Botuesit: ISBN, Ministria na ka bllokuar botimin. E paprecedentë!

Kryetari i Shoqates se Botuesve Petrit Ymeri, duke folur gjate nje konference me rastin e celjes se panairit te 16 te librit, organizuar ne Pallatin e Kongreseve.

Përmes një njoftimi për mediat Shoqata e Botuesve lajmëron se prej fillimit të vitit 2016 ata nuk kanë pasur mundësi të botojnë asnjë titull të ri. Shkak për këtë sipas tyre është bërë Agjensia e ISBN pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, e cila është urdhëruar të mos japë asnjë numër ISBN për vitin 2016.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë shkruan se “për BK dhe Ministrinë e Kulturës jemi akoma në vitin 2015!”
Mandej ajo jep sqarimet e mëposhtme:

Më datë 5 janar punonjësja e Agjensisë së ISBN na informoi se do fillonin punën më datë 8 janar, meqenëse ishte e mbyllur Zyra e ISBN në Londër; më 8 janar na thanë që presin urdhër për të filluar nga puna sepse është bllokuar nga Ministria e Kulturës.

Më datë 11 janar në mbrëmje Agjensia e ISBN shpërndau  një Njoftim ku lexojmë se do bëhen disa ndryshime ligjore nga Ministria apo Biblioteka Kombëtare.

Askush nuk ka të drejtë të pezullojë veprimtarinë botuese në Shqipëri dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë pezullime apo ndryshime pa njoftuar qysh më parë. Kjo situatë është shumë e rëndë dhe e paprecedentë”-shton SHBSH.

Sipas tyre “i kemi bërë të ditur edhe Bibliotekës Kombëtare, nuk mund të bëhen ndryshime pa biseduar më parë, tre apo katër muaj më parë, për ndërhyrje që ndikojnë në punën e pavarur të subjekteve që zhvillojnë veprimtari ekonomike ne Republikën e Shqipërisë”, duke shtuar se “kemi propozuar mënyra më të thjeshta dhe profesionale që ndihmojnë punën e Agjensisë, pa shtuar kostot, por nuk kemi marrë përgjigje”.
Ata theksojnë se ndryshimet ligjore duhen biseduar më parë me profesionistët e sektorit dhe me organizatat që i përfaqësojnë ata (siç parashikojnë edhe ligjet), për të mos u shkaktuar shqetësime në punën shumë të vështirë që bëjnë.
Sipas Ligjit të Librit dhe Ligjit për Bibliotekat janë të përcaktuara rregullat dhe mënyrat se si funksionon Agjensia e ISBN. (Pasqyre.al)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *