“Can for Balkans” përfundon aktivitetet në Tiranë

Përfundoi me sukses organizimi i takimeve dhe aktiviteteve në Tiranë, në datat 30 Korrik – 02 Gusht 2021, në kuadër të projektit “CAN for BALKANS – Comics Alliance Network for Balkans – Rrjeti i Aleancës për Novelat Grafike për Ballkanin”, paraqitur nën Programin Kulturor-Europa Krijuese-të BE-së.

Projekti “CAN for Balkans – Comics Alliance Networking for Balkans – Rrjeti i Aleancës së Novelës Grafike për Ballkanin” zhvillohet ndërmjet:
– Drejtuesit të Projektit, Muzeul Județean De Istorie Brașov dhe:
– Partnerit të projektit 1, Centre Belge De La Bande Dessinée – Belgisch Stripcentrum;
– Partnerit të projektit 2, Muzeu Historik Kombëtar;
– Partnerit të projektit 3, Strip Centar Na Makedonija;
– Partnerit të projektit 4, Udruzenje Ljubitelja Stripa I Pisane Reci “Nikola Mitrovic Kokan”.

Qëllimi i projektit është krijimi i një rrjeti kulturor ndërkufitar për të lehtësuar bashkëpunimin midis artistëve dhe specialistëve në botën e novelave grafike historikë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian, në frymën e vlerave të Bashkimit Evropian.

Në ditën e parë të organizimit të takimeve dhe aktiviteteve në Tiranë në kuadër të projektit u zhvillua një takim mes koordinatorëve të projektit, ku u diskutua mbi ecurinë e punës dhe caktimit të hapave të rradhës që do të ndiqen për të pasur një projekt të suksesshëm edhe në fazat e tjera të zhvillimit të tij.
Më pas pjesëmarrësit në projekt nga Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Serbia udhëtuan drejt Durrësit ku zhvilluan një vizitë në Bibliotekën e qytetit, si dhe një guidë në qendrat më kryesore turistike të Durrësit.
Gjatë pasdites pjesëmarrësit nga Rumania, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia bënë prezantimin e punës së tyre nga takimi i qershorit në Leskovac, Serbi deri në ditën e takimit në Tiranë.

Në fund të ditës së parë në takimin në Shqipëri gjithë grupi zhvilloi edhe një vizitë zyrtare në Muzeun Arkeologjik Durrës, ku u njohën më shumë me zbulimet arkeologjike të atij qyteti.

Data 01 Gusht 2021, në ditën e dytë të organizimit të aktiviteteve në kuadër të projektit u zhvilluan dhe dy takime kryesore të organizimit në Tiranë:
– Takimi i parë ishte ai me temë “Njihuni me mjedisin lokal artistik”, ku u prezantua koncepti i projektit dhe avantazhet e rrjetit kulturor të krijuar nga projekti, identifikimin e problemeve që lidhen me novelën grafike në veçanti apo dhe artet grafike në përgjithësi. Gjatë këtij takimi u bë një prezantim i detajuar mbi historinë e novelave grafike të Shqipërisë nga prof. Shpend Bengu dhe më pas u vijua me një diskutim mes artistëve grafikë të rinj shqiptarë dhe artistëve të ardhur nga vendet partnere në projekt: Rumania, Belgjika, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
– Aktiviteti i dytë që u zhvillua ishte debati me temë “Klishetë dhe stereotipet kulturore dhe shoqërore në Ballkan”, ku u diskutua më së shumti mbi Shqipërinë dhe u bë një përmbledhje e debatit të zhvilluar në Leskovac, Serbi në muajin qershor.
Në të dyja takimet, përveç pjesëmarrësve të projektit nga Rumania, Belgjika, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kishte të ftuar edhe artistë e studies vendas.
Në fund të ditës së dytë të organizimeve të projektit, gjithë pjesëmarrësit nga Rumania, Belgjika, Maqedonia e Veriut dhe Serbia zhvilluan një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”.
Pasuria arkeologjike, historike e kulturore e vendit tonë e treguar nëpërmjet objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, si edhe historia e përgjimeve gjatë sistemit të regjimit komunist në Shqipëri i surprizoi dhe befasoi pjesëmarrësit e vendeve partnere në projektin “CAN for BALKANS”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *