Studentja turke interviston Mira Meksin: Çdo përkthyes kur shkruan vet ndikohet nga stili i autorëve të huaj

Pelin Sisman është një studente e gazetarisë, e cila ka bërë një intervistë me përkthyesen e njohur Mira Meksi. Pelin është turke dhe jeton në Shqipëri. Intervistën e saj po e botojmë në Pasqyre.al.

Momentalisht  ndodheni  në Francë. Çfarë lidhjesh keni me këtë vend, pse pikërisht Franca?

Në  Paris ndodhem sepse po përgatis për botim në gjuhën frënge romanin tim të fundit “Mallkimi i priftëresha të Ilirisë”. Lidhja ime me Francën është shumëfaqëshe, por mjafton tu them se unë jam edhe shkrimtare frankofone, që do të thotë se librat e mi po i botoj në Francë në versionin frëngjisht të shkruar nga unë. Lidhja tjetër është kultura, letërsia. Unë jam përkthyese në shqip e disa autorëve të mëdhenj francez, ashtu sikundër jam edhe përkthyese e poezisë së kadaresë në frëngjisht.

Atë që i kam dhënë dhe që vazhdoj t’ia jap vendit tim si shërbestare e kulurës shqiptare, kulturën dhe letërsinë e këtyre vendeve.

 

Në fillimin e karrierës tuaj jeni marrë më së shumti me përkthime dhe pastaj keni vendosur të shkruani. Çfarë ju ka shtyrë ta merrni këtë vendim?

Unë kam filluar të shkruaj letërsi që e vogël dhe përrallën e parë e kam botuar ne revistën “Yllkat” kur kam qenë në klasën e gjashtë të shkollës    tetëvjeçare. Pra kam nisur të shkruaj përpara se të përkthej, por keni të drejtë në përshtypjen tuaj, sepse më pas më shumë kam botuar përkthime se letërsi origjinale. Dhe me kohë, ky raport u përmbys, ka shumë vjet që pjesën më të madhe të kohës ia kushtoj krijimit tim. Ka ardhur natyrshëm, pa u dashur të marr vendime të mirëfillta për këtë.

 A është  i vërtetë për ju mendimi se përkthyesit që vendosin të shkruajnë e përvetësojnë me dashje ose jo stilin e autorëve të veprave që kanë përkthyer?

Po flas për eksperiencën time personale. Përmbi leximin e mjeshtrave botërorë të letërsisë, është përkthimi i tyre që më ka mësuar mjeshtërinë e të   shkruarit. Por s’mund të them se kam përvetësuar stlin e këtyre autorëve të         mëdhenj. Do të ishte sikur të barabitesha me ta. Ndikime pa dyshim që ka,  dhe janë shumë të vlefshme. Fjala vjen, kritika franceze shkruan për mua :

 “Mira Meksi përkthen Borges-in, Cortazar-in, Garcia Marquez-in. Magjia e këtyre letërsive mbush pak e nga pak universin e saj poetik. Ajo na përshkruan në një klimë shpesh fantastike, raportin magjik, hera-herë të tollovitur që vendoset midis përkthyesit dhe tekstit që përkthehet. Temat që ajo trajton janë universale dhe nuk ngërthejnë vetëm realitetin shqiptar. Filozofia e Borges-it, karakteri barok i Marquez-it karakterizojnë identitetin e saj ballkanik.

Cilët janë autorët  nga të cilët mendoni që jeni ndikuar në letërsinë tuaj ?

Mendoj nga Jorge Luis Borges-i, Gabriel Garcia Marquez-i dhe Julio Cortazar-i. Ndikimi nga ky i fundit është sidomos në lidhje me një lloj gjinie letërsie që ka zhvilluar dhe që quhet tregimi fantastik.

A shkruani kudo, apo duhet domosdoshmërisht  të jeni në zyrën tuaj, në tavolinën tuaj?

Mund të shkruaj kudo, mjafton të kem qetësi, laptopin tim dhe shumë kafe.

Çfarë mendoni për lexuesin kur shkruani?

Po, lexuesi im është shtuar shumë në numër dhe kjo ndikon në shkrimësinë time. Dikur, në fillimet e mia, kisha lexues vetëm miqtë e mi, dhe isha e shkujdesur në shkrim, por edhe e lumtur, sepse miqtë e mi ishin dhe kritikët e mi zemërdhembsur. Tani jam shumë e kujdesshme, shkruaj shumë ngadalë dhe me shumë përgjegjësi për lexuesin tim.

Cilat libra duhet t’i lexojë sipas jush një njeri i cili do t’i përkushtohet të shkruarit?

Gjykoj se jo vetëm ata që dëshirojnë t’i futen zejes së vështirë të shkrimësisë, por edhe njerëzit e tjerë, gjatë jetës së tyre duhet të lexojnë librat e pashmagshëm të Homerit, Shekspirit, Servantesit dhe librin e librave për mua “Komedinë hyjnore” të Dante Aligherit.

Ju keni përkthyer një nga veprat më të sukseshme të Gabriel Garcia Marquez-it “Dashuri në kohërat e kolerës”, e cila është një nga romanet e mia më të preferuara falë jush. Keni patur një takim në Barcelonë me shkrimtarin e madh, të cilin më pas e keni shkruar në formën e pasthënies në botimet e para të romanit. 2 pyetje: A mendoni se gjuha shqipe ka mundur të japë të plotë pasurinë e madhe gjuhësore të një romani që konsiderohet nga më të pasurit e gjuhës spanjolle dhe a përfituat diçka nga takimi me Marquez-in në lidhje me punën tuaj?

Është shumë e vërtet kjo që thoni, “Dashuria në kohërat e kolerës” është një roman i rrallë për nga pasuria gjuhësore, ku stili barok i autorit del më i shkëlqyer se në çdo vepër tjetër. Madje ky është libri që Marquez-i kishte më për zemër siç ma pohoi gjatë takimit tonë. Nuk ishte aspak i lehtë përkthimi i këtij romani të vështirë; më është dashur të punoj çdo ditë për dy vjet me radhë, e njëjta kohë që iu desh autorit për ta shkruar. M’u desh të përpunoja fjalë të gjuhës sonë, të nxirrja nga harresa e përdorimit fjalë të          harruara të shqipes dhe, duke patur si model gjuhën e pasur të autorit të madh, m’u desh gjer të krijoja neologjizma. Dëshiroj ta përsëris atë që kam thënë shpesh: gjuha shqipe është e aftë të japë denjësisht vepra të mëdha të letrave boërore dhe të gjuhëve të mëdha. Sa për pyetjen e dytë, sigurisht që po, përfitova shumë nga takimi me Marquez-in. E para, sepse është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi përkthyes-autor, gjatë përkthimit të vepërs;     shumë gjëra në lidhje me dyshime të miat përkthimore u sqaruan në atë takim. Dhe veç kësaj mora këshilla prej tij konkretisht në lidhje me përkthimin e veprës së tij, psh shmangien e shpjegimeve në fund të tekstit dhe plot këshilla të tjera teknike.

Romani “ E kuqja e  Demave” eshte një roman i botuar së pari në vitin 2009 dhe i ribotuar përmbi 9 herë me një shitje rekord, dhe i përkthyer në disa gjuhë të huaja. A mund të kem një përmbledhje të shkurtër të lëndës së romanit nga ju, dhe shpjegimin e titullit të tij

E quaj veten me fat si shkrimtare. Të katër romanet e mi, por edhe përmbledhjet me tregime kanë njohur ribotime të vazhdueshme dhe botime në gjuhë të huaja. “E kuqja e demave” është një roman i shkruar në vetë të parë ku rrëfimtarja zbulon se është e zjedhura, misionarja e ngarkuar për të deshifruar misterin e            ngjyrës së kuqe të Onufrit, ikonografit të famshëm shqiptar të Mesjetës. Dy botë paralele hapen përpara saj, bota e korridave dhe ajo e ikonave, të cilat i lidh ngjyra e kuqe e gjakut. Këto dy botë  mbushin hapësirën labirintike të romanit, krjojnë misterin, suspensin dhe trillerin, madje edhe prototipin e vetë Vdekjes. Në brendësi të kësaj hapësire, dashuria është gjithmonë e pranishme, me rivalitetet e saj të përgjakshme dhe tradhtitë e përbindshme. Kjo është loja pasionante e jetës ku ngërthehen fort dhe përleshen egrasi Dashuria dhe Vdekja. E zhytur në universin e ikonës, e stërvitur në soditjen e saj dhe nën efektin aluçinant të opiumit, rrëfimtarja arrin të komunikojë me ikonografin e famshëm, Onufrin. Nëpërmjet alkimisë së ndjeshmërisë së saj të jashtëzakonshme dhe kujtimit që ka nga imazhi i ikonave të Onufrit në muzeun e vendit të saj, ajo arrin të deshifrojë misterin qindravjeçar të ngjyrës së kuqe të ikonave onufriane: është e kuqja e gjakut njerëzor. Kjo ngjyrë është nxjerrë nga toka e mbrujtur me gjakun e një    fushëbeteje ku luftëtarët e Skënderbeut janë ndeshur me pushtuesit otomanë.

Misioni i rrëfimtares është përmbushur me sukses, por çmimi që ka paguar është tepër i lartë: dashuria e saj sakrifikohet në arenën e korridës nga rivalja e saj e tmerrshme, dona Maria Victoria, një grua shumë e bukur, e cila është mishërimi i Vdekjes së Toreadorit. Njëlloj si ikona, romani E kuqja e demave, është ndërtuar            me lëndë kujtese dhe ka ngjyrat e saj të përndritura. Edhe forma e tij i përngjan asaj të ikonës: një labirint me dy dalje: pjesa e dukshme dhe pjesa e padukshem, ajo e soditjes dhe e zbulimit të misterit nëpërmjet Evokimit.

Sa për titullin, E kuqja e demave, ai është shumë simbolik. Ai evokon të kuqen, e cila është ngjyra që përdoret në ikona dhe që është, në të njëjtën kohë, e kuqja e gjakut të qengjit dhe e kuqja e gjakut të Vdekjes, sepse demi në mitologjinë    greke, por edhe në atë judeo-kristiane përfaqëson Vdekjen.

 Së fundmi keni shkruar romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” i cili është një roman me ngjyresa të forta historike, ju ka marrë, siç e keni pohuar, rreth 8 vjet punë dhe ka njohur edhe ky shumë sukses, së bashku me një çmim të rëndësisëhm letrar në Kosove. Por gjithsesi kuptohet qartazi se historikja nuk është në të vërtet  pika më e fortë e romanit. Cila është në fakt pika e fortë, apo qëllimi parësor i tij brenda një ndërthurjeje histori-mit dhe legjenda?

E vërteta është se “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është  roman historik i një tipi krejt të veçantë, ku ndonëse elementet historike të  qenësishme  pasqyrohen me  përpikmëri, ato nuk jepen si një qëllim në vetvete, si prirje për ta paraqitur dhe   ofruar të shkuarën me vërtetësi objektive, përkundrazi, i nënshtrohen ligjësive,        qëllimeve dhe nevojave të rrëfimit dhe shërbejnë për t’i dhënë më shumë    vërtetësi, jetë dhe peshe personazheve historike. Qëllimi im ka qenë ta sjell të gjallë Ilirinë e shekullit të III para Krishtit te lexuesi i sotëm dhe jo ta shpie lexuesin në Ilrinë e largët.

A jeni duke punuar momentalisht për dicka të re?

Po, tregimin e shkurtër fantastik, por jo vetëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *