“Gazetari” i lajmeve të rreme në Facebook: Prej meje Donald Trumpi shkoi në Shtëpinë e Bardhë. Dhe ndihem keq!

Çfarë kanë të përbashkët lobi Amish, furgonët e dasmave të homoseksualëve dhe ndalimi i himnit kombëtar? Sa për fillim, janë të gjitha sajesa – dhe të shpikura nga i njëjti njeri.

Paul Horner, sipërmarrës 38-vjeçar i një perandorie të lajmeve të rreme në Facebook, e ka nxjerrë jetesën duke shpërndarë lajme të rreme, rrengje e marrina, prej disa vitesh. Ai ka bindur dy herë Internetin, se është artisti britanik i grafitit, Bansky. Ishte ai që botoi vitin e kaluar edhe lajmin e rremë të padisë Yelp kundër “South Park”, lajm i cili u përhap me shpejtësinë e erës.

Por në muajt e fundit, Horner ka zbuluar se ekosistemi i lajmeve të rreme është populluar edhe më shumë, është bërë më politik dhe me më shumë influencë: në mars, biri i Donald Trumpit, Eric, si dhe menaxheri i fushatës së tij në atë kohë, Corey Levandovski, hodhën në Tuiter linke që të shpinin në një prej artikujve të gënjeshtërt të Hornerit. Lajmet e tij janë shfaqur edhe në rubrikën e lajmeve të Google.

screen-shot-2016-11-18-at-09-44-44

Në kuadër të shqetësimeve se histori si ato të Horner mund të kenë patur ndikim në zgjedhjet presidenciale, si dhe pas njoftimeve që Google e Facebook do të ndërmarrin veprime kundër faqeve mashtruese, “Intersect” zhvilloi një intervistë për të diskutuar mbi këndvështrimin që Horner ka për lajmet e rreme. Më poshtë intervista e sjellë në shqip nga bota.al.

Ju keni pak kohë që shkruani lajme të rreme. Unë e quaj rreng apo lajm të gënjeshtërt, ju e quani parodi, apo satirë. Ku ndryshon kjo skenë sot, në krahasim me tre vjet më parë? Si ndodhi që lajmi juaj, me Obamën që shpallte të pavlefshme rezultatet zgjedhore (250 000 share në Facebook) u përhap aq shumë dhe aq shpejt?

Ta them ndershmërisht, njerëzit janë më budallenj. Ata nuk pushojnë së përcjelli gjithfarësoj lajmesh. Askush nuk kontrollon më gjë – dua të them, pikërisht kështu u zgjodh Trumpi. Ai thjeshtë thoshte atë që donte, dhe njerëzit besonin çdo gjë, dhe kur gjërat që ai thoshte rezultonin të pavërteta, njerëzve as që nuk u bëhej vonë, sepse tashmë i kishin pranuar. Eshtë vërtetë e frikshme. S’kam parrë kurrë një gjë të tillë.

Ju përmendët Trumpin, dhe ndoshta e keni dëgjuar argumentin, apo shqetësimin, se lajmet e rremë, në një farë mënyre e ndihmuan që të zgjidhet. Si mendoni?

Faqet e mia klikoheshin nga mbshtetësit e Trumpit gjatë gjithë kohës. Unë mendoj se Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë për shkakun tim. Ndjekësit e tij nuk kontrollojnë asgjë – ata postojnë gjithçka që shohin, besojnë çdo gjë. Menaxheri i fushatës së tij postoi lajmin tim për një protestues që paguhej me 3500 dollarë, sikur të ishte fakt. Unë e sajova. Postova një reklamë false në Craiglist.

screen-shot-2016-11-18-at-09-51-59

Përse? Dua të them, përse duhej ta shkruanit këtë gjë?

Thjeshtë sepse mbështetësit e tij besonin që njerëzit po paguheshin për të protestuar në mitingjet e tyre, dhe kjo është marrëzi. Unë kam shkuar në protestat e Trumpit – më besoni, askush nuk ka nevoj të paguhet për të protestuar Trumpin. Doja thjeshtë që të tallesha me këtë besim të marrë, por ai u përhap. Ata e besuan. Mendova se do ta kishin kontrolluar dhe verifikuar e kjo do i bënte të dukeshin më keq. Dua të them, kështu funksionon gjithmonë: Dikush poston një gjë në internet, pastaj e zbulojnë që është gënjeshtër, dhe kështu duken si idiotë. Por mbështetësit e Trumpit – ata vazhdonin ta përhapnin! Ata nuk kontrollojnë kurrë, asgjë! Tani ai është në Shtëpinë e Bardhë. Duke kthyer kokën pas, në vend se ta dëmtoja fushatën, mendoj që e ndihmova atë. Dhe ndihem keq.

Mendoni se ndihmuat në zgjedhjen e Trumpit?

Nuk e di. Nuk e di nëse e bëra ose jo. Nuk e di. Nuk e di.

Jam kurioz, nëse besonit që mund të kishit një ndikim të padrejtë mbi zgjedhjet – sidomos nëse impakti ishte kundër besimeve tuaja politike – përse nuk u ndalët? Përse vazhduat të shkruanit?

Nuk mendoj se ishte e mundur që të zgjidhej president. Mendoja se po tallesha me fushatën, ndoshta nuk po merresha aq shumë sa doja – por asnjëherë s’mendoja që do të zgjidhej. As nuk e mendova. Parë në retrospektivë, të gjithë duhej ta kishin parashikuar – të gjithë supozuan që Hillary thjeshtë do të zgjidhej. Por nuk bënë kujdes dhe Trumpi është president.

Me që ra fjala tek Clintoni – a keni vënë në shënjestër mbështetësit e saj me larme të rreme? Apo ata të Gary Johnson?

Jo, unë e urrej Trumpin.

Vërtetë? Ju postuat në Facebook disa javë më parë se kishit patur shumë ide për të satirizuar Clintonin dhe figura të tjera, por se “nuk bëj shaka… ata që e bënë këtë gjë për gjashtë vite, njerëzit që i klikuan më shumë reklamat, sikur të ishte kurë për kancerin, janë republikanët e djathtë”. Duket sikur shënjestrimi i konservatorëve ka qenë më fitimprurës për ju.

Po, është. Ata nuk i kontrollojnë faktet.

Por një presidencë Trump është e mirë për ju, nga këndvështrimi i biznesit, apo jo?

Eshtë shumë e mirë për këdo që merret me satirë – nuk ka asgjë që ti shkruan dhe njerëzit s’e besojnë. Mund të shkruajë gjërat më të çmendura për Trumpin, dhe njerëzit do i besojnë. Kam shkruajtur shumë gjëra të çmendura kundër myslimanëve – si për shembull që Trumpi dëshiron t’u vendosë distinktivë myslimanëve, ose që të mos i lejojë në aeroporte, apo që të rrijnë në një radhë të ndarë – dhe njerëzit i kanë besuar.

Facebook dhe Google shpallën kohët e fundit se nuk do të lejojnë më që faqet e internetit me lajme të rreme të përdorin platformat e tyre të reklamave. E di që ju praktikisht e nxirrni jetesën prej atyre shërbimeve. Sa të shqetësuar jeni për këtë gjë?

Kjo gjëja e Google AdSense është vërtetë e frikshme. Edhe Facebook. Unë fitoj shumicën e parave nga AdSense – nuk do e besonit sa shumë fitoj. Në këtë moment unë fitoj 10 mijë dollarë në muaj nga AdSense. Unë di mënyra se si të kam emra të ndryshëm. Kështu që, nëse mi mbyllin disa faqe, unë provoj të reja. Kam të paktën 10 faqe në këto momente. Nëse ata mbyllin disa, unë përdor të tjerat. Ata mund të ndalin reklamat në gjithë faqet e mia, dhe prapë do të jem Ok. Plus, Facebook dhe AdSense fitojnë shumë para nga reklamimi në faqe me lajme të rreme. Ata do të humbnin shumë para.

Nëse e mendoni me më pak egoizëm, mund të jetë gjë e mirë nëse Facebook dhe Google veprojnë, apo jo? Sepse efektet që ju përshkruani janë të frikshme.

Po, shumë prej faqeve për të cilat njerëzit flasin, janë faqe me broçkulla. Nuk ka kreativitet apo qëllim prapa tyre. Jam i kënaqur që po i heqin qafe. Gjërat që unë bëj, unë shpenzoj kohë me to. Kanë qëllim prapa tyre. Unë nuk shkruaj lajme të rremë thjeshtë për hir të të shkruarit dhe për hir të të klikuarit. Kështu që, po, mendoj se po bëjnë mirë që po shënjestrojnë disa faqe. Ka shumë të tilla të tmerrshme. Jam i kënaqur që po i heqin qafe.

Intersect – www.bota.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *