Elegji nga Karlos Drumond de Andrade

I pakënaqur punon në botën që kalbet,
ku as mendimet, as veprat nuk qëndrojnë
Si të tjerët, ti ende përjeton vapë, të ftohtë,
mungesë parash, uri dhe dëshirë seksuale.

Veten heq zvarrë në parqet mbushur me heronj,
që predikojnë vetëmohim, virtyt, kurajo, prindërim
nën çadrat e bronxta kur mjegulla bie
ose fshehur në vëllime librash në biblioteka të humbura.

Natën e do për forcën e saj spastruese.
Në gjumë, e di se telashet vdekjen e mbajnë larg.
Por agu i egër zgjon Makinën e Madhe
dhe ti, i brishtë ngrihesh mes palmave të padeshifrueshme.

Ti ecën me të vdekurit dhe me ta flet
për kohën e ardhme dhe çështjet e shpirtit.
Letërsia t’i prish edhe më të mirat orë të dashurisë.
Kohë, sa shumë kohë humbet në telefon.

Zemër krenare që mposhtjen mezi pret të shpallësh,
lumturinë e përbashkët me një tjetër shekull vonon.
Pranoji stuhitë, luftërat, humbjen e punës, shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë

Sepse Manhatanin, i vetëm s’mund ta hedhësh në erë.

Shqip: Bjorn Runa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *