FOTO/ Pas fasadës së Jalës, fshihet rrënimi i Vunoit

Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*

Nga Armando Meta & Javanews.al/

“Shpenzohen miliona për breçka kurse këtu fshati rrezikon të humbasë përfundimisht shtëpitë e vjetra që kanë një vlerë historike të jashtëzakonshme”.

Fshati Vuno në Jug të Shqipërisë, një nga fshatrat më të veçantë sa i përket arkitekturës dhe rrugicave që gjarpërojnë brenda tij, duket se është në prag të rrënimit. Çdo ditë nën tingujt e shurdhët të dallgëve të detit po fshihet një histori qindravjeçare. Vetëm pak kilometra poshtë fshatit ndodhet Jala, një vend tashmë mjafti i famshëm për turizmin elitar në Shqipëri, ku janë investuar miliona euro. Ndërsa edhe ata pak banorë që kanë mbetur në fshatin Vuno shikojnë me trishtim se përballë luksit në Jalë, fshati i tyre përjeton një mjerim padurues dhe po përpihet nga rrënimi. Nga 350 shtëpi që ka pasur fshati përpara viteve ‘90, tashmë kanë mbetur afro 105. Mosha mesatare e atyre që kanë mbetur dhe që vijojnë të nxjerrin tym nga oxhakët e shtëpive është mbi 65 vjeç. Të rinj nuk sheh asgjëkundi. Ndërsa mali me plehra gradualisht po mbulon të gjithë fshatin.

Niko Kolgjini, një banor i fshatit rreth të 70-ve, tregon se mrekullia e Vunoit mund të shihet e të shijohet tashmë vetëm në filmat e Dhimitër Anagnostit, një prej regjisorëve më të mëdhenj shqiptar, i cili është nga Vunoi.

“Kam punuar një jet të tërë në puset e naftës. Kam vendosur të kalojë vitet e pensionit në shtëpinë time në Vuno. Por pamja që është tani është shumë larg asaj çfarë ka përfaqësuar fshati Vunu ndër shekuj. Kudo ka shtëpi të braktisura. Plehrat gjendet në çdo hapësirë të fshatit, rrugë, shtëpi të braktisura, etj. Askush nuk vë më dorë. Edhe vetë banorët sillen sikur fshati të jetë I huaj për ta. Unë bëj çfarë mundem për t’i zbrapsur plehrat që sa vinë e po përpijnë tërë fshatin. Por mosha bën të vetën dhe çdo ditë ndjej se e kam të humbur betejën më plehrat”, shprehet ai.

Tek lëviz nëpër fshat shikon se shumë shtëpi kanë dekada që nuk happen. Madje shikon deri edhe dryna “Shkodre” me të cilat janë mbyllur portat, dryna  të cilët janë prodhuara para viteve ’90.  Niko tek çapitet ngadal mbi gurët me të cilat janë shtruar rrugicat e fshatit na informon se mjaft ndërtsave u kanë mbetur vetëm 4 faqet e murit, pasi gjithëshka që kanë pasur brenda është shembur.

“Këto faqe muri tashmë janë bërë dhe shumë të rrezikshme. Shyqyr zotit që të parët tanë kanë bërë mure të forta e cilësore kur kanë ndërtuar shtëpitë se do ishte bërë ndonjë hata. Gjithësesi koha ka bërë të vetën. Muret nga viti në vit sa vijnë e dobësohen e përbëjnë një rrezik të përhershëm. Çatitë janë rrënuar e ç’bie jashtë hyn brenda. Vunoi po përjeton vërtetë një agoni. Edhe turistët kur vinë e mbajnë frymën në Jalë. Shpenzohen miliona për breçka kurse këtu fshati rrezikon të humbasë përfundimisht shtëpitë e vjetra që kanë një vlerë historike të jashtëzakonshme. Edhe plehrat që gjenden lart e poshtë nëpër fshat në pjesën më të madhe i kemi ‘dhuarata’ nga turistët që vinë e shikojnë fshatin, bëjnë ca foto e i hedhin gjërat ku të mundin”, shprehet ai.

Tek ecën nëpër rrugët e zbrazura të Vunoit pamja vërtetë duket apokaliptike, e denjë për filma lufte me fshatra që gdhihen pas bombardimeve. Duket realisht si skena e luftës tek filmi “Gurët e shtëpisë sime’ të Anagnostit. Por ndërsa ato skena janë ekranizime, tashmë këto skena janë në jetë reale. Duket se banorët luten në Krisht e profetët bektashinj që fshatit të tyre t’i largohet mallkimi, por duket se as shenjtët si dëgjojnë më lutjet e tyre.

*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *