17 vjet! 6 mijë e 205 ditë! 148 mijë e 920 orë! Dua Drejtësi!

doruntine malokuKjo është thirrja që drejton vajza e Enver Malokut, gazetari  i njohur i cili u vra pasditen e 11 janarit të vitit 1999, pak metra larg shtëpisë së tij në sy të gruas dhe të fëmijëve.

Doruntinë Maloku, e cila sot është deputete në kuvendin e Kosovës shkruan se e vërteta për vrasjen e babait të saj po fshihet, por s’do të jetë e largët dita kur fajtorët të shkojnë në burg.

“A ia vlenë ta përsëris thirrjen për drejtësinë që po mohohet? Në veshin e kujt do të bie zilja e ndërgjegjes? A dëgjon kush? Apo të gjithë janë të shurdhër?!

17 vjet! 6 mijë e 205 ditë! 148 mijë e 920 orë!
Për mua, një jetë e tërë në kërkim. Për shumë nga ju, thirrje monotone e përvitshme.

Dua drejtësi!
Aq më bën për qetësinë tuaj që prishet! Fare s’më bën për asgjë. Veç drejtësi dua për Babin tim! Asgjë më pak e as më shumë sesa të vërtetën!
Mallkuar qofshi, ju që e vratë dhe ju që e dini e po e fshihni të vërtetën! Unë besoj në Zot. Dhe e di se një ditë, jo shumë larg nga sot, do t’u shoh në sy, të gjithëve! Në gjyq! Maskarenj!”, shkruan Maloku në Facebook.

Në komentet e kohës kur u vra, u tha se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. ( Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *