Befasia e një vizite në maternitetin e Tiranës

Gjatë këtyre ditëve që jesh më Tiranë më kanë ndodhur lloj e soj gjërash, lexime në gazeta  e takime në kafenetë rreth e qark. Ngado që shkoja shihja njërës, që më bën të mendoja se këtu diçka e madhe nuk shkon e se të gjithë kanë dal mënç.
I lodhur siç qeshë, sidomos nga lajmet që përhapen si ferrë nëpër këto kutitë moderne me ngjyra, mejtova t’i bëj një vizitë së ardhmes së kombit. E ku shkova do pyesni ju? – Në maternitet shkova.  Përshtypja e parë sa u futa tek dera qe e mirë. Roja më pyeti gjithë kulturë ku po shkoja e unë i thashë po me aq xhentilesë se një miku im ish bërë gjysh e do i bëja një vizitë ta uroja për mbesën se ish aty brënda.
Më udhëzoi nga duhet të shkoja e ngjita shkallët. Gjërat dukeshin mirë e kjo më lumturoi. Më erdh vetvetiu një buzëqeshje në fytyrë. Ca punë i kanë bërë mirë këta rrufjanët po mejtohesha me vete. E që mos t’ju lodh, shkova e urova këtë mikun tim për mbesën. Ndjeva një goxha emocion kur ma dhanë për nja 5 minuta në dorë çupën e sapolerë, se të them të drejtën unë doktor jam, po me fëmijët s’jam mësuar dhe aq. Më bëjnë rrëmujë mendimet intelektuale me të qarat e  tyre. Në një çast, aty për aty desha t’i drejtohesha në një emër të voglës, e i pyeta qysh e kishin pagëzuar. Me fjalën akoma në gojë ma pret e ëma: – Sadna, do e quajmë Sadna si tek telenovela. Mbeç i çuditur fort e i ngrirë në vend. Po si të mos më mjaftonte kjo, në dhomën ku gjendej dhe një lehonë tjetër me fëmijën e saj djalë më thotë:- Ne ia kemi vënë emrin Alek. Do bëhemi krushq më duket, tha me një entuziazëm që mu duk si një lloj budallallepsje pas lindjes.
Mos ta zgjasja më qëndrimin në këtë vënt,   bëra të dilja nga dera, kur infermiera që hyn në dhomë u thotë të  sapolindurave: Ja po u vjen dhe një shoqe e re, Sadna me mamin  e saj e po i drejtohej një shtrati të tretë për ta rregulluar.  Dola pa fjalë e pa buzëqeshjen  me të cilën hyra brenda. Eh mor Gjilpërë i thashë vetes, nuk i kuptove kurrë shqiptarët. Përherë duke u bërë siç është prirja e turmës mbetën. Tani do na marrën dhe për indianë, e pastaj do thomi na i pati fajin India, siç ia bëmë Turqisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *