Doktor Gjilpëra ankohet që mbaruan pushimet e nëntorit

Jam fort i hidhëruar që sot mu desh të zgjohesha që pa gdhirë. Në mes këtij shiu e këtij qameti, hapa sytë dhe shfryva: oh, si mbaruan këto të bekuara pushime. A e mbledh dot veten njeriu pas pesë ditësh, të vishet e të ngjishet e t’u drejtohet zyrave? Edhe nuk ka shumë kuptim, t’u them ç’më do xhani. Se sot e enjte, nesër e premte deri në orën 14:00 punojmë. Erth fundjava. Ç’na nxorën kot në punë, për një ditë e një të tretat? Na prishnë rehatinë, ne edhe festuam mbrëmë në shesh. Se edhe të bëjnë festë, edhe të nxjerrin në punë. Ç’u pa? Të vijë vajzë e botës nga anë e anës e ne të mos kërcejmë para Skënderbeut? Më duket fort e rëndë. Po shteti aq di, aq bën. Nuk ia thotë fort për kësi organizimesh. Governa kur e pa që qe tërë ky shi më mirë të twitteronte, bëjeni pushim edhe sot se mos na ftoheni. Në fund të fundit, po u ftohëm ne punonjësit e shtetit, kush do e drejtojë këtë vend? Kush do i radhisë ato shkresa, kush do i firmosë, kush do i engledisë qytetarët nga një zyrë në tjatrën? Në fillim mendova të çoja një haber nga shefat e tu thosha: jam sëmurë, kam ethe e haluçinacione prej temperaturës. Pastaj, mbasi e kuvendova me veten kuptova se duhet të shkoja në zyrë. Duhet, se pa konsulencën time ata nuk bëjnë dot. Si do i drejtohen botës a kombit, pa këshillat e mia? Ata ndaj më mornë në punë, t’u jepja mend si bëhet shtet, t’u jepja nga përvoja ime e salloneve elitare të Avropit. Pashë ç’pashë, mbërrita në zyrë. Ca orë edhe patëm ftohtë se na ikën dritat. Nuk kanë faj ata të elektrikut se edhe ikin dritat, helbete ky stan këto kushte ka. Tani që erdhën dritat, thashë t’u shkruaj: ore ju që qetë në punë, si u shkoi këto ditë? Njerëz jini edhe ju, edhe keni nevojë të pushoni, po më besoni më mirë të mos mësoheni me pushime se nuk u bëhet më të veni më punë. Ja unë sot, mezi e mblodha veten. U kam lëçitur, ta dini. Jo flamuri, jo partizanët; jo Esati, po Ismail Qemali; jo 28-a po 29-a. Po sa të ngeshëm që ini! Ju qofshi! 

 

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari Dr.Gjilpëra

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *