-në ditën e lindjes së tij-
Nga Visar Zhiti
Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake “Átë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm si klerik dhe atë në letërsinë shqipe, por në vetëdijën e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhëmbje dhe dufe, dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zëmërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndjehet i gjallë vazhdimisht.
Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.
At Gjergj Fishat është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdodik. Kur dikush, p.sh, ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, ti thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobuz, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.
Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyrje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qendresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Pejsazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.
* * *
23 Tetoro ështe datelindjq e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të venditi e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shterr, por për ta përkujtuar ne, kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.
Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmëritsht me Shqipërinë dhe shqiptarët.