Jetët e pambaruara të Romeos dhe Zhulietës boshnjake

 

Gordana Sandiq – Haxhihasanoviq, shërbimi i Ballkanit
Historia e Boshko Bërkiqit dhe Admira Ismiqit ka përfunduar me breshëri plumbash mbi një urë të Sarajevës, pasditen e 19 majit, 1993.
Boshko, serb, 24 vjeç, ka humbur jetën menjëherë. Admira, e dashura e tij myslimane, është plagosur fatalisht. Njëzetepesëvjeçarja është zvarritur deri te Boshko dhe pas dhjetë minutash ka vdekur mbi të.

Një dëshmitar ka përshkruar skenën disa vite më parë:
“Vajza mbante një çantë… Vraponin dorë për dore. Dukej sikur ajo vallëzonte. Papritmas, kam dëgjuar të shtëna pushkësh. Ata kanë rënë në tokë, duke përqafuar njëri-tjetrin”.
Trupat kanë mbetur në tokën e askujt të Sarajevës së rrethuar për afro katër ditë, derisa forcat serbe, që mbanin të rrethuar qytetin, kanë dërguar disa të burgosur myslimanë t’i merrnin ata.

Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit, gjatë të cilit çifti i dashuruar ka bërë përpjekje t’i ikë rrethimit. Asnjë konkluzion përfundimtar nuk është arritur kurrë. Historia ka përshkuar botën me raportimin e korrespondentit të agjencisë Reuters, Kurt Schork. [LINK:http://www.ksmemorial.com/romeo.htm].

Për miliona njerëz në botë, kjo formë moderne e “Romeo dhe Zhulietës”, një dashurie të shkatërruar nga urrejtja që e rrethonte, vinte në pah tragjedinë e shkatërrimit të Sarajevës.
Njëzet vjet më vonë, rok-bendi i Jugosllavisë së dikurshme “Zabranjeno pushenje”, ka publikuar një këngë të re, të quajtur “Boshko dhe Admira” – një këngë e mbushur me trishtim dhe shpresa të thyera.

“Ditë të këqija përreth tyre, ata nuk kishin ndonjë shans…
Por, kohët e vështira sjellin gjithmonë romancë të bukur…
Ata nuk kishin të njëjtin Zot…
Por, kishin njëri-tjetrin dhe një ëndërr për t’u larguar”,
thonë disa nga vargjet e këngës.
Njeriu kryesor i bendit, Davor Suçiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se historia e Boshkos dhe Admirës vazhdon të jetë e rëndësishme për Bosnjën.
“Është histori e njohur e Sarajevës, për Romeon dhe Zhulietën e Sarajevës, për Boshkon dhe Admirën, dy të rinj të vrarë në luftë, të cilët kanë bërë përpjekje të gjejnë një vend për dashurinë dhe lirinë e tyre. Është një histori simbolike, shumë e rëndësishme madje edhe sot. Pas kaq shumë vjetësh paqe, ne vazhdojmë të kërkojmë dashurinë dhe lirinë në këtë vend. Në këtë histori, shoh shumë gjëra të përbashkëta me jetën sot”, thotë Suçiq.

Sot, kryeqyteti boshnjak i ngjan pak Sarajevës së shkatërruar të vitit 1993, por vazhdon të mbetet larg qytetit të qeshur, i cili më 1984 ka organizuar Lojërat Olimpike Dimërore.
Babai i Admirës edhe sot zihet me forcat, që, siç thotë ai, i kanë marrë vajzën, qytetin dhe vendin.
“Lufta ka ndërhyrë në dashuri – ky është problemi. Në situata të tilla, ligjet e dashurisë nuk ekzistojnë… vetëm ato të luftës”, thotë Zijo Ismiq.
Nëna e Boshkos, Rada Bërkiq, ka lënë Sarajevën gjatë kohës së luftës dhe nuk është kthyer më kurrë, duke mos mundur të përballet me rrugët dhe lagjet, ku Boshko dhe Admira kanë jetuar dhe janë dashur.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përpiqet të mos mendojë shumë për faktin që vrasësit e djalit të saj nuk janë identifikuar kurrë.
“Nuk mendoj shumë për personin që i vrau. Por, nëse do ta shihja ndonjëherë, do ta pyesja: Përse e ke bërë? Kjo është e gjitha”, është shprehur Bërkiq.
Boshko dhe Admira janë varrosur në varrezat e Sarajevës, së bashku me mijëra viktima të tjera të rrethimit. Gazetari i Reutersit, Schork, i cili ka treguar historinë e tyre, është vrarë në detyrë në Sierra Leone, në vitin 2000. Gjysma e hirit të tij është varrosur pranë varreve të Boshkos dhe Admirës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *