62 vepra ikonografike të përzgjedhura do të ekspozohen në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar ditën e nesërme, më 29 shtator. Ekspozita, e cila titullohet “Thesare të shpëtuara”, zhvillohet në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe ka si qëllim të ndërgjegjësojë opinionin publik mbi rëndësinë e ruajtjes së thesareve të trashëgimisë kulturore.
Veprat e përzgjedhura, të cilat do të qëndrojnë në Muzeun Kombëtar deri më 5 tetor ekspozohen për herë të parë për publikun pas vlerësimit dhe kategorizimit të bërë nga Grupi i Punës, pas sekuestrimit të bërë nga koleksionisti Gjergji Thimio në vitin 2013.
Për tu ekspozuar në muze janë përzgjedhur elementët më të veçantë të këtij koleksioni, ndërsa vet ekspozita është konceptuar në dy linja kryesore: 1- Ruajtja dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore, dokumentimi i këtyre vlerave dhe 2- shfaqja e elementëve të tjerë, të formave më të këqija sesi degradon trashëgimia kulturore kur bie në dorë të trafikantëve apo njerëzve të papërgjegjshëm.
Pjesët e ikonostasit që janë ekspozuar janë grabitur nga kisha e “Lindjes së Shën Mërisë” në Spile, Tranosisht, Lunxhëri, Gjirokastër, kisha e Shën Kollit në Saraqinisht të Lunxhërisë etj.
Kishat e shpallura monument kulture, shpesh kanë rënë pre e vjedhjeve dhe e grabitjeve nga njerëz të papërgjergjshëm. Vjedhësit çmontojnë ose shkulin me dhunë dyert e bukura, pjesë nga amvoni, pjesë nga ikonostasi, pjesë nga fronet dhespotike, ikonat e montuara nëpër ikonostasët e kishave monument kulture dhe ua shesin matrapazëve në tregun e zi ose koleksionistëve të veprave të artit. Gjatë viteve të fundit janë grabitur dhe dëmtuar shumë kisha të shpallura monument kulture.
Diçiturat e ekspozitës janë realizuar, duke u mbështetur në katalogun e hartuar nga komisioni i ekspertëve të trashëgimisë kulturore, të cilët pas një pune njëvjeçare mundën të kryejnë me profesionalizëm regjstrimin, katalogimin dhe kartelizimin e 476 objekteve ikonografike dhe dekorative të sekuestruara tre vjet më parë.
Ekspozita zhvillohet me kujdestarinë e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe me Qendrën e Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe do të qëndrojë e hapur nga data 29 shtator 2016 deri më 05 tetor 2016, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.
Ekspozita ikonografike vjen si produkt i Raportit të grupit të punës ngritur me Urdhër Ministri me nr. 457 prot. dt.28.12.2015, Urdhër Ministri me nr. 56 prot dt. 04.03.2016 mbi vlerësimin, kategorizimin dhe rakordimin e dokumentacionit që disponohet të objekteve të trashëgimisë kulturore, sekuestruara në cilësinë e provës materiale nga koleksionisti Gjergji Thimio., kaluar në pronësi shtetërore me vendim nr.1502 datë 16.06.2015 të Gjykatës Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr.1459 datë 30.09.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë, Vendim nr.1613 dt. 30.06.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim shpërndarjen e tyre në institucionet muzeore kombëtare.