Duke pritur barbarët

Nga Konstantin Kavafis

Çfarë presim, të mblidhen në shesh ?
Sot mbërrijnë barbarët.

Përse ky pasivitet në Senat ?
e përse senatorët rrinë ulur dhe nuk bëjnë ligje?

Sot mbërrijnë barbarët.

Çfarë ligjesh duhet të bëjnë Senatorët ?
Kur të vinë, do t’i bëjnë barbarët.

Përse perandori është zgjuar
kaq herët, dhe solemn qëndron në fronin
e portës kryesore të qytetit me kurorë?

Sot mbërrijnë barbarët.
Perandori do t’i bëjë pritjen zyrtare
udhëheqësit të tyre dhe e ka gati
dhuratën në një pergamenë. Ku
i ka shkruar shumë tituj dhe epitete.

Përse dy konsujt dhe pretorët tanë
dolën sot në mëngjes veshur me toga të kuqe
përse mbanin bylezikë me gurë të çmuar
unaza me smeraldë të shkëlqyer përndritës?
Përse po mbajnë bastunë elegantë
punuar aq bukur në ar e argjend?

Sot mbërrijnë barbarët
dhe të mbahesh kësisoj u bën përshtypje barbarëve.

Ku janë oratorët e talentuar
të deklamojnë fjalimet e tyre si gjithnjë

Sepse barbarët mbërrijnë sot
dhe ata janë të mërzitur nga retorika dhe të folurit në publik

Përse ky hutim i papritur, ky konfuzion?
(sa serioze fytyrat e njerëzve janë bërë.)
Përse rrugët dhe sheshet u zbrazën në mënyrë kaq të shpejtë,
të gjithë duke shkuar në shtëpi të humbur në mendime?

Por nata ra dhe barbarët nuk mbërritën
dhe disa prej njerzve tanë nga kufiri thonë
nuk ka më barbarë, barbarë nuk ka më.

Po tani çdo të bëhet me ne pa barbarët ?
ata njerëz ishin një lloj zgjidhje.

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *