“Unë jam engjëll”, Evgenij Evtushenko

 

Lashë pijen. Dhe e dua gruan.
Gruan time, ja ku po e theksoj.
Dhe si engjëjt kam për të jetuar,
Desh zura dhe Shçipaçjov*-in në gojë.

Më thau kjo jetë të mjerin.
Mbyll sytë kur femra rrugës shkojnë.
Po shpatullat, pse po më therin?
Oooo, ç’të jetë kjo?

Po më dalin flatrat, ka të ngjarë.
I hutuar jam, si në ëndërr.
Një hall si ky nuk pata parë.
Ja dolën, hej dreqi e hëngërt!

Një belá tjetër!
Tani ajo xhaketë e vjetër
i do pas shpinës dy të çara.
Jam engjëll pra, me flatra.

Jetës nuk i bëhet vonë
për çdo rreng që na punon.
Ja, tani engjëll jam.
Vetëm se pi duhan.

Jam i llojit duhanpirës.
Me qënë engjëll qenka vështirë.
Vetëm shpirt ama.
Trup asnjë gram.
Le të vijë femra më e mirë,
unë engjëll jam.

Ç’të bëj me veten time tani!
Deri sa ata s’më kanë në llogari,
sado që jam sërë hyjnore,
veç tiparet më kafshërore,
mbajeni mend, i ka raca engjëllore!

Stjepan Petroviç Shçipaçjov* (1899-1980) poet komunist sovjetik, antar i lidhjes së shkrimtarëve sovjetikë dhe president i seksionit të poetëve, persekutor i talenteve si Sollzhenjicin e Saharov; armik personal i Evtushenkos, këtu poeti e përmend me ironi.

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *