Dashuria sot? E veshur më bukur, por e zhveshur nga sinqeriteti

Nga Entela Resuli

Dje ishte dita e të dashuruarve. Nuk po i hyj historisë se përse është cilësuar e tillë, por në vendin tonë, vitet e fundit në datën 14 shkurt kanë filluar të bëhen dhurata në emër të dashurisë! Në rrugë sheh çifte krah për krah njëri-tjetrit. Shumë pak burra me lule në dorë  dhe më shumë motorra që lëvizin për të çuar buqetën e radhës, te gruaja që do i gëzohet trëndafilave të kuq.

Dyqanet i kishin bërë gati buqetat qysh më përpara. Kjo e mërkurë ishte një ditë me shumë fitime për ta. Dashuria, kur do, lëviz gjakun, por edhe ekonominë!

Dashuria kur vjen, nuk ka nevojë për komente, por duket se kjo ndjenjë gjithmonë e më shpesh po bëhet komerciale. Rinia tërhiqet më tepër nga të mirat materiale dhe jo nga ndjenja. Modeli që i ofrohet, në forma të ndryshme, në rrjetet sociale, në Tv, në rrugë, është luksi.

Ku ka luks ka dhe dashuri!? Por në fakt nuk është gjithmonë kështu. E kundërta mund të jetë e vërtetë.

Personi i parë që më shkoi në mendje për të folur mbi këtë temë, ishte Profesor Përparim Kabo.  Ai pranoi të ndajë me ne disa mendime në lidhje me dashurinë, por edhe një analizë se çfarë ndodh me rininë sot në raport me këtë ndjenjë, për të cilën, thonë se, nëse nuk provohet, atëherë nuk ke jetuar. Më poshtë, biseda me të:

-Profesor, çfarë është dashuria sot?

Dashuria nuk është profesion, as profesionalizëm, është frymë dhe frymëzim, ndaj ndërtimi saj nuk vjen nga sendet, por nga ndjeshmëritë e thella njerëzore që bëjnë relative gjithçka posesive dhe mbi të gjitha mbajtjen peng nga mosha!

-A ka ndryshuar dashuria me kohën, pasi duket se njerëzit janë bërë më materialist?

Për ata që dinë të dashurojnë, jo. Për ata që bëjnë sikur duan ajo është pjesë e tregut dhe industrisë së gënjeshtrës.

-Deri në ç’pikë mund të sakrifikohet për dashurinë?

Deri në limitet e jetës, madje dashuria është e plotë kur do dhe në botën tjetër.

-Në kohët që po jetojmë, ka më shumë apo me pak  dashuri?

Dashuria nuk matet me sasi, ka më shumë sinqeritet apo me pak sinqeritet, kjo më shqetëson. Dashuria është veshur më bukur me rroba duke e zhveshur nga shpirti i sinqeritetit.

-Ka një shqetësim në vendin tonë, dhuna, numri i lartë i divorceve… Mos po përjetojmë një krizë në familje dhe në dashuri. Pse ndodh kjo?

Kriza në familje është më komplekse, por se dashuria është e sëmurë dhe jashtë familjes sepse mes tyre nuk ka komunikim shpirtëror dhe vlerash, është rralluar shumë gjendja ku bashkimi i dy njerëzve nga dashuria para ndërtimit të familjes me atë kur ndërtohet familja. Prova është globale, aq sa sot flitet për atë që quhet poligamia seriale.

-I bën kjo njerëzit më të palumtur?

Lumturia është një gjë e shenjtë e fisnike që lind dhe mbahet përtej materiales, është një gjendje që mund të ta dhuroj si sinergji natyra, arti, shpirti dhe devocioni njerëzor kur të gjithë bashkë pjalmojnë frymëzimin.

-Profesor, si ju duket rinia sot, sjelljet e tyre në raport me dashurinë në këtë epoke dixhitale, ku shihet se më shumë i kërkojnë dhe i shprehin ndjenjat e tyre në rrjetet sociale?

Rinia nuk mund të ndahet nga dashuria dhe dashuria nga kjo moshë sepse ndryshe, dashuria do ishte objekt muzeal, por çështja është se a ka të rinj të dashuruar apo ka të rinj që njohin veten në kontrastin bardh e zi, përmes eksplorimit të trupit, instiktit dhe humbjes së përgjegjësisë për ndërtimin e jetës së tyre duke mbajtur përgjegjësitë.

Të komunikosh on line për dashurinë do të thotë ose të kesh frikë prej saj ose të gënjesh në emër të saj. Një puthje e gjallë mund të ndryshojë gjithçka në jetën e njeriut.

-A e zbeh martesa dashurinë, dhe pse njerëzit po ngurojnë të martohen, vitet e fundit?

Martesa e provon dashurinë në detyrime sa humane aq edhe të ndjeshmërisë, sa kohë që njeriu që do është me ty çdo ditë dhe çdo natë. Martesa i ka hyrë në hak dashurisë, sepse është shndërruar në ceremonial luksi dhe në shtëpi luksi, në udhëtime luksi dhe në ëndrra luksi, kjo lloj familje është një koncesion fatkeq te mosdashuria.

-E vështirë të mos joshesh nga luksi, kur të dalin përpara shumë shembuj, njerëz që jetojnë në të…

Kjo është një çështje shumë delikate sepse luksi dhe moda janë industri, janë marketing, por janë dhe publicitet, ndaj ndeshja me të është shumë e vështirë. Morali nuk mund ta mundi vetëm edhe kur është kristian, protestant apo indu. Unë mendoj se media e çdo forme duhet të jetë e kujdesshme sepse meqë luksi dhe moda e paguan ajo është shndërruar në shërbyese e tyre dhe nuk merret me njerëzoren normale, me atë të thjeshtën që dhuron gëzim real në çdo kohë dhe në çdo situate. Të rinjtë që nuk kanë mundësi monetare e quajnë si dobësi sepse femrat e tregut duan luks dhe pasuri në shkëmbim të trupit të tyre. Kështu që brenda brezmoshës është krijuar një lloj gare kush ka më shumë dhe kush ka atë që sapo ka dal në treg, vetëm kështu ti mund të krijosh polin tërheqës së gjinisë femërore. Paçka se në kësi rastesh ti nuk je më femër por objekt që shkëmbehesh, në këtë kuptim je e përdorur deri në shpërdorim, nesër vendin tënd do ta zërë një mall tjetër epshor.

-A ka një formë për ta shmangur këtë joshjen nga luksi?

Mendoj se nuk është çështje forme. Duhet të pranojmë se dashuria kështu ka udhëtuar gjithnjë në çdo kohë mes vetes dhe shemrave të saj. Lum ai që është skllav i dashurisë se është princi i lirisë dhe mjerë ai apo ajo që është mbret i luksit dhe nuk ka kurrë takim as me dashurinë dhe as me lirinë shpirtërore. Viktimat e padashurisë janë fatkeq të veshur me luks. Çështje fati.

-Marrëdhëniet njerëzore janë në krizë?

Janë në krizë dhe kjo është globale. Vuajnë më shumë ata që kanë më shumë materialisht. Duhet ushqyer shpirti. Dhe një poezi e ndryshon ditën. Dhe një varg. Dhe një valë deti..

-Në këto kohë, tradhtohet më shumë?

Nuk ka statistika, por tradhtia nisi me Zeusin që i pëlqente e përkohshmja dhe tradhtia nuk ka gjini.

Duke njohur këtë realitet, keni një mesazh…?

Mendoj së dashuria nuk ka nevojë as për mesazhe dhe për opinione sepse ndryshe do binim ndesh me çfarë thashë më lart. Thjesht një jetë pa dashuri është gjithçka por pa shpirt, një lloj kohe kur asgjë nuk jep gëzim. Detyrim për të numëruar ditët dhe për të pritur të mbarojë nata që është edhe më e padurueshme!

Keni një histori dashurie si model, që ju frymëzon …?

Për mua model ka qenë dashuria 50-vjeçare e Victor Hugo-it me Zhuljetën që ishte dashuria e gjeniut me të dashurën. Një histori që tejkalon trupin dhe që ka brenda sakrificën. Shumë shpejt do ta lexoni në një studim timin për jetën e Hugo-it që do dalë si pjesë e librit Antropologjia e Artit. Pak durim deri në takimin e ardhshëm./DITA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *