Çdo kineast e mban mend herën e parë… në Tiranë!

Intervistë me organizatorët e Tirana European Youth Film Festival

 

Festivali “Tirana European Youth Film Festival” do të zhvillohet për herë të parë në vendin tonë. Por si lindi ideja, pra ky projekt si u konkretizua?

Ideja për festivalin lindi një vit më parë, gjatë kohës kur Tirana u shpall “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Dëshira ishte të dedikohej një festival për veprat e para të regjisorëve të rinj nga vendi dhe Europa. Projekti gjeti mbështetjen nga Kongresi Rinor dhe Bashkia e Tiranës në kuadër të programit: Tirana European Youth Capital 2022.
Tashmë jemi në fazën finale ku nga 300 aplikime filmash, bashkë me stafin kemi përzgjedhur 9 filma për programin zyrtarë, vepra të para të regjisorëve nga: Shqipëria, Italia, Rep.Maqedonisë së Veriut, Franca, Finlanda, Polonia dhe Spanja.

Cili është misioni i “Tirana European Youth Film Festival”, çfarë do të ofrojë për publikun?

“Tirana European Youth Film Festival” (TEYFF) është një sipërmarrje jofitimprurëse, misioni i së cilës është të hapë një dritare të re të kinemasë evropiane në Tiranë dhe të promovojë vizionet dhe aftësitë e regjisorëve të rinj.
Objektivat kryesore të këtij festivali përfshijnë promovimin e regjisorëve të rinj tek audiencat e reja, gjithnjë e më të gjerë si një mjet i fuqishëm që frymëzon krijimtarinë dhe sjell Evropën brenda Shqipërisë.
Nën moton e edicionit të parë është: çdo kineast e mban mend herën e parë… në Tiranë , jemi të sigurt se festivali do të mbahet mend gjatë jo vetëm për programin që sjell por dhe energjinë dhe njerëzit që janë në këtë festival.

Deri tani kemi konfirmuar një pjesë të jurisë me personalitete të huaja dhe Shqiptare,  me emra si: Fatmir Koçi, Blerta Zeqiri, Neil Young, Victor Van Vugt

Ndërkoh që një i ftuar special, i cili e priti me shumë dëshirë ftesën ështe dhe regjisori i njohur Abel Ferrara i cili do të mbaj dhe një Q&A me datë 5 shtator.

Çfarë mund të na thoni diçka më shumë mbi programin e tij, pra filmat që do të shfaqen?

Programin do e publikojmë së shpejti megjithatë filmat e përzgjedhur janë dhe në faqen e uebsajtin zyrtar të fesivalit. Jam krenare të them se bashkë me selektorët e tjerë ia dolëm të kemi një program ku kryefjalë ka diversitetin si nga regjisorët dhe qasjet e tyre, si nga kombësitë e ndryshme por dhe nga temat që trajtojnë. Ka filma që trajtojnë temë e familjes dhe sfidat që ajo po kalon në ditët tona, kemi tema “Coming of age” ku tregojnë se si familja ndikon në rritjen e një adoleshenti në moshë madhore, nuk mungon dhe komedia e zezë tipike e ballkanin, por dhe histori dashurie. Hasim sfidat e kohës se çfarë mund të hasi njerëzimi nga mungesa e energjisë dhe ndryshimet e klimës. Diversiteti ka qenë i rëndësishëm për ne, në program janë filma të trilluar (fiction) dhe 1 dokumentar kreativ.
Një pjesë e rëndësishme e festivalit janë dhe organizimi i masterclaseve për filmin si dhe festat jo vetëm në qendër të Tiranës por dhe në rrethinat duke promovuar kështu dhe qytetin si një shesh xhirim I mundshëm për veprat e rradhës që do të kenë regjisorët e ftuar.

Ku dhe kur do të zhvillohet festivali?

Festivali shfaqjet zyrtare do t’i ketë në Qendren e Artit “Agimi” pasi janë partnerë të festivalit dhe i falenderojmë Agjencinë e Industrisë Kreative Të Tiranës që na i hapën dyert, por projeksion të filmave do të ketë dhe tek Piramida e Tiranës në ambient të hapur pasi dhe Piramida ka 2 salla kinemaje indoor dhe outdoor. Jemi me fat që do të inagurojmë me festivalin dhe këtë hapësirë të re të kryeqytetit. Hyrja për filmat do të jetë e lirë pa pagesë. Presim të gjithë kryeqytetasit të të gjitha moshave nga data 1 shtator deri 5 shtator të ndjekin programin e festivalit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *