Balena Blu: A mundet lajmet të imitojnë artin?

Nga Bjorn Runa, Toronto

Një panik moral duket se ka përfshirë Europën e së fundmi po përhapet edhe përtej Atlantikut. Është fjala për një llogari online të një kulti misterioz rus vetëvrasës, që duket se ka mbërthyer adoleshentët nën hijen e një loje të quajtur “Balena Blu.” Ndonëse provat për ekzistencën e saj janë të pakëta dhe thuajse nuk ekzistojnë prova që mund ta lidhin lojën me vetëvrasjet e adoleshentëve që mendohet se kanë qenë viktima të saj, agjencitë policore në vende të ndryshme europiane kanë paralajmëruar prindërit, që të monitorojnë komunikimin e adoleshentëve me “Balenën Blu,” duke e bërë rrezikun të ndihet edhe më real.

Por, a reflekton “Balena Blu” një trend vetëvrasjese midis adoleshentëve, kryesisht atyre nga Europa Lindore, apo është fjala për diçka shumë më të frikshme? A besojnë vërtetë ‘viktimat’ e saj se një grup ADMINISTRATORËSH do të nisen nga një qytet rus për të ekzekutuar të afërmit, familjen, apo miqtë e tyre? Frika e vërtetë, në fakt qëndron pas diçkaje edhe më të tmerrshme se sa një kërcënim online me vrasje. Frika e vërtetë fshihet pas tmerrit që çdokush nga ne përjeton kur mendon se sa shumë dinë për ne kompjuterët dhe smartfonët që përdorim çdo ditë. Se si këto pajisje jo vetëm monitorojnë edhe çastet më të errëta të jetëve tona, por janë edhe në gjendje të na kontrollojnë. Kjo frikë është përshkruar edhe në një nga episode më rrënqethëse të serialit “Black Mirror” në Netflix, i titulluar “Shut Up And Dance” (Qepe dhe Kërce).

Si nisi gjithçka?

Në maj të vitit 2016, televizioni shtetëror rus, “Russia Today” transmetoi një kronikë, në të cilën flitej për disa grupe në rrjetin social rus “VKontakte,” të cilët përkrhanin vetëvrasjen midis adoleshentëve. Këto grupe i joshnin të rinjtë nëpërmjet videosh, që shfaqnin kode dhe shifra të enkriptuara, të cilët adoleshentët supozohej t’i deshifronin. Pak kohë më pas, në një nga gazetat më të mëdha ruse, u publikua për herë të parë një histori që lidhej me emrin “Balena Blu,” ku një moderator anonim iu jep lojtarëve detyra, kryesisht vetëlënduese, të cilat duhet t’i përfundojnë brenda 50 ditësh, deri në detyrën finale, që përfshin vetëvrasjen. Emri i lojës mendohet se vjen nga fenomeni i balenave blu, të cilat humbasin rrugën dhe përfundojnë në brigjet e oqeaneve, ku edhe ngordhin. Gjithashtu, ajo mund të lidhet edhe me këngën e grupit të njohur rus, Lumen, e cila titullohet “Siniy Kit” (Balena Blu). Kënga nis me vargjet: “Përse të bërtasësh/Kur askush nuk dëgjon/Përse po flasim?” Në klip shfaqet një balenë blu gjigande, që përpiqet të çajë rrjetën në të cilën ka ngecur.

Sipas raportimeve të disa prej lojtarëve që i kanë shpëtuar “Balenës Blu,” ADMINISTRATORI kërcënon se, nëse detyrat nuk kryhen, diçka e keqe do të ndodhë. Në lajme thuhet, se ai/ata kërcënojnë me vrasjen e të afërmve, apo familjes. Por, ka një kërcënim edhe më të tmerrshëm pas kësaj, që jo të gjithë e pranojnë. Ai/ata kërcënojnë me nxjerrjen e një sekreti të errët të lojtarit. Dhe kjo është edhe më e besueshme. Pasi ti shkarkon programin, ai/ata mund të monitiorojnë çdo veprim tëndin online, si edhe të kenë akses në dokumentet që ruani në kompjuter. Gjithçka që, nëse do të bëhej publike, do t’iu rrënonte imazhin dhe personalitetin tuaj. Sigurisht, ai/ata mund të dinë edhe ku ndodheni, nëpërmjet adresës tuaj IP, duke iu kërcënuar se të dërguarit e tyre do të vijnë për të vrarë persona, të cilët ju i njihni.

Investigimet

Historia e “Balenës Blu” nisi të trajtohej nga disa tabloide britanike vetëm në shkurt të këtij viti, duke publikuar fillimisht statistikat ruse, se rreth 130 adoleshentë që luanin lojën, kishin kryer vetëvrasje. Ato publikuan gjithashtu edhe fotografitë e disa prej viktimave, të cilat përfshinin disa vajza të reja simpatike dhe joshëse, duke provuar edhe seksualitetin e lojës si një tjetër element të rëndësishëm të saj.

“Radio Europa e Lirë” u përpoq ta hetonte fenomenin, duke infiltruar gazetarë si lojtarë, por ata u zbuluan dhe nuk arritën të shkonin larg. Nga ana tjetër, “Snopes,” ëebsite që monitoron mashtrimet dhe kurthet online, e ka cilësuar historinë si të “pavërtetuar.”

Qepe dhe kërce

“Balena Blu” nuk është thjesht një fenomen i ri mbi vetëvrasjen e adoleshentëve në vendet e Europës Lindore. Ajo është pasqyrimi i realitetit të jetës në epokën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Ajo ka të bëjë me kontrollin nëpërmjet përgjimit. Ne iu besojmë pajisjeve teknologjike sekretet tona, madje edhe ato më të errëtat, që nuk do të guxonim t’ia pëshpërisnim as vetes tonë. E bëjmë këtë me ose padashje, sa herë që kërkojmë diçka në internet, apo se herë komunikojmë online, duke ruajtur imazhe dhe video në kompjuter ose smartphone. Imazhe dhe video, të cilat mendojmë se i kemi siguruar duke i fshehur pas fjalëkalimesh të tejzgjatura. Ne kemi zbuluar gjithashtu se hacker-at mund të arrijnë secilin prej këtyre sekreteve dhe se vetë ne, shpesh i ftojmë ata në këtë ‘lojë,’ duke vizituar ëebsite të dyshimta. Në fakt, gjithçka ndodh ëshë ndëshkim për vetë imoralitetin tonë.

Pasojat më tmerrshme të një vigjilenti anonim, i cili kërkon të na ndëshkojë për krimet tona të fshehta online, ishin të qarta dhe rrënqethëse në episodin “Shut Up And Dance” të Black Mirror një vit më parë. Në të, personazhe të ndryshëm shkarkojnë padashur një virus, i cili monitoron kompjuterët e tyre, duke iu zbuluar edhe sekretet më të frikshme. Një i ri që sheh pornografi me fëmijë në internet. Një bashkëshort dhe baba, i cili shkëmben foto provokuese me të dashurën e tij nëpërmjet telefonit. Drejtuesja e një korportate gjigande, e cila shkëmben emaile raciste për punonjësit e saj, etj. ADMINISTRATORI iu jep atyre detyra, që sa vijnë e bëhen më të dhunshme, duke i kërcënuar me publikimin e sekreteve të tyre. Në fund, siç ndodh shpesh me fenomenin troll në internet, ata u ekspozuan gjithsesi, pavarësisht plotësimit të të gjitha sfidave.

Megjithatë, organizatori i gjithçkaje nuk publikohet. Forca e errët, duket se është vetë interneti me informacionet vetjake me të cilat e ushqejmë çdo minutë, i cili në fund kthehet në një motorr gjigand hakmarrjeje.

Kjo histori është kaq e ngjashme me fenomenin e “Balenës Blu,” saqë lind pyetja nëse lajmet janë thjesht fantashkencë. Nuk është më fjala thjesht për lajme që imitojnë artin, por për lajme që lindin nga arti. Ajo çfarë legjenda urbane e “Balenës Blu” paralajmëron, është paniku moral që ka përfshirë prej kohësh botën. Një frikë nga survejimi, kontrolli dhe ndëshkimi nga vetë sistemet e komunikimit që kemi krijuar dhe shfrytëzojmë çdo ditë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *