Haruki Murakami, biri i një prifti dhe babai i një letërsie  

“Isha tridhjetë e shtatë vjeç, i ulur në njërën nga ndenjëset e avionit të stërmadh 747, që teksa zhytej përmes reve të dendura, afrohej mbi aeroportin e Hamburgut. Shirat e ftohtë të nëntorit e kishin regjur tokën dhe i kishin dhënë atmosferën gri të peizazheve flamandë gjithçkaje, ekipit që ndihmonte uljen të veshur me mushamatë e shiut, flamurit në majë të godinës së aeroportit dhe reklamës së BMV-së në tablonë e madhe. Ja pra, përsëri në Gjermani. Kur avioni u ul, nga altoparlantët e sipërm filloi të dëgjohej një muzikë e lehtë, një orkestrim i ëmbël i këngës së Bitëllsave, “Norwegian Wood” (Pylli norvegjez). Melodia e saj më shkaktonte gjithmonë një drithërimë të lehtë, por këtë herë qe më e fortë se kurrë”.

Haruki Murakami(Kioto 1949), bir i një prifti budist, e babai i një letërsie që ka bërë për vete gjithë botën, feston sot 67-vjetorin e lindjes.  Ai është autor i veprave të njohur “Kafka në breg”, “Kronika e një zogu kurdisës”, “Pylli norvegjez” apo “E dashur, Sputnik”. Steven Poole i “The Guardian” e ka cilësuar atë si një nga “shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë”. I ndikuar nga kultura perëndimore dhe ajo ruse(përfshirë ndikimin nga Kafka, Dostojevski, Gustav Flober, apo Çarls Dikens) ai filloi të shkruajë në moshën 29-vjeçare. Ai studioi për dramë në universitetin e Tokios, ku njohu edhe bashkëshorten, Yoko, që është lexuesja e kritikja e tij e parë, dhe me të cilën drejton edhe një kafene.

Fitues i tetë çmimeve të rëndësishme, ku përmendim “World Fantasy” apo “Franz Kafka”, Murakami është gjithnjë pretendent për çmimin “Nobel”. Njihet si njeri tejet i veçuar dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e rretheve letrare, dhe qëndroi larg tyre edhe pasi u bë i njohur. njëherësh shkrimtari japonez është prej atyre shkrimtarëve që jep shumë rrallë intervista e nuk e pëlqen publicitetin.

“Në mëngjes zgjohesha shumë herët dhe ulesha në tavolinën e punës”, shkruan ai mbi përvojën gjatë të shkruarit të njërit prej romaneve më të rëndësishëm të tij “Kronika e zogut kurdisës”, të botuar edhe në gjuhën shqipe nga “Scanderbeg books”. “Pastaj i përqendroja të gjitha mendimet e mia mbi romanin. Zhytesha shumë shpejt tërësisht në historinë që trajtonte. E më pas nuk mendoja më si autor, por vazhdoja të udhëtoja me të (romanin) si një zbulues apo pjesëmarrës), si një bashkudhëtar në të. Kush shkruan një roman të gjatë, herët a vonë mbërrin pa e kuptuar në një pikë të tillë. Po ta ekzagjeroja ca, mund të thoja se gjërat “fantastike” që ndodhin gjatë ‘Kronika e zogut kurdisës’, deri diku, i kam perjetuar dhe i kam parë me syte e mi gjatë kohës që e shkruaja librin.”

( Pasqyre.al)

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *