Ag Apolloni
Sa i kuq ky vit, sa i keq ky vit
Patriotizmi si plehu kundërmon mbi tokë
Po pi raki në bar-bodrumin e Bibliotekës
E përralla pa limit m’randojnë mbi kokë
Ora u ba vonë, ora u ba vit
Vetmia po përzihet me tinguj balade
Ti ke harru me ardhë, a t’janë sosë bateritë
My barbie-doll që u grindëm fill para nji nate
Ja sapo mbaroi “Here without you”
As tingujt e kangës tande nuk të sollën këtë herë
Tash në lokal jemi unë, kamerieri
dhe “Anybody seen my baby” nga Mick Jagger
Akrepat e orës i ndjej fellë këtu në gjoks
M’çajnë si dhambët e tigrit gjoksin e bizonit
Mendja m’u lodh dhe trupi po më dridhet
Si heretiku n’bodrum në kohë t’Inkuizicionit
Dal jashtë, kudo valojnë flamujt horror
Diçka më djeg në gjoks: ti apo rakia?
Si zomb shekullor i them heroit mbi kalë:
“Kur jam i dehun, e bukur asht Shqipnia”.
Tiranë, 28 nëntor 2012