Dr. Gjilpëra lë mënt pas drejtorit, ky Stenli Kubrik shqiptar

Kam kënduar mbrëmë vonë dhe sot tërë ditës, faqe gazetash ku ju, drejtor i Thjatros Kombëtarë kishit folur për veten e tuaj dhe tu thom të drejtën, mbeta pa mënt. Ju thoshit se jeni një regjisor i shkëlqyer, e si ju s’paskësh tjatër. Mu kujtua Stenli Kubrik, që ju prehtë shpirti në paqe, dhe emra të tjarë si Federico Fellini, Pier Paolo Pasolini, Quentin Tarantino,  Giuseppe Tornatore, Woody Allen, Francis Ford Coppola, Steven Spielberg, Martin Scorceze, Alfred Hitchkok. Në fakt, kur e mendon thellë-thellë, çfarë kanë ata më shumë se ju? Asgjë, veçse ju bëni çfaqje për pasardhësit e ilirëve që universitetin e parë e kanë hapur në vitin 1957 dhe Thjatron Kombëtar në vitet 1940, ndërsa ata që thoni ju, kanë fituar edhe nonjë çmim- biçim Oscar.

Por, i lëmë këto se janë detaje pa nonjë rëndësi të madhe, pasi lajmi i suksesit të çfaqjes suaj të fundit, “Tri motrat” e Çehovit, kish marrë dhenë. Vetë Vladimir Putin është interesuar për të. Veç kësaj, ju i shtrenjti im drejtor, kishit thënë aty, se jeni njeri i kumarit, i cili ju emocionon fort, po aq sa marrëdhënia burrë e grua.

Ju, kishit rrëfyer pa drojë aventurat tuaja të guximshme, duke iluminuar këtë popull për jetën tuaj tërë vese: pini duhan shumë, konsumoni alkool shumë dhe, e pëlqeni më shumë nga këto seksin. Eh drejtor, drejtor! Kam mbetur pa fjalë nga sinqeriteti juaj! Doemos, pashë që ju kishin kritikuar në Shqipëri. Por, dijeni, ata nuk dinë dhe nuk e kuptojnë botën e një artisti. Ju, nuk i lini gjë mangut një artisti të madh, as nga veset, e as nga talenti. Alkool, bixhoz, seks dhe art! Ç’tju thom, i kompletuar.

Më nxorët mallin e Faik beut, se dhe ai shejtan i madh, po ca vese ama i kish. Veç se Faik beu me një nga këto veset e tij na duall njëherë në faqen e parë të New York Times me një misse, një vashë që ish fort e bukur e sa qe shpallur më e bukura e Amerikës. Kur e pyetën pse e bëri, tha se e kish për kauzën kombëtare dhe ajo darka në atë hotelin e shtrenjtë kish kushtuar një djall e gjysmë. E paguan shqiptarët faturën, se ai u tha që kauza kombëtare, ka shpenzime.

Faik Beu, madje, i shkruante ambasadave se ish mbytur në borxhe, po prapë për hir të çështjes kombëtare. Edhe ata ia paguanin borxhet, edhe këta, për hir të çështjes e imazhit kombëtar. Edhe ju, i gjithë shteti është ngritur më këmbë e po ju mbron- nuk ju hedhin poshtë jo, se ua dinë sakrificat. Ju rrini në zyrë, duke punuar për këtë shtet dhe lini në pritje pasionet e veset tuaja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *