një projekt të integruar mes dy realiteteve që plotësojnë njëri-tjetrin.

Ndërkaq, një element nga i cili priret Muzeu është lidhja e ngushtë me territorin dioqezan dhe vendet kulturore të pranishme në të, të rikujtuara në itinerar në shumë pika, në mënyrë që të bëhen njëkohësisht etapë dhe nyjë e një itinerari më të gjerë, për të ndërtuar, idealisht dhe në kohë, një rrjet në territor.

Muzeu Dioqezan është realizuar, pra, me kritere shkencore dhe mundësi përfitimi, si për të garantuar korrektësinë historike të asaj që është treguar, si ngaqë përgatitja e ekspozimit hyn në mes të tregimit nëpërmjet mjeteve të ndryshme, duke e bërë atë sa më të kuptueshëm që të jetë e mundur për vizitorin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *