A po zhytemi plotësisht në jetët tona virtuale!

artificial-intelligenceAlarmi i zgjimit dëgjohet nga telefoni, teksa ju të përgjumur luteshit edhe për pak minuta të tjera gjumë. Kënga e preferuar, e cila ju zgjon çdo mëngjes, tashmë është kthyer në një torturë të vërtetë. Por, cili është veprimi i parë që bëni pas fikjes së alarmit? Në një studim online të kryer nga SOASTA, rezultoi se 84% e të anketuarve e nisnin ditën duke kontrolluar një nga aplikacionet e smartphone-ve të tyre.
Nuk ka asnjë dyshim se sot veç përditshmërisë tonë, secili prej nesh ka edhe një jetë tjetër virtuale, të ndërtuar me kujdes përmes filtrash shumëngjyrësh e postimesh, ku ajo duket gjithmonë e më interesante. Për shumicën prej nesh, duket se teknologjia është tashmë thjesht një mjet për t’u shkëputur nga realiteti apo për të kërkuar, nëpërmjet çdo “Pëlqimi,” miratimin e të tjerëve sesa bukur dukemi, sa të zgjuar jemi, apo sa interesante janë jetët tona. Pak prej nesh i kushtojnë me të vërtetë rëndësi mënyrës se si e përdorim teknologjinë.
Ne përpiqemi gjithmonë të parashikojmë personalitetet e të tjerëve, si do të reagonin ndaj një lajmi të mirë ose të keq, apo çfarë do të donin të ishin duke bërë atë çast. Kjo, sepse diçka e tillë është vërtet e rëndësishme në marrëdhëniet që ne krijojmë me njëri tjetrin. Por, mes morisë së njerëzve me të cilët njihemi, kush na njeh më mirë se të tjerët? Familjarët, miqtë, do të ishte përgjigja. Megjithatë, kjo nuk është më plotësisht e vërtetë. Teknologjia është ajo, e cila së fundmi është e aftë të njohë dhe të parashikojë thuajse çdo aspekt të jetës tonë. Madje, shpesh edhe më mirë nga sa ne e njohim veten.
Është tashmë e ditur se, ndërsa kemi hyrë në epokën e “Big Data,” të dhënat tona si dhe çdo frazë kërkimi e shtypur në Google, përpunohen për të na ofruar në fund vetëm informacionet që me të vërtetë na interesojnë. Facebook është në gjendje të na sugjerojë gjithmonë lajmet, njoftimet apo historitë që në një mënyrë apo një tjetër lidhen me jetën tonë të përditshme, aq sa nganjëherë duket sikur është në gjendje të kuptojë situatën në të cilën ndodhemi apo edhe mendimet tona. Youtube, veç rekomandimeve të videove, të mirëpret shpesh me pyetjen “Ndiheni të mërzitur?” (Feeling Down?), teksa sugjeron një mori videosh për t’ju ngritur humorin. Por, nëse ekziston vërtet një platformë apo teknologji e aftë të kutpojë thuajse çdo pjesë të personalitetit tonë, ajo do të ishte Google. Motorri i kërkimit që arrin të plotësojë automatikisht pyetjet tona si të na njihte prej kohësh bashkë me problemet që kemi, së fundmi ka sjellë “Google Now.” Platforma, që ashtu si “Siri” në iOS synon t’i bëjë sistemet e shfrytëzimit më njerëzorë, është në gjendje të na kujtojë sa herë që gjendemi pranë vendeve tona të preferuara, të na informojë në lidhje me trafikun apo edhe të filtrojë kontaktet tona duke përcaktuar se kush janë miqtë tanë më të ngushtë.
Deri para pak kohësh, teknologjia na kishte ofruar një sasi të pafundme zgjedhjesh në lidhje me kërkesat tona. Një liri aq e madhe saqë, në një çast të caktuar nis e kthehet në një tirani zgjedhjeje, kur pas çdo klikimi pyesim veten nëse bëmë veprimin e duhur. Tashmë, ndërsa rrjetet sociale, motorrët e kërkimit dhe softuer-et sa vijnë e bëhen më njerëzorë, të aftë për të na kuptuar më mirë edhe se miqtë tanë më të ngushtë, madje edhe vetja, pyetja që mbetet është nëse lidhjet njerëzore (prej kohësh të dëmtuara për shkak të teknologjisë), do të vijë një çast për t’u këputur dhe ne të zhytemi plotësisht në jetët tona virtuale. ( Përgatiti B.R/ Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *