Copëza që përthyhen në pasqyrën e botës sonë (apo Këngë për një zemër tjetër)

Nga Luan Rama 
Një flash… sikur bota të ishte një pasqyrë që herë pas here me reflekset e saj na sjell copëza jete, zjarrre, prushe, hire, një vatër të shuar diku që nuk do ta njohë më flakën…
Një flash që s’di pse mu shfaq… Kush vallë ma solli deri këtu në brigjet e Egjeut ? Kush vallë ma solli imazhin e atyre dy qenieve në mirazhin që krijon dhimbja e botës ? Cili lajmës, nga cila botë ?
Rrugë, ngjarje… Dy muaj pas aksidentit të djalit të saj, një grua rreth të pesëdhjetave, e përhumbur në diell si në një skenë të dramave antike, me një botë të thyer në shpirt, e hutuar si në një diell të vrarë, i afrohet një vajze që nxiton për diku : lumturia spikat në sytë dhe gjithë qenien e saj. Me flokë të pushpuritura nga era e pranverës, të harruara në endjen e tyre, gruaja ecën me një hap të ndrojtur, pa marrë guximin ta ndalojë. Por më së fundi ajo i afrohet :
– Ndalo pak vajzë e dashur. Nuk e di kush më solli tek ti, nuk di kush më nxorri nga kjo mjegull e dëndur dhe humbëtirë e zezë për të ardhur gjer tek ti, për të parë në gëzimin tënd sytë e ëmbël të tim biri… Sa i bukur hapi yt ! Sa hire ka e qeshura tënde… ç’ditë është, cili muaj ? Kush e mendonte se ajo zemër e pafajshme do të gjente strehë në trupin tënd, në gjirin tënd të kolmë e të bardhë, në vetë gëzimin e kësaj bote ?… Unë e dhashë atë zemër sepse doja të jetonte ende… një zemër në trupin e një tjetri. O zot, kjo magji e natyrës sot po më ngazëllen ? Vallë ti, ti mban ende zemrën e tim biri ?… i ëmbli im, fëmija im… edhe ai atëherë dashuronte, sapo shkelte në ato livadhe… dashuri e parë, nga ato që s’harrohen… që të mbesin gjithnjë mbi qerpikë dhe që rrinë zgjuar dhe kur bie të flesh…
– Ah zonjë… ju…lemë tu pushtoj me këta krahë që tani po më djegin… Nuk dija se ku mund tu gjeja… Sa shumë e kisha pritur një zemër, pasi jeta ime ishte në fillin e fundit të saj… Thuam, si ishte ai? Cfarë sysh kishte?…Vështrojeni gjirin tim, këtu rreh zemra e birit tuaj. Kisha kohë që ju kërkoja, por ju kishit humbur në terr…Thuamë, ç’mund të të dhuroj, veç lumturisë time. Pështete dorën mbi gjoksin tim ku zemra e tij vazhdon të rrahë. Ai i panjohur më risolli në jetë dhe ajo zemër tashmë rreh trifish : për ty, për mua dhe për birin tënd. Si vallë do më gjeje pa këtë zemër zonja ime ? Ishin ditët e fundit të një jete në pritje të agut… zgjimit.
– A mund ta puth dhe njëherë këtë zemër para se të kthehem në pragun tim të trishtit, hirit dhe mallit? A mund ta dëgjoj si dikur ? Ah, sa bukur dikur dihaste kjo zemër kur ai ishte fëmijë ?! Lermë tani të të puth dhe sytë, shko, nxito, siç nxitonte dikur im bir që mjerisht jetoi nga kjo jetë veç një stinë… shko ! Oh, sa e dhimbur dhe e gëzuar jam ! Ndjej jetën të bulëzojë në çdo qelizë të saj. Tani im bir jeton sërrish në të kuqen e gjakut tënd, im bir ecën sërrish me hapat e tua bija ime, ai shkon dhe rivjen, dehet në dejet e livadhet e tua, në lumenjtë e gjakut që shkumbëzon dhe përqafimet e tua me erë jargavani. Nxito bija ime, bijë e Zotit dhe e Fatit. Jo, bota ime nuk u shëmb, më kot shikoja veç humnera e gremina. Dielli mu rishfaq sërrish në sytë e tu të ëmbël, në gjirin tënd të kolmë. Një botë e tërë rreh tani në zemrën e tim biri !
– Eja zonjë, ma jep dorën. Eja të shkojmë tek i dashuri im. Dhe ai ka sy të bukur si të birit tënd. Do ti them se kjo zemër është e tij. Eja me mua, eja të më puthë sytë dhe kokën ta mbështesë mbi këtë zemër. Kështu ti do ta shohësh sërrish birin tënd të lumturuar… Eja zonja Mëmë, eja të gëzojmë bashkë ditët e pranverës, në lëndinat që feksin me gjelbërimin dhe dritën e vesës së mëngjesit, ku bari ka tjetër aromë, eja Mëma ime, ti linde një zemër për mua, një zemër që do të jetojë dhe për ty…
7 korrik, 2017


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *