365 ditët e trashëgimisë dhe dëmet që dihen

Një ditar i shkurtër i vitit 2015 na kujton shumëçka mbi trashëgimisë kulturore në Shqipëri, ose të paktën, dëmet që dihen. Në ndryshim nga vitet e shkuara ku monumentet binin ose dëmtoheshin nga harresa, gjatë vitit që shkoi ato janë dëmtuar nga ndërhyrjet e gabuara restauruese, sipas specialisteve që kanë pasur këllqe ta thonë mendimin e tyre hapur.

Ministria e Kulturës nuk i ka pranuar dëmet, veçse ekspertë të trashëgimisë, herë hapur e herë nën zë kanë kundërshtuar disa ndërhyrje. Por le ti marrim me radhë ngjarjet e vitit 2015: viti nisi me një superdebat mbi kalimin e linjës së interkonjektsionit Shqipêri-Kosovë në vendbanimin e Komanit- në fillim ministria ishte pro dhe “kujdesej” për interesat e Ministrisë së Energjitikës, ndërsa pas debatit të Forumit të Trashëgimisë, shoqërisë civile si edhe arkeologes Etleva Nallbani ministria e kulturës u tërhoq duke mbrojtur më në fund interesat e veta dhe të arkeologjisë jo të OST-së; mandej u ndërtua pa leje në Shtëpinë e Abat Preng Doçit; u dëmtua godina gjashtëkëndore në qafën e Pazarit në Gjirokastër dëm iu ardhur prej restaurimit (nuk ka njoftim që firma restauruese të jetë penalizuar); Pllaka e “Sulejmanit” në kalanë e Lezhës u godit me gurë; u dëmtua varri i Kolë Idromenos gjatë restaurimit; nisi një ndërtim pa leje brenda kalasë së Tiranës; u ndërhy në fasadën e Kryeministrisë (monument kulture!!!); u bë restaurimi i debatuar i Hamamit të Krujës, restaurim i cili u mbrojt vetëm nga: kryeministri, ministrja dhe kompania restaruese-të gjithë të tjerët dolën kundër; u betonizua Teqeja e Melçanit dhe ranë muret e Butrintit, e për këtë u akuzua ‘Mesjeta’.

Se ku po shkon trashëgimia, dhe se ç’po bëhet me të, mbetet për tu parë.

Kur kisha e Shën Mërisë në Valsh u vodh e u dëmtua, ministri i Kulturës i asaj kohe, Aldo Bumçi, në fillim të vitit 2013 do të shprehej: “Nëse vidhet xhamia e Et’hem Beut, mos duhet bërë përgjegjëse ministria? Mos duhet të japë dorëheqjen?”. Atëkohë, nuk mbet njeri pa e kritikuar ministrin në fjalë, jo vetëm pse i zbehu rëndësinë kishës, jo vetëm që përjashtoi nga përgjegjësia ministrinë, por edhe se gjuha e përdorur prej tij u prit keq. Përtej kësaj, kisha e Valshit në Elbasan qe më e rënda e disa dëmeve të njëpasnjëshme të ndodhura gjatë detyrës së tij. Pothuaj tri vite më vonë, me një tjetër qeveri e tjetër ministër, dëmet vazhdojnë, trashëgimia është sërish në rrezik dhe deklaratat e zyrtarëve janë po aq fyese për këdo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *