Gazmend Paja, pianisti mbi oqean

“I thashë lamtumirë çuditjes kur pashë ajsbergët e përbindshëm të detit të Veriut që shembeshin mposhtur nga të ngrohtët, u thashë lamtumirë mrekullive kur pashë të qeshin njerëz që lufta i kishte shkatërruar, i thashë lamtumirë tërbimit kur pashë tek po e mbushnin këtë anije me dinamit, i thashë lamtumirë muzikës, muzikës sime, ditën kur arrita ta luaja të gjithën në notën e vetme të një çasti… E kam ç’armatosur lumturinë. E kam zhveshur jetën time prej dëshirave. Nëse ti do mund ta ripërshkoje udhën time, do t’i gjeje njëra pas tjetrës, të namatisura, të palëvizshme, të ndalura aty përgjithmonë duke shënjuar drejtimin e këtij udhëtimi të çuditshëm që askujt nuk ia kam treguar, përveçse ty”.

Një kryevepër e repertorit botëror shkruar nga Alesandro Baricco, vjen në datën 30 mars në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” interpretuar nga aktori Gazmend Paja.
Me regji të Ilir Muharremit, ngjarjet që zhvillohen në anijen transoqeanike “Virxhinia”, që lundronte mes Evropës dhe Amerikës në vitet ’30-të.
Ishte periudha midis dy luftërave botërore, viti 1930 dhe anija luksoze transportonte miliarderë, emigrantë, apo njerëz të zakonshëm që mezi kishin siguruar një biletë të klasit të tretë për të shkuar në botën e ëndrrave, Amerikë. Brenda një anijeje njerëzit thoshin diku me pëshpërima dhe diku me zë të lartë se ndodhej një pianist i jashtëzakonshëm, me një teknikë të habitshme, i aftë për të prodhuar një muzikë të mrekullueshme, të padëgjuar kurrë me parë. Thonë se historia e tij qenkësh absurde, se paska lindur në këtë anije dhe se nuk paskësh zbritur më kurrë prej saj. Dhe psenë askush nuk e dinte…
Monodrama ‘Legjenda e pianistit’ pati premierën këtë 21 Mars në skenën e Universitetit të Arteve.

Kryevepra e Alessandro Bariccos, “Legjenda e pianistit mbi oqean” është vënë në skenë edhe nga teatri Bylis më herët, ndërsa Giuseppe Tornatore ka realizuar një film të suksesshëm me të njëjtën vepër.

Foshnja që lindi brenda në anije nga një dalldisje erotike, dhe u hodh në hollin e sallës së ballos dhe madje në kapakun e pianos, sikur donte të vuloste edhe talentin e tij në fushën e muzikës. Ka qenë drama e pianistit, ku miliarderi që e gjeti i vuri një emër amerikani. Dhe përsëri i “ngjiti” pas emrin e një shoqërie limonash, e më pas vitin 1900. ”900”-ta (Noveçento, pianisti ‘legjendë’) ishte pra talenti në piano, që do të prodhonte gjithë këtë muzikë dhe “dramë psikologjike” për spektatorin.
Unë, që nuk kam qenë i zoti për të zbritur nga kjo anije, që të shpëtoja kam zbritur nga jeta ime. Shkallë mbas shkalle. Dhe çdo shkallë ishte një dëshirë. Për çdo hap, një dëshirë së cilës i thosha lamtumirë. Nuk jam i çmendur, vëlla. Nuk jemi të çmendur kur gjejmë mënyrën për të shpëtuar. Jemi dinakë si shtazë të uritura. S’ka të bëjë çmenduria. Është gjenialitet, ai. Është gjeometri. Përsosmëri. Dëshirat po ma zhvatnin shpirtin. Mund t’i kisha jetuar, por nuk munda. Atëherë i namatisa…”, citohet nga pjesa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *