Injorimi, një art që duhet mësuar!

Të injorosh është një nga fjalët më të vështira, por edhe më të fuqishme në jetë. Një folje që kërkon tepër karakter për ta zgjedhuar në vetën e parë. Injorimi është art! Injorimi është çelësi më i rëndësishëm që kyç dhe shkyç porta, pas së cilave shfaqen horizonte të ndryshme.

Askush nuk mund të ecë dot përpara, nëse nuk injoron disa gjëra. Askush nuk do të jetë ndonjëherë i lumtur, nëse nuk mëson të injorojë. Ne të gjithë duhet t’i largohemi njerëzve që na lëndojnë, dhimbjeve që na keqtrajtojnë, së shkuarës që duket sikur na mbyt dhe heshtjes që duket sikur na vret. Injoroji marrëdhëniet e kota, sepse do të mësohesh një ditë edhe me vetminë. Injoroji frikërat e tua dhe situatat që të vënë në siklet. Injoroje gjithçka që të duket e komplikuar.

Jeta bëhet më e bukur, nëse e di se si ta jetosh në mënyrën e duhur. Të jetosh në mënyrën e duhur do të thotë të bësh zgjedhjet e duhura në jetë dhe kjo përkthehet me përzgjedhjen e atyre gjërave që të bëjnë të lumtur. Nuk të bën të lumtur një person që nuk të respekton, as dikush që nuk të do aq sa ti e do, as diçka që nuk ka shpresa të ndryshojë. Kjo është arsyeja pse duhet të heqësh dorë nga gjëra të tillë.

Kudo mund të lexosh se lumturinë kushdo e ka në duart e veta. Kjo gjë është plotësisht e vërtetë. Nëse dëshiron të jesh i/e lumtur, atëherë bëj zgjedhjet e duhura që të çojnë drejt lumturisë. Mëso të injorosh njerëz dhe gjëra që nuk po të çojnë gjëkundi në jetën tënde dhe zgjidh ata persona dhe ato gjëra që të ndihmojnë për të arritur drejt synimeve të tua. Këtë na mëson folja “të injorosh”. Largimin nga njerëzit toksikë, nga gjërat e kota dhe përqëndrimin tek ata që na duan dhe tek gjërat që na shërbejnë për avancimin tonë. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme të injorojmë për t’u vetëpërmirësuar. Kjo është arsyeja se pse injorimi është një art që të gjithë duhet ta mësojmë… / bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *