Xhina Lolobrixhida, bukuria e paçmuar e kinemasë italiane

Xhina Lolobrixhida vazhdon të mbetet ende ëndërra e gjithë brezave. E lindur në Lacio të Italisë, më 4 korrik 1927, aktorja legjendare italiane, Xhina Lolobrixhida, përfaqëson në vetvete edhe ecurinë e kinemasë së vendit të saj. Sipas eksperteve të kinemasë, të dish ta ruash suksesin tënd, është më shumë se ta fitosh atë. Pikërisht për një fakt të tillë, pohojnë ata, aktorja Lolobrixhida, duhej të fitonte një Oskar të veçantë. Ajo del në lojë, në vitin 1947, kur e diplomuar për Artet e Bukura, do të merrte pjesë në Miss Italia. Aty nuk do të fitonte, por kjo do t’i shërbente për të nisur karrierën. Pas dy vitesh, do të martohej me mjekun slloven, Milko Skofic. Ndërsa në vitin 1950, fluturoi drejt Hollivudit, duke pranuar një ftesë nga miliarderi Houard Huges. Por, kur zbuloi se aty do të ishte një e burgosur mes hekurave të artë, preferoi të kthehej në Itali. Aty ku merr edhe sukseset e para. Fiton një popullaritet me filmin “Altri tempi” (Kohë të tjera), ndërsa në vitin 1953, me filmin e Liuxhi Komencinit do të kthehej në numrin një hyjnor të Italisë. Rivalja historike e saj, do të ishte gjithmone aktorja tjetër model i Italisë, Sofia Loren, me të cilën në vitin 1955 pati edhe përplasje mbi një film. Vitet ’50 do ta bënin protagoniste të filmave me rëndësi ndërkombëtare si “Thesari i Afrikës”, “Gruaja më e bukur në botë” etj. Tani, megjithëse kanë kaluar dekada, ajo përsëri nuk është harruar nga bota. Bukuria e përjetshme, sublimja, e jashtëzakonshmja Lolo ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes për bukurinë dhe talentin që i ka falur Zoti. Asnjë mashkull nuk mund t’i rezistonte sharmit të saj dhe fama patjetër që i ka kalur kufinjtë e vendlindjes së saj, Italisë. Në fakt emri i saj i vërtetë ka qenë Luigina, një emër që i shkon mjaft për shtat rrjedhës që ka marrë jeta e saj më pas. Lolo ka luajtur vazhdimisht role në të cilat ka përfaqësuar pjesën e shëndoshë të popullit, dhe në këtë kuptim ka qenë vazhdimisht në rivalitet më Sofia Loren. Por Lolo ishte edhe pak speckë, një tip kapriçoz dhe rebel që nuk mund të kënaqej vetëm me një konkurs të thjeshtë edhe pse prestigjioz. Objektivi i saj ishte që të rritej artistikisht. Dhe kishte vetëm një mënyrë për ta bërë, të hynte në kinema. Padyshim që një aktore aq e talentuar si ajo u bë menjëherë yll i kinematografisë së mbas Luftës së Dytë Botërore. Filmi që ka bërë shumë bujë dhe që e ka pagëzuar dhe njësuar atë me titullin është “Gruaja më e bukur në botë”. Pikërisht për këtë karrierë brilante ajo sot nderohet si një monument kombëtar dhe nuk ngurron të marrë pjesë si e ftuar nderi edhe në ndonjë program televiziv./Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *