Pamuk dhe Elif Shafak: Stambolli, qyteti i ëndrrave dhe maktheve, një shoqëri patriarkale, seksiste dhe homofobike

Një skaner nga dy intelektualë për shoqërinë turke- Orhan Pamuk dhe Elif Shafak: Stambolli, qyteti i ëndrrave dhe maktheve, një shoqëri patriarkale, seksiste dhe homofobike

Ndërsa Muzeu i tij i Pafajësisë, shkon në Londër, nobelisti turk merr autoren e re Elif Shafak në një ‘tur’ në kabinetin e tij. Ata flasin për kuptimin e rëndësinë që ka Stambolli për ta dhe për amnezinë kolektive të një vendi ku shkrimtarët mund të futen në burg për një postim në tuiter.

Elif Shafak vjen në një bashkëbisedim me Pamuk, si më poshtë, për “The Guardian”

Stambolli është emri i një qyteti dhe emri i një iluzioni. Në të vërtetë, nuk ka asgjë tjetër si Stambolli. Ka vetëm Stambolle- që konkurojnë, përplasen, dhe në një farë mënyrë bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë të tejmbushur. Kjo është një nga temat për të cilat unë dua të flas me Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për letërsinë. Dominimi në rritje i një ideologjie të ngjashmërisë përmes atdheut tonë.

Turqia është një vend ku harrohet lehtë. Çdo gjë është e shkruar në ujë, përveç veprave të arkitektëve të mëdhenj, si Sinani, të cilat janë ‘shkruar’ në gur; dhe vargjet e poetëve të mëdhenj, si Nazim Hikmet, që janë mësuar përmendësh. Stambolli është një qytet i amnezisë kolektive.

Ndërsa ecni në rrugët e Londrës, ju dalin përballë pllaka të panumërta që përkujtojnë njerëz – kompozitorë, romancierë, politikanë – që jetonin në ato ndërtesa. Kujtesa është mbajtur gjallë, përmes statujash, shenjash dhe librash.

Stambolli, nuk është kështu.

Aty, ka kaq pak kujtesë dhe është më e lehtë për kujtesën selektive të shtetit të mbijetojë.

Një mënyrë subjektive për të lexuar të shkuarën, e prezantuar nga lart, do të thotë triumf i pikëpamjes së shumicës mbi individualitetin dhe diversitetin.

Prandaj e gjithë retorika në Turqi është rreth “paraardhësve tanë fisnikë osmanë”. Këto ëndrra perandorake, kanë inkurajuar një politikë të jashtme katastrofale në Lindjen e Mesme dhe një bashkim të rrezikshëm të nacionalizmit dhe islamizmit.

Ne takohemi në Somerset House në Londër, ku po ekspozohet Muzeu i Pafajësisë së Pamuk. Ai është i emocionuar dhe nervoz, shenjë kjo që tregon se sa kujdeset për të.

Muzeu i tij i tij është rritur njëherësh me romanin e tij me të njëjtin titull: një histori dashurie mes një djali te fejuar nga shoqëria e lartë të quajtur Kemal dhe fiksimit të tij për kushërirën, një vajzë e bukur e quajtur Fysun.

Muzeu tregon detaje nga jeta e përditshme, nga ftesat e dasmës tek copëzat e gazetës, tek lugët e kriporet, kronikën e një çifti të sëmurë, ndërsa tregon edhe historinë e dy familjeve dhe vetë Stambollin.

Unë dhe Pamuk flasim për politikën. Këto ditë kushdo që guxon të thotë diçka kritike, etiketohet tradhtar dhe armik i kombit.

Ne të dy e dimë çdo të thotë të jetosh me bodigardë, për shkak të asaj që ke thënë në një intervistë ose në një roman.

Çdo poet, shkrimtar, gazetar apo akademik në Turqi, e kupton se për shkak të një libri, artikulli, postimi ne tuiter ose shpërndarjes së një tuiteri, mund të linçohesh në median sociale, mund të demonizohesh në tituj mediash, mund të shkosh në gjyq ose edhe të burgosesh.

Për rrjedhojë, ka një vetëcensurë të përhapur, si një hije që lëshohet, një mik i përhershëm.

Pamuk mendon se AKP do ta tregojë veten dhe popullin edhe si islamikë edhe si modernë.

“Ata e kanë bërë këtë në mënyrë të suksesshme në biznes, diplomaci dhe në politikë”, thotë ai.

“Në arkitekturë, gjithsesi, shiko se ç’kanë bërë- xhamitë janë imitime të arkitejturës klasike osmane”.

Shoqëdia turke është shumë patriarkale, seksiste dhe homofobike. Bota letrare duket sikur është ndryshe në shikim të parë, por në fakt nuk është.

E pyes Pamukun se çfarë mendon mbi politikat gjinore në letërsi dhe si mund të ndikojë kjo në këndvështrimin e Kemalit. Që prej kohëve otomane ne kemi parë herë pas here, shkrimtarë që i trajtojnë femrat si muza, pothuaj statike, që vëzhgohen e fetishizohen, si një ekzistencë e ngrirë, të bukura për tu parë por që i mungon inteligjenca dhe krijimtaria.

Pamuk qesh e thotë: “Hej, Elif, e kuptoj çdo të thuash por unë jam një shkrimtar mashkull turk, çfarë mund të bëj?”

Në fund, pavarësisht gjinisë, të jesh shkrimtar turk do të thotë të jesh dënuar me vetmi të përjetshme. E vërteta është se shkrimtarët janë krijesa vetmitare në tërë botën, por në një vend të polarizuar, ekstremisht të politizuar si Turqia, një shkrimtar është një figurë publike që ose urrehet ose duhet. Dhe nga dashuria në urrejtje, është një hap vërtetë i vogël.

Aty ku liria e fjalës është e frenuar dhe imagjinata e censuruar, letërsia, paradoksalisht është më e rëndësishme dhe arti më i nevojshëm.

Historitë kanë rëndësi në Turqi. Çdo fjalë e shkruar te “Muzeu i pafajësisë”, çdo objekt në këtë ekspozitë, bën një ndryshim pozitiv në lumin e rrëmbyeshëm të amnezisë.

Muzeu i pafajësisë, do të pasurojë botëkuptimin tuaj për Turqinë, i asaj që është dhe i asaj që humbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *