The Washington Post: Kadare me një portret çmendurie

William Giraldi*

NJË KRYEVEPËR E ZJARRTË NGA ROMANCIERI MË I SHQUAR SHQIPTAR, ISMAIL KADARE

“Kafkian” është klisheja që i caktohet pa dallim, letërsisë së despotizmit ose çdo nate të errët të shpirtit, por për romanin e Ismail Kadaresë, “E penguara: Rekuiem për Linda B.”, kjo klishe nuk vlen. Kjo kryevepër e zjarrtë nga romancieri më i shquar shqiptar, është shkruar në nxehtësinë e tmerrit të vërtetë: diktatura Staliniste në Shqipëri, e cila e mbërtheu popullin, nga viti 1945, deri në 1991. Ëndrra e ëmbël e tmerrit që paraqet Kadare, është portret i një çmendurie: çmendurisë së shtetit Stalinist dhe çmendurisë së burrave dhe grave nën mbërthimin e makinacioneve të shtetit. Në përshkrimet e tij të ferrit totalitar dhe nënshtrimit të tmerruar, Kadare nuk është një pasardhës i Kafkës, por i Victor Serge dhe Eugène Ionesco, dy dëshmitarë, influenca absurde e të cilëve shfaqet përgjatë këtij libri.
Ngjarja shpaloset thjeshtësisht. Në fund të shekullit të kaluar, dramaturgu Rudian Stefa, thërritet nga Komiteti i Partisë. Një grua e re të cilën ai nuk e njihte, Linda B., është gjetur e vetëvrarë me një kopje të nënshkruar të librit më të ri të Rudianit. Meqenëse Linda dhe familja e saj ishin si borgjezë, vdekja duhet hetuar. Gjaku i byrosë politike është paranoja e shfrenuar dhe dyshimi i fortë për komplote; edhe vetëshkatërrimin e një vajze, qartësisht një plagë shpirtërore përballë agonisë së pamasë, e konsideron një kërcënim për Udhëheqësin. E dashura e Rudianit, Migena, e njihte personalisht Lindën dhe kështu, Rudiani përpiqet të kuptojë si dhe pse, ai dhe puna e tij, mund të kenë ndikuar në vdekjen e saj.
Vazhdimisht, në kontekste të shumta, personazhet e Kadaresë shprehin fjalët “për asnjë arsye”, si për të theksuar absurditetet keqdashëse të jetesës nën mbikëqyrjen e pandërprerë dhe frikën e pareshtur se mos akuzohen për krime të cilat nuk kanë dijeni se i kanë kryer. Të denoncohesh nga një qytetar tjetër, pa prova për shkeljen dhe pa ditur akuzat, do të thotë të përballesh menjëherë me fundin. “Kurthe, tradhti kudo”, thotë rrëfyesi. Në këtë gjendje, edhe të pish kafe në një kafene, mund të interpretohet si rebelim nga komisarët kureshtarë dhe Kadare na paraqet një skenë drithëruese në një kafene, midis Rudianit dhe një hetuesi, një skenë tek e cila, çdo filxhan kafeje, mund të jetë i fundit për Rudianin.
Në një moment, hetuesi thotë, “Sinqerisht, nuk të kuptoj”, ndërsa Rudiani i përgjigjet, “As unë nuk të kuptoj ty”. Fjalët janë bërë të pakuptimta; Stalinizmi fillimisht duhet të trazonte gjuhën, para se të torturonte njerëzit. Kur qeveritarët e bëjnë të pakuptimtë gjuhën, mund të bëjnë të pakuptimtë edhe moralin dhe më pas, gjithçka mund të ndodhë. Diktatura Staliniste e shtrembëron mungesën postmoderniste të kuptimit në një wordpress burokraci shtypëse, duke përhapur enigmë kudo. Në fakt, emri i Migenës është një anagram për fjalën “enigmë”. Personazhet e Kadaresë do të ndiheshin si në shtëpi brenda botës purgatore të dramës “Në pritje të Godosë”, të Samuel Beket.
Rudiani jeton në një atmosferë mbytëse turbullimi. Në përpjekje për të kuptuar vdekjen e Lindës, ai dhe Migena, nuk merren vesh dhe kapen pas një logjike të pakuptimtë. Rudiani mendon, “Gjithçka ishte kaq e paqartë”. E si mund të jetë ndryshe? “Gjithçka ishte kaq e ndërlikuar”, është konkluzioni i zakonshëm i personazheve të Kadaresë. Regjimi është kaq i padepërtueshëm, saqë edhe vrasësit e tij nuk i kuptojnë qartësisht urdhrat. “Ata murmuritën për këtë ditë e natë. Pse disa ishin kaq të privilegjuar, ndërsa të tjerët u qortuan”?
Me një saktësi të ngjyruar, Kadare tregon se si komunizmi është mentaliteti i masës, pafuqia totale e individuales, mohimi depërtues i shpirtit, vullnetit dhe mendjes, shtuar dhe barra e punës vetëm në shërbim të shtetit. Në një nga dramat e Rudianit, personazhet nuk lejohen të thonë “mirëmëngjesi”, por vetëm “lavdi punës”.
Në një kohë kur vende të botës kanë nostalgji për komunizmin, romani i Kadaresë përballet me pamundësinë e egër të artit në një sistem autokratik, kundër individualitetit. Dorëshkrimet e dramave të Rudianit qëndrojnë të paprekura me filistinët e Komitetit të Partisë, në pritje të aprovimit ose refuzimit, pasi të këqyren për ndonjë sugjerim për përmbysje ose revoltë. Kadare ka qenë gjithnjë një stilist elegant dhe i qartë dhe John Hodgson e ka përkthyer këtë roman, ashtu si tre romanet e tjerë po nga Kadare: me një besnikëri mbresëlënëse ndaj ritmit të errët në prozë dhe në ngjarje. Faqet e fundit që përmenden këtu, të trazojnë në mënyrë të paharrueshme me përzierjen e trishtimit dhe të habisë. Rudiani “ishte rrethuar nga një boshllëk, e në këtë boshllëk, përpara syve të tij, po ndodhte diçka tek e cila nuk ndërhynte dot”. Por kjo diçka, ky boshllëk, ndërhynte tek ai, ashtu si te cilido shqiptar, që nga kryeqyteti e deri në fshat, duke e dënuar me një tmerr ngjethës.

*The Washington Post, e hënë, 8 janar 2018

https://www.washingtonpost.com/entertainment/books/a-fierce-masterpiece-by-albanias-most-eminent-novelist-ismail-kadare/2018/01/03/06deb27e-f0bf-11e7-b3bf-ab90a706e175_story.html?utm_term=.a78c3eedf0b2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *