“Bastisje” nga José Agustin Goytisolo

 

Mos shihni këtu.
Veç libra ka. Keni gabuar adresë,
më duket.
As nëpër letrat,
as mbi tryezë
gjë të fshehur s’do të gjeni.                           Ca poezi
e asgjë më,
ca tufa vargjesh,
letër e vdekur.
S’do të gjeni gjë, po ju them,
që të mos gjendet
në çdo shtëpi
të qytetit tonë. Jo,
mjaft më. Ju lutem,
më vjen keq
tek shoh që humbni kohën kot.
Sa ju paguajnë në muaj?
Jo, vetëm desha
të dija çmimin
e kësaj bastisjeje.
Ora vajti tre.
Ç’shpresoni të gjeni?
Më vjen keq. Posi,
merrni ç’t’ju teket.
Mirë, pra, meqë doni.
Zbresim.
Një minutë
sa të marr pallton.
Mirupafshim. Jo,
mos më rri ashtu. Të thashë:
një keqkuptim dhe kaq.
Ca poezi dhe asgjë tjetër.
Bjer e fli tani.
Është vonë.
Mos më prit.
Nuk do të vonohem.

fb © shqip A. Plasari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *