Në fakt, ngjajnë me fraza të shkëputura nga një vepër e dashur, që e mban në tryezë për ta lexuar herë pas here. Dhe, më tej, përgjigjet e saja, mbeten në mendje gjatë, njëjtë si poezitë, si veprat e çmuara të letërsisë, dhe shijohen po aq sa vargjet e poezive që ka përmbledhur në “Ftesë për flirt”. Açka, thotë se ka shkruar për natyrën, rrugën, motin, kaosin shqiptar, hipokrizinë tonë tipike, ndjesinë “outsider”, e imponuar shpesh nga rrethanat, ndjenja e thellë, seksin (ai i konceptit të saj mbi erosin). Veçse, ajo ka shkruar për shumë më shumë se kaq. Ajo ka shkruar për shpirtin, dhe të mund ta sjellësh shpirtin mes materies e ta bësh të prekshëm, është një hap i madh.
“‘Ftesë për flirt’ ka edhe të tilla poezi, që ndonjë politikani dritëshkurtër, nuk do t’i shijonin shumë”, – thotë Flutura, ndërsa shton se poezia nuk ka kohë të tjerrë histori dhe të gënjejë. Poetja vjen në një bisedë për dashurinë dhe ngjyrat e gjendjet e saj, për botën e femrës, për botën e burrave, për një burrë dhe burrat që kanë lënë gjurmë, për atdheun, për letërsinë, për vargjet, për mallin, paragjykimin, turpin, rregullat që nuk i ka të shkruarët nisur e gjitha nga “Ftesë për flirt” në “GAZETA SHQIPTARE”.
– “Nuhurimë e tij/çliroi mbërthesat e gjirit,/ e imja, shpirtshëm, zbërthesat e tij./Heshtja peshon rënkimshëm,/ në marrafrymje, me marramendje/me të tillë ‘lëndim’,/me të tillë kimi,/si di ai”. Këto vargje të shkëputura nga libri juaj i fundit, duken një ftesë e parezistueshme për librin tuaj të ri. Përveçse për të shijuar magjinë e së bukurës, pse duhet ta lexojmë librin tuaj?
Përse shkruhet poezi, përse lexohet poezi? Kjo është pyetja që bren më shumë në kohët e reja, kur poezia është gjithnjë e më shumë në rrethinat e saj, si e përjashtuar nga festa e madhe në pjacë të kulturës. Por poezia vazhdon të mbetet një princeshë e papërlyer, sepse është më afër së vërtetës, më afër thelbit të njeriut, për shkak të spontanitetit, mënyrës se si shkruhet, nga gjendja e rrëfyesit në kohën e shkrimit, që nuk është kurrsesi ajo e së rëndomtës, duke futur këtu edhe shkrimin e prozës. Poezia është zgjatim i drejtpërdrejtë i sentimentit, dhe megjithëse mund të duket se shkruhet në koshiencë në emër të një emri të përveçëm (flas për atë erotike), kur e lexon, çdokush e personalizon, dhe këta kufij që lidhen me raportin “unë dhe unë”, shkrihen. Shpesh më ndodh që e lexoj poezinë time si jo imja, si poezi që më ndihmon të përjetoj një ndjesi që më mungon shpesh në rutinën e jetës. Kur kjo më ndodh me poezinë time, mendo se ç’më ndodh me poezitë e të tjerëve! Poezia, ajo e vërteta, është emocion, dhe njeriu ka nevojë për të, që të kujtohet se nuk është një robot në mesin e kësaj natyre të ndërtuar me kaq larmi. Por, poezia është edhe argëtim, një rrekje për kënaqësi estetike, një ridimensionim shpirtëror, që herë-herë e dëshirojmë me etje. Uroj që edhe poezia ime ta ketë fatin të jetë pjesë e këtij “arsenali” përparësish, me të cilat është bekuar poezia.
– A ka ndonjë arsye të veçantë pse libri mori titullin “Ftesë për flirt”?
Mund të ngjajë për ndokënd si një titull jokonvencional, por titulli i shkon frymës së këtij libri. Flirti në marrëdhëniet ndërnjerëzore, nuk mund të kufizohet vetëm me ngjyrimin e tij erotik, aq më shumë në një shoqëri si jona, fjala flirt e kapërcen këtë ngarkesë që nis nga “keqkuptimi” në leximin e rrafshët të tij. Këto nënshtresime janë të natyrshme në libër, dhe madje e kapërcejnë librin, lidhen më shumë me gjendjen time si shkrimtare, në të cilën “Ftesë për flirt”, është vetëm njëri nga pragjet ku kam qëndruar. Dhe në këtë rast, ishte poezia në radhë, që do të thotë se jam më pranë edhe thelbit tim. Por e pranoj, ky libër ka nota të forta erotike, edhe pesë vëllimet e mëparshme kanë pasur poezi të tilla, por ky libër e ka në atmosferën e tij më të plotë erotikën.
– Shpesh, ke thënë në biseda se shkruan poezi po që i ke hedhur rrotull. Të sa viteve janë këto vargje?
Pjesa më e madhe e poezive janë të viteve të fundit, pra pas botimit të vëllimit të pestë poetik “Zbathur” në vitin 2007. U përpoqa të përmbledh ato poezi që i rrinë pazëllit të librit e të mos përziej në to shumë prej “shkarravinave” të shumta të udhëtimeve të mia, veçmas një cikël të tërë mbi Afrikën. Do ta lë për një përmbledhje tjetër, ku dimensioni i rrugës të jetë përcaktues. Por kam përfshirë në të edhe një cikël liriko-erotik të shkruar gjatë viteve, poezi që kanë atë hovin dhe naivitetin e rrekjes për maturim, edhe atë letrar. I kam lënë ashtu siç janë, ndoshta edhe për një lloj kontrasti me poezitë e reja të shkuara vitet e fundit, ku një lexues i kujdesshëm i poezisë sime, arrin ta gjejë ndryshimin. “Ftesë për flirt” është një ndjesë e gjatë për këtë shkëputje të madhe me poezinë, po të përmend se “Zbathur” ka qenë një vëllim i suksesshëm dhe i lexuar shumë.
– “Dikur/ Kur numëroja psherëtimat/ fustanë basme vajzërie mbaja,/ gjer i grisja,/ në yje kërkoja/ “fajin” që nuk e njihja./ Tani fustanët e paveshur ankohen,/ si “fajet”… s’pata kur t’i vishja”. Për çfarë është penduar Flutura? Për çfarë e merr malli nga kohët kur vishte fustane basme?
Rinia është gjithnjë më e nxituara në jetën e njeriut, më e pafajshmja, por edhe më naivja, pasi atyre vuajtjeve të bukura u jepje peshën e tragjedive. Ajo, shpirtërorja, ka një tjetër peshë në thelbin tënd, dhe pesha e rëndesës së njeriut anon kah sentimenti, kur barometri i emocionit mat shtypje të mëdha shpirtërore, kur jeta jote i ngjan çlirimit në pranverë. Mëkatit shpirtëror ia zë vendin shpejt mëkati logjik. E në këtë nxit harron ndonjëherë t’i bësh higjienë emocionit. Kur nis e mëson këtë, rinia ka shkuar dhe nis e sillesh ndryshe me gjithçka, edhe me erosin tënd, i cili merr tjetër vlerë: është më shumë mendim sesa mish; dhe dashuria (edhe erosi yt) nis e kthehet në një përzierje mes hovit dhe dhimbjes, e kërcënuar edhe nga mosha, pra nga humbja.
– A janë vargjet e mësipërme, një ftesë për të jetuar më shumë kilometra në orë, paçka të gjithave? Një ftesë për ta ndjerë jetën, pavarësisht çmimit?
Tani mund t’i bësh ato kilometra më shumë në orë, liria t’i jep të gjitha mundësitë. Mund të lexohen edhe ashtu, edhe si një ftesë për ta jetuar jetën, dhe e shpjegova pak më lart përse. Ne të gjithë kemi pengjet tona, por ndryshe nga të tjerët, poetët edhe i artikulojnë ato. Artikulimi i këtij ‘faji’, nuk është veçse një dëshirë për ta përjashtuar atë nga vetvetja, për ta lënë barrën në të tjera supe. Dhe ky është ligjërimi poetik, jo ngasje për të ndarë dhe interpretuar pengjet dhe mallëngjimet e tua.
– Ke thënë se “Kur shkruajmë poezi, nuk e mendojmë, sepse shkruajmë siç ndiejmë”. Çfarë ndjen kur shkruan poezi?
E përcika pak më lart, poezia është më afër së vërtetës njerëzore, më afër arkitekturës biologjike të njeriut, dhe veçmas poezia erotike, që edhe pse është produkt i subkoshiencës, është më afër tij: poezia nuk ka kohë të tjerrë histori dhe të gënjejë. Poezia është një lloj shkarkese elektrike, por ti je në botën paralele dhe nuk ndien asgjë. Në rini, kur poezia ime ishte shumë më spontane, më kujtohet një dhimbje koke që e shoqëronte, por nuk vinte nga poezia, por besoj nga rrëmuja që më shkaktonte nxiti i saj. Poezia ndikohet nga rrethanat, nga gjendja jote, por fakti që ti e redakton e përpunon, do të thotë se nuk ka lidhje me atë çfarë ti ndien kur e ke shkruar, pasi ai çast dhe ajo ndjesi tashmë ka ikur.
– A janë shkruar këto vargje mes lotësh të nxehtë, apo mes buzëqeshjesh?
Nuk besoj se jam nga ai lloj poeteshash që qan apo qesh kur shkruan. Edhe pse poezia është më afër thelbit, siç shpjegova, ajo mbetet një shkërbim i tij dhe kurrsesi nuk e konkurron, pra është e ftohtë, pa lot, pa përqarje. Ndryshe nuk është letërsi, por vargëzim për të balancuar gjendje të caktuara, të shpeshta në jetën e njeriut. Të tilla vargje, të shkruara me këtë dozë mallëngjimi, nuk janë për konsum të të tjerëve, mbahen nëpër ditarë, dhe as besoj se quhen poezi. Por sigurisht koha kur shkruan ndikon në kohën tënde shkrimore, dhe te poezia ime ajo është përcaktuese, veçmas te poezia ime sociale, dhe në “Ftesë për flirt” ka edhe të tilla, që ndonjë politikani dritëshkurtër, nuk do t’i shijonin shumë. Në këtë vëllim, simbolika e këtyre poezive, ka të ngjarë t’ia ndryshojnë krejt frymën vëllimit për ndonjë lexues të caktuar, i cili mund ta shohë librin me shumë si një traktat poetik mbi kohët e reja shqiptare. Natyra, rruga, moti, kaosi shqiptar, hipokrizia tipike shqiptare, ndjesia “outsider”, e imponuar shpesh nga rrethanat, ndjenja e thellë, seksi (ai i konceptit tim mbi erosin), janë amplitudat ku luhatet poezia ime, por gjithnjë, edhe pse ndonjëherë në vetë të parë, asnjëherë për vetë të parë. Unë jam më shumë vetvete në poezi, por më pak Flutur.
– Ju, e keni trajtuar edhe te “Kukullat nuk kanë atdhe” marrëdhënien mashkull-femër. Në një intervistë për “GSh”, atëherë më thoshit se femra është ende nën tutelë. A jemi ende sot në të njëjtën pikë, apo kemi ecur para?
Nuk di të them qartë, sepse ka rrjedhur shumë pak ujë nga ajo kohë. Në trojet tona, më shumë dëgjojmë lajme për femra që shërbejnë si prostituta (një profesion si gjithë të tjerët, në sytë e mi), se sa për artiste. Kjo është vetëm dukja, dhe nisur nga kjo dukje, më ndjehet shumë e emancipuar shoqëria shqiptare. Por jo, kjo është vetëm koraca. Ne kemi probleme shumë të mëdha me raportin thelbësor të kësaj bote, probleme shpesh të ndikuara nga tradita, dhe këtu flas per gjeografinë përtej vijave të verdha të qyteteve, jo për mikeshat e mia. Por më ka ndodhur që edhe mikeshat e mia, e shohin gjykimin tim ndonjëherë të tepruar, dhe ia veshin këtë, po themi, liri timen, rrethanave të jetës sime. Tutela, është pak të thuash për femrën shqiptare sot, sot më shumë se kurrë ajo i është ekspozuar një shovinizmi mashkullor, po e përsëris: si kurrë më parë, që vjen më së shumti nga dominimi i parasë dhe pushtetit, ose përqendrimi i tyre. Femrat shqiptare janë të kërcënuara nga shefi, nga drejtori, nga profesori, nga ministri, edhe në privat po e njëjta histori. Po flas për ato femra të cilat nuk duan të jenë dhe nuk janë dorëzani të vetes për t’i shërbyer shefave, jo për ato që e shohin si mjet në karrierën e tyre. Si do të shpëtojnë këto gra nga tutela që po ia ndërton kaq brutalisht kjo kohë? Në këtë pikë, duke e institucionalizuar “prostitucionin etik” (pra të shkosh për etikë me shefin), po, ne kemi ecur përpara. Madje shumë. Sa trishtim!
– Flutura, çfarë është dashuria për ty?
Dashuria, kjo “sëmundja e botës” (sipas Nolit) na zë të gjithëve, dhe jo një herë madje. Dashuria është një pasuri shumë e madhe në jetën njeriut, por çështja është që edhe kur e humb, edhe kur e zë pluhuri i së shkuarës, të mund ta kujtosh dhe të vazhdojë ende të të emetojë energji, jo të të kthehet në stërkëmbësh që të pengon. Dashuri do të thotë të japësh, të jepesh. Rrënjën e fjalës dashuri në hebraisht, është ‘me dhënë’. Dhe të japësh është pjesa e meritës tënde dhe nëse merr apo jo në këmbim, kjo është e dyta, dhe pjesa e fatit tënd. Unë e kam pasur gjithë jetën meritën e të dhënit, por edhe fatin të kem marrë, pra të më kenë dashur, pra të më duan ende. Dashuria është po e njëjta lëndë në jetën tënde, por thjesht ndryshon formë, merr formën e trupit dhe karmës tënde. Dikur dashuria për mua ishte ikje për te tjetri, tani është rikthim te vetvetja.
Dikur ishte nxitim dhe sfidë, tani është qetësi dhe pranim, dikur ishte mish dhe ethe, tani është pore dhe dhimbje, dikur ishte dukje dhe ngjyrë, tani është thellësi dhe fshehtësi. Nëse do të më pyesje se cilën nga këto do të zgjidhja, do të zgjidhja të dytën. Por rinia nuk bën zgjedhje. Kur i mendoj vitet më të rëndësishme të jetës sime, kur kam bërë njëherësh shumë gjera, shumë punë e shumë mundime, të cilat, me një llogari të thjeshtë nuk do të mund t’i kisha bërë dot, as fizikisht madje, përgjigjen e gjej të thjeshtë: unë kam qenë një grua e dashuruar, kam qenë në shtjellën e një sinergjie që më ka mbajtur në punë të gjitha përbërësit e njerëzores sime. Dashuria zgjon sensorë të tillë, që në kushte të tjera njeriu as nuk e di që i ka.
– Po dhembja, ajo e dashurisë?
Dhembja e dashurisë vjen për shkak të atij zhbalancimi që ju shpjegova, ose që vjen nga thyerja e arkitekturës virtuale që ke ndërtuar, të atij perceptimi të kushtëzuar që ke kërkuar prej saj. Dashuria nuk mund të jetë reciprokisht e kushtëzuar. Kush kërkon kushtëzim, ka dhimbje. Dashuria shpesh interpretohet si diçka hyjnore, por në fakt është thjesht tokësore, aq tokësore sa e prek, e provon. Luhatjet mes meritës dhe fatit në dashuri, janë terrenet ku endet letërsia tash e 3000 vjet qysh prej Homerit dhe nuk ka mundur kurrë që ta shterojë. Kur humb dashurinë, të humb ‘refleksi në ujë’ (siç e quan Solomoni) dhe ti futesh në mbretërinë e vetmisë. Dashuria është largim nga vetmia. Njeriu lind vetëm dhe vdes vetëm, këtë vetmi mes këtyre dy skajesh që nuk i kontrollojmë dot, vetëm dashuria mund t’ia bëjë të harrueshme. Është antiseptiku më i mirë shpirtëror, që njeriu shpiku – ‘shpikja me emrin dashuri’, është një varg i Ahmatovës – për veten, dhe për të plotësuar formulën e dëshirimit ndaj vetes.
– Si e sheh marrëdhënien eros-turp në shoqërinë tonë?
Ne jemi shoqëri hipokrite. Këtë nuk po e absolutizoj, por shpesh kemi treguar se kemi probleme të mëdha me erosin. Më ndodhi njëherë një incident me një nga bashkëpunëtoret e mia, e cila refuzoi të hidhte korrigjimet e një teksti tejet erotik (ka të ngjarë nga Houelebecq). U habita nga refuzimi i saj si edhe shpjegimi “i turpit” që i bëri tekstit të cilin nuk denjonte ta lexonte e jo më ta korrigjonte. Asaj i bëra një pyetje të thjeshtë: “Më fal, si i ke bërë fëmijët ti?” Këtë ngërç e pashë edhe kur botova “Kukullat nuk kanë Atdhe”; disave gjuha e librit iu duk (në fragmente të caktuara) e turpshme, e turpshme sepse e shkruante një grua, e turpshme sepse ishte përtej çfarë pranon morali. Madje ndonjë nga letrat shqipe e etiketoi edhe si pornografi. Kjo do të thotë se ne kemi shpesh skrupuj falsë për të gjykuar letërsinë, kur vetë jeta shoqërore shqiptare, ajo çfarë shohim dhe dëgjojmë çdo ditë, letërsia e sotme e ka të vështirë ta përfshijë, të tilla bëma ka përditë, edhe ato pornografike mes tyre. Mjaft të përmend debatin e fundit për erotikën në poezi, dhe e kupton se në çfarë niveli debati publik kemi ne. I mjerueshëm!
– A jemi pak të pasinqertë me veten dhe me njëri-tjetrin, kur e refuzojmë poezinë erotike dhe shfaqjen e erosit, kur në rastin më të parë që dikush fyhet, niset nga raportet e tij me seksin e kundërt (ose të njëjtin)?
Poezinë erotike nuk e shpikëm ne, sikurse as erosi nuk është domeni ynë, i shkrimtarëve dua të them. Për fat të mirë, “burri im nuk lexon shqip, kështu që mund të shkruaj çfarë të dua”; kështu më tha një mikja ime e letrave. Megjithëse kjo nuk ishte shaka, unë e mora si të tillë për të mos i rënduar burrat shqiptarë. Edhe sikur të isha martuar me ndonjë burrë shqiptar, me erosin në shkrimet e mia, unë do të isha sjellë njësoj, i mbetej burrit që të sillej ndryshe, nëse donte të ishte në jetën time. Të mendosh se çfarë do të thonë të tjerët kur të të lexojnë, se do të personalizojnë me ty, do të thotë autocensurë, dhe aty mbaron letërsia. Skrupujt njerëzorë janë ndryshe nga skrupujt letrarë, nëse sigurisht ka skrupuj letrarë. “Në letërsi nuk ka moral”, thotë diku Niçe, “por gjykim moral mbi letërsinë”. Unë kam qenë me fat, pasi shkrimëria ime erdhi në një kohë me lirinë, sepse kam frikë – për shkak të natyrës sime rebele, mbase – ose nuk do të isha bërë shkrimtare, ose do të kisha përfunduar në burg. Unë nuk jam krijesë që pranon diktatin. Kompromisi nuk lind në një ditë me njeriun, kompromisi mësohet, dhe në Shqipërinë e sotme, nga mënyra se si është organizuar, është një shkollë ku e mëson lehtë kompromisin. Nuk besoj se do të isha mësuar.
– Vargjet e tua, a kanë “një burrë” pas vetes? Një burrë, një mashkull, një dashuri, një kujtim, një dhembje, një harresë?
Natyrisht e kanë, por burrin si materie që më zbërthen thelbin e të qenit grua; burrin si lëndë që të ndihmon të eksplorosh një botë paralele, siç është seksi, mes dhjetëra botësh paralele që njeriu jeton në jetën e tij; burri që të njeh dhe të do si të barabartë, jo në gjini, por në peshë mendore dhe ndjesi; burrin që të shkakton rrëmujë në limftë, por që e ka edhe këtë rrëmujë për ty; burrin që ka meritën të të dojë dhe fatin ta duash, dhe përmes asaj shqise të përbashkët të camistry- s identifikon veten. E mbarsur e gjithë kjo thurje në poezi, e shmang dimension personal të instinktit, dhe e kapërcen madje. Asnjë burrë në botë, qoftë dhe burrat e jetës sime, nuk besoj do ta pretendonin privilegjin e të qenit në vargjet e mia. Në to është burri pa emër, që mbase ende nuk e kam njohur, ose që e kam njohur por që përjashtimisht ka lënë njollën e bukur të dashurisë, por edhe gjurmën e një trilli jopersonal. ‘Burrat e mi’ e kanë pasur këtë koshiencë që të pranojnë se në subkoshiencën time ka pasur më shumë vend se ç’mund të mbushnin ata me trupat e tyre të pakët.
– Më mori malli për “vesin”/ e përveçëm të burrit,/ të më pushtojë/ e të harrojë gjer tani/ me trupat tanë çka ngjarë/ dhe të më thotë sërish:/ Sot të desha si kurrë më parë!” Nëse këto vargje do të cilësoheshin të turpshme, ju si do t’i përgjigjeshit?
Nëse, pra nëse do të ishin të turpshme, pyesni ju. Pra, nuk janë të turpshme. Por unë po ju jap një varg të turpshëm nga libri për të cilin po flasim: “lojë e lëngët në rimth”, rimthi, në shqip do të thotë klitor, dhe loja e lëngët nuk ka nevojë për shpjegim. E ç’ka për turp këtu? Ose edhe në të tjera më të turpshme? Kush e ka matësin e asaj se çfarë është dhe nuk është e turpshme në letërsi. Letërsia është si kozmosi, nuk ekzistojnë koncepte: shumë vulgare, shumë erotike, shumë e turpshme, shumë seksuale. Përgjigjja ime është vetëm një: ose merre ose lëre poezinë, mos e gjyko! Unë nuk jam shumë e apasionuar pas doktrinave fetare, por në Bibël e ka një shpjegim shumë të bukur mbi faktin se kush duhet t’ia hedhë gurët gruas së përdalë. Në këtë sens të gjithë jemi mëkatarë, ndryshimin e kemi vetëm nga marka e dyshekut që përdorim, por të tjerat i bëjmë të gjitha njëlloj.
– Kur kam lexuar këto vargje “Një burrë si ti/ ka ethe të çuditshme pushtimi/ të largëta/ të paqta/ si hijesira rrëqethëse mrizimi. Ti di të durosh,/ sepse zotëron padurimin tim/ të vetmen pasuri/ që s’e ndave/ as me mua,/ gruan e prapë/ që të ka, edhe në vetmi”, kam pyetur veten, nëse femrat janë të gjitha, të brishta, të pafuqishme, të mundura nga padurimi i dorëzuar dikujt. Tani të pyes ty, pse femrat janë të dobëta gjer në dhimbje?
Femrat nuk janë të dobëta, kanë një qasje tjetër ndaj ndjenjës, më serioze, më të thellë, më të vërtetë, më akute dhe më të frikshme. Shih, kur një femër do, ajo do kokë e këmbë. Prandaj burrat ndonjëherë i braktisin gratë që bien në dashuri me ta, sepse e dinë, kur një grua do, do vërtet, dhe bën gjithçka, gjithçka për dashurinë e saj. Femrat janë ato që më së shumti demonstrojnë dashurinë Agape, siç janë meshkujt ata që më së shumti demonstrojë Erosin. Kombinime i tyre jep gjithnjë një lidhje të fortë, por femrat janë gjithnjë më seriozet; jo se duan më shumë, por duan ndryshe nga burrat. Ndoshta edhe për vetë ndërtimin fizik dhe shkallën e përpunimit të tyre si qenie të natyrës. Ato janë më të sofistikuara, dhe ndaj edhe vënë më shumë ndjenjë se trup në marrëdhënie, ndërsa burrat si qenie më afër natyrës, më pak të përpunuara, investojnë më shumë trupin se ndjenjën. Por kur do një burrë ama, e lumja ajo grua!
– A e cilëson veten një femër të fortë? Kam parasysh opinionet e dhëna në çështje të ndryshme, ku ke marrë përsipër të dalësh hapur, dhe të thuash mendimin tënd, pa dorashka? Si mundesh ta përballosh ‘hakërrimin’ e së ligës?
Unë nuk jam femër e fortë, unë jam shkrimtare e përgjegjshme. Ka edhe shkrimtarë të tjerë të përgjegjshëm, por ndoshta në rrethanat që janë, nuk mund të jenë “të fortë” (po përdor termin tuaj) për shkak se në një klub fshati si Shqipëria jonë, të gjejnë shumë lehtë. Mos kujtoni se nuk më kanë gjetur edhe mua. Vetëm në dy vitet e fundit, për çudi timen, jam censuruar disa herë nëpër gazeta, janë shkruar kundër meje shkrime nga më të paturpshmet nga pseudonime të shërbëtorëve të pushtetit, gjë që nuk më ka ndodhur në 25 vite që shkruaj. Kjo është e frikshme, dhe kur them e frikshme unë, që fundja jam tashmë një qytetare holandeze, mendoni se ç’ndodh me shkrimtarët e tjerë. Por kjo është njëra anë e çështjes; unë njoh miq dhe mikesha të mija në letra që nuk trazohen shumë, ose duan të mbeten thjesht shkrimtarë në dhomën e tyre, ose nuk duan të prishen me ujërat rrotull. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë, janë të ndarë në të majtë a të djathtë. Mbase ky epiteti i “së fortës” më ka mbrojtur dhe më ka mbajtur larg joshjes që ta lehtëson jetën, pra larg atij flirti që të fton shpesh jeta.
– Alda Merini ka thënë: “E di kur vdes?/ Kur pushon së dashuruari;/ bëhesh asgjë/ kur s’të dashurojnë më.” Ju si mendoni?
Sikur të ishte e mundur ta hipotekonim dashurinë, do të kishim blerë lumturinë e përjetshme. Por kam frikë se njeriu do t’ia dalë të blejë rini të përjetshme, por jo dashuri të përjetshme. As erosin jo, madje ka të ngjarë që erosi (ai grua-burrë) të hiqet shpejt nga fjalori. Viti 2016 u quajt viti i dashnorëve robotë, që gratë tani do t’i zëvendësojnë të dashurit me mish me ata prej metali. A nuk është kjo vdekje e emocionit? Të biesh në dashuri me një makinë, po makina si do të bjerë në dashuri me ty? Këtë nuk e kuptoj dot, ndoshta vetëm po të jem vetë makinë. Pra, do të kthehemi në asgjë, siç thotë poetesha që ju përmendni. Ose si Danieli, personazhi i “Ishullit të mundshëm”, kloni i radhës i atij Danielit të parë, i cili, me një grusht pilulash, me kujtesën e tij artificiale, në një botë të djegur nga atomi, niset në kërkim të asaj që i ka munguar, dashurisë. Por deri atje, kishte harruar ta ruante botën e gjallë, pra edhe dashurinë.