Tabletat e dyllit që zbuluan sekretet e lashtë të Ilirëve

Disa dekada më parë, pesë tableta dylli nga Shekulli II u gjetën prej arkeologut shqiptar Fatos Tartari i cili kreu gërmime në nekropolin e lashtë të Dyrrahut ose Epidamnos (Durrësi i sotëm). Sendet e gjetura – të zbuluara në pjesën e poshtme prej betoni të varrit monumental romak – qëndronin bashkë me një urnë prej xhami me një lëng të zi që i ngjante verës.

Një studim i kryer vitin e kaluar ofron të dhëna mbresëlënëse mbi rolin e grave në kulturën e lashtë Ilire.

“Kompleksi monumental ishte një zbulim i rrallë, duke filluar nga fakti që vera nuk kishte avulluar për pothuaj dy mijëvjecarë”, shpjegoi Eduard Shehi, një arkeolog në INstitutin Shqiptar të Arkeologjisë. “Fakti që tabletat e dyllit ishin ruajtur në gjendje shumë të mirë brenda lëngut, është një ndodhi e cuditshme kimike që duhet analizuar dhe kuptuar”.

Të vendosura në muzeun arkeologjik të Durrësit për më shumë se 4 dekada, tabletat u dërguan më në fund në Muzeun e Maincit në Gjermani, një qendër arkeologjike e famshme, për një restaurim të plotë.

Në Gjermani, restauruesit u habitën kur poshtë veshjes së dyllit, gjetën që tabletat nuk ishin prej druri, ashtu si qe menduar fillimisht, por prej fildishi, gjë që ringjalli interesin për studimin e tyre.

Pas një procesi të kujdesshëm restaurimi, arkeologët shqiptarë dhe gjermanë kanë vazhduar me deshifrimin e ngadaltë të shkrimeve në tableta, duke zbuluar detaje të reja mbi jetën në ish koloninë romake të Dyrrahut në shekullin II.

Pasi luftërat Ilire me Republikën Romake në vitin 169 para Krishtit përfunduan me një humbje të Ilirëve, qyteti kaloi nën sundimin romak, nën të cilin uz hvillua si një bazë e madhe ushtarake dhe detare.

Zbulimi i tabletave me dyllin e paprekur është gjë e pazakontë, për shkak se fildishi tkurret duke humbur lagështinë dhe shkëputet nga dylli, që më pas shkërmoqet.

“Zbulimi i një tablete fildishi është gjë unike për Shqipërinë, shumë pak prej tyre janë gjetur në Egjipt, por asnjë në Europën kontinentale”, tha Shehi.

Në lashtësi dhe përgjatë gjithë Mesjetës, tableta të tilla përdoreshin për të shkruajtur me ndihmën e një shkopi. Për shkak të krehërit dhe sendeve të tjera të wordpress gjetura në varr, besohet se ai ka qenë i një gruaje të pasur dhe aristokrate. Kur u zbulua fillimisht, tabletat mendohej të ishin një kontratë martese apo një akt trashëgimie.

Megjithatë, studimet më të fundit kanë nxjerrë se në fakt bëhet fjalë për regjistra borxhesh, me data ekzakte se kur paratë janë dhënë hua dhe sasinë e tyre, duke përfshirë dhe interesin. “Në disa raste bëhet fjalë për borxhe të mëdha deri në 2000 denarii”, thotë Shehi. “Sa për krahasim, paga mesatare vjetore e një ushtari romak në atë kohë ishte 200 denarii – monedha të argjendta romake”, shton ai.

Ndonëse studimi i tabletave vazhdon, shuma kolosale e borxheve tregon jo vetëm fuqinë ekonomike të qytetit, por sjell edhe një dimension të ri të rolit që gratë kanë luajtur në Dyrrahun e epokës romake. Sa për të bërë një dallim, në Greqinë e lashtë gratë ishin të kufizuara të rrinin në shtëpi dhe shpesh herë konsideroheshin të rëndësishme vetëm për riprodhim. Por tabletat e dyllit mbështesin rrëfimet e shkrimtarëve të lashtë se në Iliri, gratë ishin më të barabarta me burrat, se kudo në botën e lashtë.

“Ka rrëfime të shkrimtarëve të lashtë, për gra ilire që shkonin me bashkëshortët në bankete, pinin me ta dhe madje ngrinin dolli, gjë kjo krejt e pamendueshme dhe e papranueshme në Greqinë dhe Romën e lashtë”, thotë studiuesi.

“Kur një grua ka kontroll mbi financat e saj, ka të drejtën të bëjë biznes, të drejtën e pronësisë dhe trashëgimisë, ajo nuk është skllave e asnjë burri”, shton ai. /Bota.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *