Ekskluzive/ Flet autori i “Hide mbi Kalldrëm”: S’isha i bindur për maskimin. Kur në letërsi kërkohet nami i spektaklit, ky është dhunim propagandistik!

Autori me pseudonimin Tom Kuka: Letërsia një ishull i qashtër, ku nuk ka pse futen njerëz që kërkojnë namin e mirë të spektaklit!

Nga Jonida Hitoveizi

Është hera e parë që i nis pyetje për intervistë dikujt, që preznatohet i fshehur pas një pseudonimi ( ku nuk përdorja dot as google e as informacionet e mia), ndaj fillimisht pata një ngërç për çfarë do ta pyesja Tom Kukën, kur Loreta, botuesja e Pegit më tha që mund t’ia nisja pyetjet me email. Por duke qenë se sapo kisha mbaruar librin, pyetjet rrodhën vet, sa me kureshtjen e lexuesit, aq edhe me atë të gazetarit, që përpiqet të kuptojë apo mësojë më shumë rreth këtij të panjohuri, që me siguri e njohim, pasi siç ai thotë “është mjaftueshëm publik”.  Megjithatë kjo e “enigmë” ishte edhe lehtësi për mua, pasi mund ta pyesja për çfarë të doja autorin pa u sikletosur shumë e pa kompleksin e të qenit e përgatitur, apo të “gabimit” në ndonjë pyetje. Anonimiteti sikur t’i  shembka ca mure, siç thotë në këtë intervistë shkrimtari Tom Kuka.

Njohja  publike që e ka dyzuar autorin e “Hide mbi Kalldrëm” të bëjë “garë” me letërsinë e tij, apo me personazhin publik që ai pohon se është ( edhe pse as këtë s’e dimë me siguri). Ka zgjedhur të sjellë tek lexuesi librin, e jo emrin, pasi siç thotë në këtë intervistë (së cilës nuk i mungojnë ngjyrat, edhe pse e realizuar elektronikisht), “zgjodha me ndërgjegje të mos hyja në këtë garë me numër kopjesh”.

Po e ndaloj veten të bëjë  një analizë mbi intervistën, pasi dua që ta shijoni atë. E sigurisht, ndoshta mund ta  njihni apo shquani më mirë autorin e “Hideve”, në këto kohë ku letërsinë shqiptare e udhëheq me shitje Ben Blushi, herë me kryetar bashkish e herë me kryeministrin; Ku Tom Kuka pyet se: “Për çfarë u duhet të imponojnë këtë qasje edhe në një vend ku qarkullojnë libra. Ky është dhunim propagandistik”.

Përshëndetje dhe urime për romanin “Hide mbi kalldrëm”. Kjo nuk është intervista juaj e parë për mediat apo jo (si Tom Kuka të paktën)?

Si Tom Kuka padyshim që është e para. E realizuar gati në “ilegalitet” nëpërmjet botueses sime.

Nuk do ndalem gjatë tek pjesa pse keni zgjedhur të shkruani me pseudonim, por e keni çuar nëpër mend momentin e titullit në ndonjë faqe të parë mediash, “Zbulohet Tom Kuka”? Do e zbulosh veten më vonë?

E kam diskutuar qysh në krye të herës me botuesen time këtë gjë. Pasi duhet të jem i sinqertë edhe ajo, edhe unë nuk ishim kaq shumë të bindur për të dalë fshehur pas një pseudonimi. Është tundim i madh ai çasti, kur firmos libra për lexues. Ta heqësh nga veprimtaria këtë aksion, nuk është e lehtë për një njeri që shkruan. Por, dikur e ndava mendjen dhe natyrisht që nisi ky diskutim. Le ta zbulojnë ose më mirë le t’i bien në të. Për mua sërish ka pak rëndësi, sepse më intereson letërsia e këtij romani. Nuk ishte qëllimi im të luaja kuka-fshehtësi, por t’i orientoja njerëzit tek libri. Ndaj, nëse e gjejnë nuk kam ndër mend të përpiqem ta fsheh, por as do pohoj gjë. Por, edhe sikur ta pranoj në fund nuk ka ndonjë skandal. Të tërë e dinin që Mitrush Kuteli ishte Dhimitër Pasko, Chri-Chri Nonda Bulka e kështu me radhë. Po të shkojmë nëpër botë do të gjejmë shumë njerëz që kanë shkruar me tjetër emër.

Duke parë “çoroditjen” e dialekteve sjellë mjeshtërisht nga ju në roman, a mund ta dijë lexuesi ku ka lindur shkrimtari Tom Kuka?

Unë kam lindur në Tiranë, por këtu ngatërrohemi pakëz. Duhet ta pranoj që në variantin tim të parë libri është shkruar me dialektizma të trajtuara si neologjizma ose më mirë fjalë të nxjerra nga varri, por jo tekst i punuar në dialekt. Ishte ideja e redaktores Aida Baro t’i jepte pak më shumë ngjyrë disa personazheve dhe kështu që i dhamë udhë dialektit. Me thënë të drejtën, sipas meje është fatkeqësi që nuk shkruajmë dialektet tona si ndodh rëndom në botë. Mund të mbajmë një gjuhë të shtetit (atë standarte) dhe të lëvrojmë dialektet, sepse ka fjalë, shprehje, forma foljore të mrekullueshme, të cilat nuk ka pse të treten. Nëse ky libër jep një farë ndihme në këtë pikëvështrim jam i lumtur.

Edhe pse thonë që misteri tërheq, sërish librat më të shitur të panairit ishin ata të Blushit e Fevziut. Si të bën të ndjehesh ky trend i personazheve të njohur që shesin prej emrit më shumë sesa prej librit?

Nuk më bën përshtypje. Libri është për t’u lexuar, jo për t’u shitur. Natyrisht që ky panair ka sjellë tituj shumë të mirë dhe jo të tërë u shitën, sepse nuk patën vëmendjen e duhur mediatike. Unë zgjodha me ndërgjegje të mos hyja në këtë garë me numër kopjesh, sepse e mendoj ende letërsinë një ishull të qashtër, ku nuk ka pse futen njerëz që kërkojnë namin e mirë të spektaklit. Unë jam i njohur në publik, ata janë të njohur ndoshta më shumë se unë. Për çfarë u duhet të imponojnë këtë qasje edhe në një vend ku qarkullojnë libra. Ky është dhunim propagandistik.

Në këtë festë të librit pati libra prej vërteti në letërsinë shqipe si fjala vjen romani i Besnik Mustafaj, vëllimi poetik i Agron Tufës apo novelat e Mira Meksit. Pa përmendur zbulime si Elena Ferrante apo “Mjeshtri dhe trëndafili” i rishqipëruar.

Për këtë arsye ju zgjodhët të vinit me pseudonim, megjithëse thoni që media e publiku iu njeh?

Edhe kjo ishte një arsye. Unë jam një njeri si gjithë të tjerët. Dëshiroj të di, nëse ata që e lexojnë këtë libër e pëlqejnë apo jo, pa u nisur nga personazhi që përfaqëson emri që kam në media, politikë, sipërmarrje e kudo.

Tek e fundit, të gjithë kemi krijuar një personazh në jetët tona, i cili jo përherë është i vërtetë. Në këtë rast, ky roman jam unë megjithë “hidet dhe kalldrëmet” e Tironës.

Nëse do kishit shkruar me emrin tuaj, beson se do kishit patur më tepër vëmendje ju sesa libri?

Kësaj ia kam patur frikën. Nuk di, ndoshta mund t’ia kem futur kot, por i tillë jam. E kam mbushur jetën time me mure, të cilat duhet t’i kapërcej një e nga një.

Nuk jeni një tjetër politikan i zhgënjyer nga politika që keni vendosur të merreni me letërsi, apo

Letërsia nuk është arma e hakmarrjes, kur të ka mbytur zhgënjimi. Letërsia është një lojë, të cilën deri sa mbërrin afër fundit e luan vetëm. Më pas e luan në skuadër, me redaktorët, korrektorët, shtëpinë botuese e mandej me ata që lexojnë.

Nuk është letërsia lëmi i duhur që të kërcënosh dikë që ke inat: “hajt, se ta tregoj unë, tek libri im”. Flas për ata që e kanë letërsinë mision, jo ata që e kanë për namin e mirë, i cili të plotëson CV si kuller.

Ju tremb që nëse një ditë nuk jeni më në këtë botë dhe askush nuk do ta dijë kush ishte Tom Kuka?

Më tremb mos të jem më në këtë botë, jo tjetër gjë. E dinë plot mos ki dert. Pastaj, nuk ka për t’u shuar Shekspiri që do ta vërë botën kaq shumë në hall.

Aq sa keni perceptuar, a ju ka motivuar për të shkruar sërish dalja e këtij romani, apo të bësh letërsi sot në Shqipëri është njëlloj si të lësh Vjenën për Tiranën në vitet ’30?

Unë kam shkruar gjithmonë. Besoj do vazhdoj të shkruaj. Është vesi im. Kam vetëm një stimul që më bën të shkruaj; kam gjëra për të rrëfyer. Mirë është t’i tregoj. Ky libër ka ngrënë më shumë se dy vjet. Por, ka dhe gjëra të tjera, të cilat janë të një natyre tjetër dhe nuk i kam çmuar për botim.

Për këtë duhet të flas me botuesen, por është ende shpejt. Ta lëmë një herë këtë libër në duar të lexuesit. Më pas shohim e bëjmë. Kam shumë dëshirë që të shpërndahet ky libër në Kosovë e gjetkë. Më intereson mendimi i gjerë po pati një të tillë, sepse ndoshta nuk e gjejnë të bukur si libër dhe nuk e çojnë deri në fund. Është e vështirë që në këto kohë teknologjike të paraqitesh me një libër në dorë.

Jam kurioze të di si i keni mbledhur disa fjalë të vjetra që thuajse nuk përdoren më sot, “ksoth” për shembull, e cila vetëm në disa zona të Labërisë dhe në Gjirokastër, po andej i themi “ksoll”?

Jam lexues i mirë. Lexoj, pos të tjerave kronika të shkuara dhe letërsi të moteve të tjera. Duhet të pranojmë që letërsia e para viteve ’90, megjithë kornizat e realizmit socialist ka shërbyer shumë në pasurimin e fjalorit. Po kështu Instituti i Gjuhësisë, Folklorit. U duk sikur pas ndryshimeve të sistemit këtyre të rejave gjuhësore i ra pluhuri. Unë veç i shkunda pak dhe ja ku janë. Rëndësi ka të kesh dëshirë të shkruash shqip.

Fjala “ksoth”, meqë e përmendët, ndoshta nuk është shqip. Nuk e di pse mua më tingëllon si greke, por është shumë e përdorur në Toskëri. Pak a shumë si “mort” në Veri. Edhe “mort” është me rrënjë latine, por ka marrë qytetarinë, ndaj e përdorim madje duke e zëvendësuar qivurin me “arkëmort”. Gjithsesi, ndaj ngulmoj në shkrimin e dialekteve të shumëllojshme që ka shqipja, sepse kemi një thesar që dimë se ku është, por nuk dëshirojmë ta zbulojmë.

Qëllimi i përdorimit të fjalëve të vjetra nga gjithë dialektet, a ka qenë në fakt maskimi tërësor i çdokujt që mund të binte në gjurmët tuaja?

Jo nuk e kam patur këtë qëllim. E thashë në krye që nuk kam qenë i bindur për maskimin. Pastaj, gjatë kohës që shkruaja nuk e mendoja botimin, sepse edhe ky libër do qëndronte diku në një qoshe si gjithë punët e tjera. Kërshëria, vetëm sa të merrja një mendim a bën kjo letërsi apo jo, më shtyu të nisja ca faqe tek Loreta Bërhami. Lëmshin e krijoi kjo e fundit, jo unë.

Thoni që shkruani prej 25 vitesh, por shumë nga njerëzit që kanë lexuar librin nuk identifikojnë dot stilin e ndonjë personazhi, çfarë keni shkruar këto 25 vite?

Letërsi kam shkruar pa rreshtur. Por, nuk kam botuar shumë. Kam ndalur me disa tregime a proza poetike diku në fillim të viteve ’90. Shkrime të tjera që kam botuar kanë të bëjnë me publicistikën apo shpalosjen e mendimeve për zhvillime të ndryshme në vend.

Tek “Hide mbi Kalldrëm”, ajo që bie në sy veç një Tirane të  vizatuar me të gjitha ngjyrat, shihet një lloj dashamirësie  deri marrje në mbrojtje e juaja ndaj femrave dhe veçanërisht Fitimit, djalit njomëzak që përdoret si mos më keq, sidomos nga Ili. Sa ndryshe janë sot femrat e Tiranës dhe djemtë si Fitimi?

Jam i patundur në mendimin tim që kemi ecur pak ose më mirë aspak përpara në dashurinë që kemi për sho-shoqin. Nuk e duam tjetrin. E shohim për t’ia hedhur apo target për ta qëlluar me mërinë tonë. Nuk i duam as njerëzit e shtëpisë, sepse megjithë manierat më të zhvilluara, femrën e kemi ende kafshë për të kënaqur epshet. Të tillë e kemi edhe të ndryshimin. E urrejmë, e dhunojmë, e vrasim. Nuk i duam romët, pakicat, egjyptianët, homoseksualët. Ata janë ndryshe nga ne, ndaj i dënojmë në rastin më të mirë me shpërfillje, por po na u ngatërruan nëpër këmbë i shkelmojmë. Qënia njerëzore dallohet nga kafsha prej dashurisë. Kjo mungon kudo në politikë, media, kulturën shqiptare, ndaj dhe punët na shkojnë keq e mos më keq. Nëse dikush do të mendonte pak më larg se interesi i tij i çastit, etja e pushtetit, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të ishin kaq të dhënë pas vesit dhe trafikimit të tij.

Besoni se sot, në Tiranën metropol, jetojmë sërish për sytë e botës, paraja lëviz çdo levë e se pushteti bën ç’të dojë me “Fitmët” e tij?

Besoj se paraja e ka këtë pushtet kudo, por këtu është i vetmi mjet dhe ekskluziv që të garanton prosperitet.

Romani, nis me “Këtu ka punë veç për Tom Kukën” kur gjendet i vdekur Andoni e mbyllet po kështu në fund, kur vritet… Do të thotë kjo se vetëm vdekja i lan hesapet me ne të gjithë?

Gjyshja ime thoshte “vdekja kapak floriri” apo “do të prehet dheu me mua”. Kaq rraskapitëse është jeta në Shqipëri sa jemi ndër të paktët shoqëri që e shohim vdekjen si zgjidhje. Kristianët ndoshta nuk e mendonin ta arrinin në Shqipëri këtë këndvështrim për vdekjen si çlirim, por jo të udhëhequr nga dogma, por nga e keqja që mbart një shpirt që nuk i dhimbset kush.

Po Tom Kuka shkrimtar, ku qëndon me Tom Kukën personazh, sipërmarrësi i varrimit?

Askund. Tom Kuka është një burrë i drejtë, i heshtur, i cili ka pranuar të dallohet si i fundit në rresht. Tom Kuka shkrimtar kërkon njohjen e madhe, është egoist, madje falsifikator identitetesh (qesh).

Ka shumë realizëm magjik në tablonë e hideve të Di Himës, në shtëpitë e historitë ku ai futet për të zbuluar misterin e vrasjes së Andon grekut. Jeni frymëzuar nga Markezi?

Është hera e dytë që e dëgjoj këtë. E para ka qenë Loreta. Më bëhet zemra mal. Ka kaq shumë shkrimtarë të realizmit magjik që më kanë magjepsur sa më duhet të bëj një listë të gjatë. Ju më thoni Markez dhe keni të drejtë, por unë mund t’ju them Julio Cortázar, Juan Rulfo e së fundmi Selman Rushdie. Por mos të fluturojmë. Le ta gjejmë ndikimin tek letërsia shqiptare, tek Faik Konica, Mitrush Kuteli, Migjeni apo Gjergj Fishta.

A keni trille të tjera të ngjashme gati për botim?

Nuk di si të të përgjigjem. Është dimër përpara, shporreti ka nevojë për zjarr. A e mendon sa letra duhen djegur për ta ndezur?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *