Veprat e Koliqit, nga “Hija e maleve” te “Kanga e re” e “Gjaku”

Libri “Hija e maleve” nis me novelën “Nusja e mrekullueshme”, e cila vë në pah mentalitetin tipik shqiptar, besëtytnitë mitike të cilat mbase edhe janë konsumuar si ngjarje të vërteta në shoqërinë e kohës. Ngjarjet që lidhen me tragjicitetin që pëson Leka, si pasojë e dashurisë me nusen e mrekullueshme, zanën, që i shfaqet gjatë kohës kur kulloste bagëtitë, ia rrëfen prifti i fshatit, Dom Marku, të riut intelektual që ishte shkolluar jashtë Shqipërisë.

Ngjarjet që tregon prifti në rrëfimin e tij në lidhje me tragjiken që pëson Leka, në psikën e të riut shqiptar të shkolluar në një metropol evropian, ngrejnë dilema të mëdha dhe, edhe pse si personalitet ishte “formuar” larg ambientit, këto rrëfime kishin lënë përshtypje të thellë tek i riu intelektual. Krijimtarinë letrare të Koliqit e karakterizon teknika e përsosur narrative, gjithsesi ngjarjet në novelat e tij kanë një rrjedhë të kapshme, logjike. Personazhet e këtij autori janë tipizuar aq mirë saqë lexuesi krijon lidhje emocionale me protagonistin e caktuar.
“Gjaku” është një tjetër novelë që flet për dukurinë e hakmarrjes.
Doda, një i ri i shkolluar larg vendlindjes, por i brumosur deri në palcë me mentalitetin shqiptar, dëshiron të bëhet një zë i fuqishëm i cili artikulon idenë e krijimit të një shoqërie përparimtare, e cila dukurinë e hakmarrjes do ta kujtonte vetëm si një relikt të shëmtuar. Vrasja e të vëllait, Zekës, shikimi tundues i babait në sytë e të cilit lexonte fjalën “hakmarrje”, rrethi që do ta tallte për jetë e mot nëse nuk do të hakmerrej, e vendosin Dodën para dilemash të mëdha, të cilat gjithsesi do ta kenë një fund tragjik.

“Kanga e re” ka për protagonist kryesor këngëtarin emblematik Ton Laskun, pa të cilin organizimi i çfarëdo evenimenti e ka të garantuar dështimin. Ton Lasku do ta ketë një fund të gëzuar, ngase është kënga e tij që e bën që ta ketë pranë të dashurën, për të cilën çdo përpjekje tjetër kishte dështuar.

Në novelën “Sa qofsh, pleqnofsh”, Koliqi derdh tërë fantazinë e tij prej një njohësi të thellë të gjithçkaje që ishte shqiptare, për të na dhënë karaktere tipike të Malësisë së Shkodrës, situata konkrete herë-herë të dhembshme të një mentaliteti arkaik me të cilin karakterizoheshin malësorët shqiptarë.

Mina, e bija e Files dhe Sufës, mbetet shtatzënë pa dijeninë dhe pa dëshirën e prindërve dhe për një mëkat të tillë, ajo do ta pësojë në mënyrën më tragjike: vritet nga i ati. Por tragjikja arrin kulmin kur Hajdar Liti kërkon gjakun e fëmijës i cili ishte flijuar ende pa dalë në jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *